KryesoreLajme

Serwer: Me sulmin në Banjskë, Vuçiqi e kopjoi strategjinë e Putinit në Donbas dhe Krime

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, njëherësh profesor në universitetin amerikan “John Hopkins”, ka thënë se sulmi në Banjskë më 24 shtator është kopjim i strategjisë së presidentit rus Vladimir Putin në Donbas dhe Krime, nga homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Serwer ka shtuar se ambiciet e Vuçiqit për ta kontrolluar fatin politik të serbëve në vendet përreth janë kërcënim i madh për rajonin.

“Mendoj se ambiciet e tij, të mbështetura nga Rusia, janë kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. Historia nuk përsëritet, por rimon. Dyshoj se rajoni do të shkojë në një luftë për tre vjet e gjysmë siç ishte në Bosnjë në vitet 1990, por sigurisht që mund të shohim paqëndrueshmëri serioze. Vuçiqi donte të provokonte një konflikt brenda Kosovës, të cilin mund ta përdorte si justifikim për ndërhyrje ushtarake”, ka thënë Serwer për mediumin malazias “Antena M”.

Lexo më shumë  Regjistrohet edhe Kurti: Ishte proces i thjeshtë dhe i shpejtë

Teksa ka folur për qeverinë e re të Malit të Zi, Serwer ka thënë se ekzekutivi malazias është i gatshëm t’u shërbejë interesave serbe dhe ruse.

“Kjo qeveri duket se është krijuar për t’i shërbyer interesave serbe dhe ruse. NATO-ja patjetër do të duhet të mendojë se si të mbrojë sekretet e Aleancës nga dërgimi në Moskë”, theksoi Serveri.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

Ai gjithashtu beson se heshtja e Bashkimit Evropian është rezultat i faktit se BE-ja nuk dëshiron ta shohë veten si dikush që ndërhyn në punët e brendshme të Malit të Zi.

Rruga Press

YouTube player