Bota

SHBA dhe Gjermania vendosen në front të bashkuar kundër Rusisë gjatë bisedimeve në Berlin

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe aleatët e tjerë perëndimorë janë të bashkuar rreth çështjes së konfliktit në Ukrainë, ka thënë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken të enjten në Berlin, pas një takimi me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock.

“Ky unitet na jep forcë, një forcë që mund të shtoj që Rusia nuk e ka dhe nuk mund ta krahasojë”, tha Blinken së bashku me ministren e jashtme gjermane.

Zyrtari amerikan tha se i takon Rusisë nëse do të zgjedhë rrugën e përshkallëzimit apo diplomacisë në konflikt.

Ndërkohë, ai akuzoi Rusinë se kërkon të përçajë aleatët perëndimorë dhe paralajmëroi sërish për pasoja të rënda në rast të një pushtimi rus të Ukrainës.

Në anën tjetër, Baerbock e përsëriti këtë paralajmërim, duke kërcënuar se aktet e mëtejshme të agresionit nga Rusia do të përballeshin me “pasoja të rënda”.

Lexo më shumë  Blinkeni thotë se Rusia duhet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës

Ajo i bëri thirrje Moskës që menjëherë të ndërmarrë hapa për të de-përshkallëzuar krizën.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj në NATO janë të shqetësuar nga vendosja e rreth 100,000 ushtarëve rusë në kufirin me Ukrainën. Ata kanë frikë se Rusia mund të planifikojë të pushtojë Ukrainën.

Ndërkohë që Moska ka argumentuar se këto janë trupat e saj në territorin e saj.

Duke iu referuar partnerit të saj amerikan, Baerbock tha: “Ne jemi dakord që e vetmja rrugë për të dalë nga kjo krizë është një rrugë politike dhe kjo rrugë është ajo e dialogut”.

“Për fat të keq, sjellja e Rusisë ende flet për një gjuhë tjetër”, shtoi ajo, duke vënë në pah vendosjen e trupave ruse në Bjellorusi dhe stërvitjet ushtarake në kufirin ukrainas.

Lexo më shumë  Ukrainë: Mbi 7 mijë njerëz evakuohen nga rajoni i Kharkiv

Blinken mbërriti në Evropë të mërkurën mes përpjekjeve për të trajtuar tensionet me Rusinë për konfliktin në Ukrainë.

Në Kiev, ai u takua me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Gjatë asaj vizite, ai përsëri kërcënoi Moskën me sanksione dhe i premtoi mbështetje Ukrainës.

Të premten, kryediplomati amerikan është planifikuar të udhëtojë për në Gjenevë, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ndërsa përpara takimit të saj me Blinken të enjten, Baerbock zhvilloi bisedime me homologët e saj nga Franca dhe Britania./telegraf/

Rruga Press

YouTube player