Serbia liron para kohe të dënuarin për masakrën e Vukovarit
Miroljub Vujoviç, i dënuar për një nga krimet më famëkeqe të luftës kroate, u lirua pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij me 20 vjet burg, me gjykatën e Beogradit që përmendi “sjelljen e tij adekuate”.
Miroljub Vujoviç, një luftëtar serb i kohës së luftës i cili u dënua në Serbi për pjesëmarrje në vrasjen e rreth 200 të burgosurve nga qyteti kroat i Vukovarit në fermën Ovcara në nëntor 1991, është liruar para kohe bazuar në përfundimin e Gjykatës së Apelit të Beogradit se “risocializimi i tij ” është i plotë.
Gjykata i tha BIRN se në vendimin e saj më 28 janar, ajo konstatoi se Vujoviç kishte kryer dy të tretat e dënimit të tij me burg, duke e bërë atë të përshtatshëm për lirim të mundshëm të parakohshëm dhe se ai kishte shfaqur “sjellje adekuate”.
Gjykata tha gjithashtu se Vujoviç “ka bërë përparim maksimal” drejt risocializimit. Më tej, ajo theksoi se “për shkak të kontributit të tij të madh në përgatitjen e të gjitha eventeve kulturore në institucion, atij iu dha një çmim në të holla”.
Ajo gjithashtu tha se ai është mjaft i shëndetshëm për të punuar dhe se do të ketë mbështetjen e të afërmve dhe miqve pas lirimit, “kështu që dihet se do të pranohet nga familja”.
Masakra masive në fermën Ovcara pasoi rënien e qytetit të Vukovarit në Kroacinë lindore nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë pas një rrethimi shkatërrues tre-mujor. Ajo ishte një nga masakrat më famëkeqe të luftërave në ish-Jugosllavi.
OJQ-ja kundër luftës Gratë në të Zeza me qendër në Beograd tha të martën se “dënon fuqishëm vendimin e turpshëm dhe cinik të Gjykatës së Apelit”.
“Me këtë vendim, institucionet gjyqësore të shtetit të Serbisë kanë treguar edhe një herë se janë më të gatshme të lirojnë kriminelët e dënuar të luftës sesa të ngrenë akuza kundër tyre dhe kështu të sjellin drejtësi për viktimat”, thuhet në një deklaratë të Grave në të Zeza.
Në vitin 2017, Gjykata e Apelit në Beograd e dënoi Vujoviçin dhe shtatë anëtarë të tjerë të forcës së Mbrojtjes Territoriale të Vukovarit, e cila në vitin 1991 ishte pjesë e Ushtrisë Popullore Jugosllave, me 101 vjet burg.
Katër të pandehur, të cilët fillimisht u dënuan me burg, u liruan në apel për mungesë provash.
Një investigim nga BIRN në vitin 2020 zbuloi se nga një total prej rreth 1.8 milionë eurosh në kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve ligjore që Serbia u dha të pandehurve që u liruan nga akuzat për krime lufte ose u pushuan akuzat, shumat më të mëdha shkuan për ata në rastin Ovcara.
Sipas aktakuzës, të pandehurit i rrahën dhe i vranë të burgosurit teksa ishin sjellë në fermën Ovcara më 20 dhe 21 nëntor 1991, pas rënies së Vukovarit.
Kjo ishte çështja më e madhe individuale për krimet e lidhura me Vukovarin që është ndekur penalisht para një gjykate serbe.
Oficerët e rangut më të lartë që janë dënuar për krime në lidhje me Vukovarin janë ish-oficerët e Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivancanin dhe Mile Mrksiç, të cilët u gjykuan para gjykatës së Hagës për krimet lufte.
Sljivancanin u shpall fajtor në 2007, por Gjykata e uli dënimin e tij nga 17 në dhjetë vjet burg në 2010. Ai u kthye në Beograd pasi kreu dy të tretat e dënimit të tij në 2011 dhe që atëherë ka krijuar një lidhje të ngushtë me Partinë Progresive Serbe në pushtet.
Mrksiç u dënua me 20 vjet burg në vitin 2007. Ai vdiq gjatë vuajtjes së dënimit në Portugali në vitin 2015./balkaninsight/
Rruga Press