Opinion/Aktualitet

Shaban Murati-anëtar i aradhës së Rilindasve

Elvis Hoxha, drejtor i “Institutit Politik të Studimeve Humane”

Mbi librin e ri “Antitabu për filozofinë filotabu shqiptare”

Në letërsinë librat me fakte janë të shpeshtë, por jo shumë shpesh ata ia mbërrijnë të ndërtojnë faktologji. Dhe nuk është radhitja e fakteve që dështon, por më shumë lokalizimi i diçkaje si fakt. Fakti përcaktohet, në mbarësinë e vet si fakt, nga aftësia e perceptimit. Ndërsa vetë aftësia e perceptimit varet nga dija e fushës. Nga dija e fushës kalohet tek aftësia për të shquar simptomat. Në fund të fundit, të dish do të thotë të dish të shohësh, të dish çfarë të shohësh, të dish të gjykosh mbi çka sheh. Ky është përcaktimi i autoktonisë së dijes. Dhe në shoqërinë tonë, aktorët autoktonë të dijes janë shumë të rrallë. Por ç’mund të na ofrojë autoktonia e dijes?

–       Aftësi shqyrtimi e të drejtës kombëtare nisur nga e drejta në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

–       Njohje të thellë informuese, sidomos nga rajonet që prodhojnë rrezik ekzistencial.

–       Përvojën e zbatimit në misionin si ambasador të një ndjeshmërie estetike dhe aftësia për të krijuar emfazën e nevojshme për rrokjen e kuptimit.

–       Aftësi të shtrimit logjik të problemit

Të gjithë këto pika shërbejnë si momente përbërës të dijes autoktone dhe sjellin natyrshëm faktologjinë në shkrimet e ambasadorit Shaban Murati në librat e tij.

Nga ky pozicion autoktonie faktet na dëshmojnë humbje ekzistence në përfaqësim. Ndaj lexojmë në të dy vëllimet e librit “Antitabu” dëshmi të shkurtra, por të thukta mbi aleancën e madhe mes ligësisë përfaqësuese dhe injorancës masive në lidhje me çështjet. Nëse injoranca masive e ka burimin te pasiviteti dhe prodhon kompleksin e inferioritetit, ligësia është aktive dhe zbeh rolin e subjektit. z. Murati e artikulon kompleksin e inferioritetit, zhbërjen e institucionalizuar të përfaqësimit në mbi 600 tekste të vegjël dhe kuptimplotë.

Veç të tjerash, propozimet e tipit “Këshilla për miqtë” janë një akt i kulluar pedagogjie për vë-mendjen. Në këtë paraqitje, rëndësinë e dy librave do ta shpreh përmes shembujsh, duke qenë i vetëdijshëm se nuk janë aspak shterues. Shembujt më poshtë janë temat më të shpeshta në shënimet e ambasadorit Murati.

Shembull 1: Ne përkujtojmë viktima dhe heronj, por kurrë nuk themi se cili ishte armiku që i prodhoi viktimat tona dhe kundër të cilëve luftuan deri në vetëmohim heronjtë tanë. I pari akt, që ndërmerr një shtet i papërgjegjshëm institucionalisht, është prodhimi i një historiografie anonime: shumë luftë, por pa armiq.

Shembull 2: Ne biem në cikle të mbyllur, duke kërkuar me ngulm “Ballkane të hapur”. Cikli, që po përmbyllet në këtë dekadë, është ai i kalimit nga Tito te Vuçiçi, duke konsumuar besnikëri perandorake ideologjike (Rusi e Kinë, Stalin e Mao) në bazë të të cilëve prodhuam viktima së brendshmi. Nga integrimi i ekonomik me Jugosllavinë në 1946-n, te “Ballkani i hapur“ në vitin 2020.

Me qëllimësitë tona zyrtare duket që ekzistenca e shqiptarëve është mjet për projektet jugosllave, projektet e sllavëve të jugut. Jemi pra një popull, që shërben sipas regjimeve shqiptarë si lëndë e parë për afirmimin e sllavëve të jugut. Le ta konsiderojmë si qark të shkurtër e si kurth të përjetshëm.

Lexo më shumë  Zgjedhjet në MV na rikthejnë tek epoka e Bogdanit

Shembull 3: Ne nuk marrim kurrë mësim nga sjelljet e shteteve, por shpikim teprinë e shtetit në lidhje me shqiptarët dhe mangësinë e shtetit në lidhje me ndërkombëtarët. Pra, prirja e shteteve tanë është zvogëlimi i kombit në mënyrë shtetërore.

Shembull 4: Ne e paraqesim botën si një perandori në të cilën jemi fatalisht viktimë, autoktonisht viktimë – vetia e vetme që kemi si autoktonë. Por për ta përmbyllur në mënyrë koherente këtë kurth që i bëjmë vetes, na duhet që ta reduktojmë shoqërinë shqiptare në grumbull krahinash. Pra së jashtmi viktimë perandorake, së brendshmi agresivë krahinorë.

Shembull 5: Shkencë sa për të mohuar veten. Më falni që do të shprehem kështu, por ky është përdorimi më i ndyrë i subjektit: ne organizojmë me shkencë dhe historiografi zhdukjen e subjektit tonë. Pasiviteti i shoqërisë prodhon papërgjegjshmërinë e përfaqësimit

Një përfaqësim i dobët bëhet së brendshmi pushtet i nënshtrimit të potencialeve dhe së jashtmi objekt i nënshtruar pa dijen më të vogël të reciprocitetit. Pasivitetit të shoqërisë i kundërvihet autoktonia e shkencës. Dhe meqë autoktonia e shkencës është albanologjia, kohët e fundit Akademia e Shekncave ndërmori sulmin dhe eliminimin e Institutit të antropologjisë, ashtu si qeveria zhduku në mënyrë sistematike të gjitha qendrat e artit dhe institutet. Kështu që shohim se si shkenca jonë institucionale është kundër autoktonisë, me një shenjues të madh: shkenca kundër kombit me mënjanimin e Kosovës nga të drejtat e pavërësisë dhe integritetit teritorial, me harrimin e saj si çështje kyçe.

Shembulli 6: Ç’e bën një popull të deklarohet kundër vetvetes nëpërmjet gojës së udhëheqësit të vet? Kompleksi i inferioritetit i edukuar në dekada e kthen këtë popull në refugjat potencial ose mercenar aktiv.

Nëse ju lexoni me vëmendje rilindasit shqiptarë, Shaban Murati bëhet drejtpërdrejt anëtar me të drejta të plota i aradhës së Rilindasve. Ndërkohë shteti, institucionet shkollorë deri tek Akademia prodhojnë një histori, ku vetëm kontabiliteti i mercenarit dhe fataliteti i refugjatit gjejnë frymëzim.

Shembulli 7: Lehtësia me të cilën z. Murati analizon sjelljen e armikut na shpie në konkluzionin se me punë sistematike dhe kolektive është shumë e thjeshtë të jemi shtet normal, ku mund të organizohen burimet dhe inteligjencat individuale. Përkundër qëndron: indiferenca e përgjithësuar e opinionit ndaj terminologjisë, vendosja në pritje të përcaktimit nga të tjerët, zgjedhja për të mos zgjedhur një qëndrim.

Shembulli 8: Ligësia operon me format e levantinëve kozmopolitikë dhe trashëgimtarëve të komunistëve tashmë pa ideologji. Të dy shpallin se kurthi historik është Kosova, dhe se shpëtimi është një botë lindore.

Shembulli 9: Zhbërja institucionale në tri dekada, por me hapa të shpejtë në dekadën e fundit. Dëmtim i përfaqësimit të Kosovës, dëmtim i kufijve të Shqipërisë me detin, dëmtim i autoktonisë politike të truallit me varreza ushtarësh grekë, dëmtim i jugut të Shqipërisë me asociacion grek, për të relativizuar republikën serbska në veri. Shqipëria zyrtare e mban me vetëdije vogëlsinë e vet, duke shfaqur pareshtur shenja përuljeje ndaj shtetit grek në jug, nga i cili merr si përgjigje ligjin e luftës dhe mohimin e masakrës ndaj popullsisë çame, dhe një shteti në veri, Serbisë, nga e cila merr si përgjigje mosnjohjen e gjenocideve të kryer mbi shqiptarët në veri e në lindje të kufijve tanë londinezë.

Lexo më shumë  Zgjedhjet në MV na rikthejnë tek epoka e Bogdanit

Shembulli 10: Dëmtimi zyrtar i anëtarësimeve tanë në strukturën euro-atlantike të NATO-s me dy sjellje: përkëdhelje e Greqisë që mban ligjin e luftës (paradoksi në të cilin ne e hedhim NATO-n), përkëdhelje e Serbisë që është një vend anti-NATO. Fyerje e KiE me fjalimin një orësh të kryeministrit, pikërisht kur Kosova përgatit aplikimin në KiE.

Shembull 11: Shpërbërja me cense të shpikur e të sponsorizuar e popullit shqiptar në pakica, por lënia pa mbrojtje e pakicave tona në shtetet, që na rrethojnë.

Shembull 12: Krijimi i një populli imagjinar, atij jugosllav, duke dëmtuar zyrtarisht, në çdo rast që ofrohet, popullin shqiptar në vijimësinë e vet fizike dhe historike. Me deklaratën e tre liderave të “Ballkanit të Hapur”, në 18 dhjetor 2021, e cila nis me fjalët “Dëshira e popullit tonë…”, ambasadori Murati na dëfton një prej akteve më të përsëritur edhe pse më të papërgjegjshëm të aleancave me armikun ekzistencial. Në vend të dhjetëra notave proteste, që duhet të kishte bërë ministria e jashtme për deklaratat serbe dhe greke, ne bëjmë deklarata kundër qeverive në Kosovë. Për këtë, Z. Murati formulon konstatimin e vrullshëm: “Zhbërja e kombit nis me mohimin e shumicës së kombit”.

Shembulli 13: Shumë shpesh rikthehen në shënimet e ambasadorit dëshmitë se për marrëdhëniet mes shteteve shqiptarëve është e domosdoshme dakordësia e Serbisë, ndërsa për marrëdhëniet e Shqipërisë më Serbinë, Kosova është një prani e tepërt ose edhe e panevojshme.

Shembulli 14: Detyrat, që nuk ka kryer shteti shqiptar në cilësinë kushtetuese të shtetit shqiptar, përkundër mbrojtjes së paepur për Serbinë në të gjithë organizmat ndërkombëtarë, ku ajo ka forcën e fjalës. Pra, në Perëndim, falë deklaratave të përfaqësuesit të Republikës së Shqipërisë, ndërkombëtarët njohin një popull shqiptar që nuk përkon aspak me popullin shqiptar.

Le të themi se korruptimi i politikës shqiptare në çdo rrafsh ka nisur me korruptimin e idesë së kombit. Ndaj, cilido prej nesh, që habitet se përse ne jemi shoqëri e korruptueshme, harron se ne kemi lindur dhe jemi edukuar, në mënyrë sistematike, shkencore, historiografike dhe arsimore, me idenë e kombit të korruptuar: me pranimin fatal të idesë së kombit të ndarë. Shkenca zyrtare ka korruptuar qenien e popullit, idenë e kombit dhe funksionin e shtetit. Kosova po tregon një shembull të ri, i cili nuk i shërben aspak kryeministrit aktual të Republikës së Shqipërisë dhe as idesë së “Ballkanit të Hapur”. Për të gjithë faktologjinë lidhur me mangësitë shtetformuese, shënimet e ambasadorit Murati i takojnë një pedagogjie sa efektive, edhe të domosdoshme. Ju mund të zbuloni vetë tema të tjera, përmes shembujsh të tjerë. Lexim të mbarë!/Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player