Lajme

Sala: Shumica e marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë gjetur zbatim

Gentian Sala është emëruar koordinator i Sekretariatit Ndërqeveritar Shqipëri – Kosovë. Në një intervistë për KOHËN, Sala tha se marrëveshjet e nënshkruara në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive, më 26 nëntor 2021 në Elbasan dhe më 20 qershor 2022 në Prishtinë, kanë gjetur zbatim, pos 3 prej tyre që pritet të vihen në implementim të plotë

Të mërkurën u bë një vit nga funksionalizimi i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë, trupë që është formuar pas dakordimit të dy qeverive më 26 nëntor 2021.

Gentian Sala është emëruar koordinator i Sekretariatit Ndërqeveritar Shqipëri – Kosovë, pasi ka marrë bekimin e kryeministrave Edi Rama e Albin Kurti.

Në një intervistë për KOHËN, Sala tha se marrëveshjet e nënshkruara në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive, më 26 nëntor 2021 në Elbasan dhe më 20 qershor 2022 në Prishtinë, kanë gjetur zbatim, pos 3 prej tyre që pritet të vihen në implementim të plotë.

Ai ka thënë se janë evidentuar në total 126 marrëveshje të lidhura (pa përfshirë këtu marrëveshjet e dy mbledhjeve të fundit). Të raportuara pa problematika janë 75, ndërsa 2 kanë problematika në zbatim, 7 ndodhen në proces të ngritjes së grupeve të punës, 1 është e pazbatueshme, pasi bie ndesh me marrëveshjet e mëparshme, dhe 1 marrëveshje është zëvendësuar.

Sala është shprehur se angazhimi i radhës i dakorduar mes palëve dhe që është në finalizim e sipër është një: bashkimi i plotë doganor mes dy vendeve përmes vlerësimit të faktorëve për mundësinë e bashkimit doganor, planin e veprimit dhe procedurat përkatëse.

Sipas tij, në muajin shkurt është planifikuar të mbahet konferenca “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë”, me pjesëmarrje të nivelit të lartë politik, me përfaqësues të autoriteteve lokale dhe atyre të bizneseve.

KOHA: Kur ka filluar së funksionuari Sekretariati për Koordinimin e Marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri, i lansuar në Elbasan më 26 nëntor 2021?

Sala: Protokolli i bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar është nënshkruar më datën 26 nëntor 2021, dhe më tej është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr.733, datë 3.12.2021. Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar si strukturë në varësi të dy kryeministrave është funksionalizuar më datë 8.2.2022 me emërimin e koordinatorit ndërqeveritar, ndërsa emërimi i stafit ka zgjatur për disa muaj.

KOHA: A keni ndonjë bilanc të punëve të Sekretariatit për periudhën 1-vjeçare?

Sala: Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar, ndër të tjera, monitoron zbatimin e marrëveshjeve të lidhura mes palëve, dhe, prej fillimit të punës, ka ndjekur me prioritet proceset nga miratimi deri në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e dy qeverive zhvilluar më 26 nëntor 2021 dhe 20 qershor 2022. Informojmë se marrëveshjet e nënshkruara në dy mbledhjet e fundit të dy qeverive kanë gjetur zbatim, ndërkohë që 3 marrëveshje pritet të vihen në implementim të plotë. Pas funksionalizimit të Sekretariatit janë zhvilluar takime dhe komunikime zyrtare me ministritë e linjave dhe agjencitë përkatëse në të dy shtetet, me qëllim të vendosjes së linjave të komunikimit dhe të raportimit në mënyrë që të intensifikohet bashkëpunimi me to, ku marrëveshjet e nënshkruara të gjejnë zbatim dhe çdo problematikë të evitohet. Sekretariati ka zhvilluar takime dhe komunikime zyrtare me ministritë e linjave dhe me agjencitë përkatëse në të dy shtetet me qëllim të vendosjes së linjave të komunikimit dhe të raportimit, në mënyrë që të intensifikohet bashkëpunimi me to ku marrëveshjet e nënshkruara të gjejnë zbatim dhe çdo problematikë të evitohet.

Lexo më shumë  Kurti për regjistrimin e popullsisë: Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme për planifikimin e së ardhmes

KOHA: Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive mbajtur në Elbasan më 2021 dhe në atë të Prishtinës më 2022 janë firmosur disa marrëveshje. Sa prej tyre janë ratifikuar nga parlamentet respektive?

Sala: Në këto mbledhje në total janë lidhur 41 marrëveshje (qeveritare, ndërministrore dhe ndërinstitucionale). Nga këto, 5 marrëveshje kanë hyrë në fuqi pas ratifikimit të tyre nga Kuvendi, ndërsa pjesa tjetër ka hyrë në fuqi me nënshkrim. Marrëveshjet e ratifikuara me ligj të cituara më poshtë, kanë filluar nga zbatimi i tyre: Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare. (Ligji 22/2022); Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për sigurimet shoqërore (ligji nr. 23/2022); Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit. (Ligji 24/2022); Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave (Ligj nr. 26/2022); Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëfinancimin e projektit madhor në albanologji, Enciklopedia shqiptare. (Ligji nr. 80/2022).

KOHA: Çfarë ka bërë Sekretariati për çuarjen përpara të marrëdhënieve dhe lehtësimin e tregtisë midis Shqipërisë e Kosovës?

Sala: Fokusi i punës gjatë periudhës 1-vjeçare nga funksionimi i Sekretariatit është vendosur në tri drejtime: Marrëveshjet e nëntorit 2021 dhe qershorit 2022. Këto marrëveshje janë ndjekur me prioritet, duke u kujdesur për zbatimin e tyre të plotë nga palët. Pastaj, marrëveshjet e mëparshme Shqipëri – Kosovë. Jemi angazhuar të evidentojmë problematikat dhe të komunikojmë me autoritetet përgjegjëse për të gjetur zgjidhje. Si dhe idetë për marrëveshje të reja Shqipëri – Kosovë. Komunikim me të gjitha palët për idetë/draftet për marrëveshje të reja ndërmjet dy vendeve.

Marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e nëntorit 2021 dhe qershorit 2022 janë ndjekur me prioritet nga Sekretariati, duke filluar nga procesi i hyrjes në fuqi e deri te zbatimi i tyre. Sekretariati gjithashtu ka analizuar marrëveshjet e mëparshme, duke evidentuar në total 126 marrëveshje të lidhura (pa përfshirë këtu marrëveshjet e dy mbledhjeve të fundit). Të raportuara pa problematika janë 75, ndërsa 2 kanë problematika në zbatim, 7 ndodhen në proces të ngritjes së grupeve të punës, 1 është e pazbatueshme pasi bie ndesh me marrëveshje të mëparshme dhe 1 marrëveshje është zëvendësuar.

Lexo më shumë  Osmani takohet me zyrtarë të Qatar Development Fund, flasin për përkrahjen e invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së

KOHA: Cili është bashkëpunimi në fushën ekonomike e tregtare?

Sala: Bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtare është materializuar me lidhjen e marrëveshjeve në kuadër të unifikimit të tregjeve, rrëzimit të barrierave tregtare, rritjes së shkëmbimeve tregtare, ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike, etj. Fokusi i bashkëpunimit është nxitja dhe lehtësimi i tregtisë, bashkëpunim dhe ndihmë në çështjet doganore, bashkëpunim në fushën tatimore dhe fiskale, nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, nxitja e investimeve me përfitime të ndërsjella dhe krijimi i një klime të përçueshme për investimet. Në kuadër të bashkëpunimit për nxitjen e lehtësimin e tregtisë janë nënshkruar marrëveshje për njohjen e certifikatave veterinare, planeve kombëtare të monitorimit, unifikimin e dokumentacionit për produktet me origjinë joshtazore apo njohjen e analizave të laboratorëve të referencës. Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave doganore e datës 26 nëntor 2021 synon lehtësimin total të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave mes dy shteteve dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Në zbatim të saj, në muajin tetor të vitit 2022 , në Doganën e Durrësit është hapur Zyra doganore e Kosovës, ku kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Ndërsa më herët është hapur Zyra doganore e Kosovës, në Porto Romano. Në kuadër të implementimit të Marrëveshjes për zbatimin e lehtësirave në procedurat doganore, gjatë periudhës nëntor 2022 deri në mars 2023, Sekretariati Koordinues ka mbajtur dhe do të mbajë takime me përfaqësues të institucionit të doganave në Shqipëri dhe Kosovë. Në këtë periudhe do të zhvillohen edhe vizita në terren në pikat doganore Morinë -Vërmicë, si dhe në pikën doganore të Kosovës në Durrës, për t’u njohur me problemet që hasen në praktikë si nga përfaqësuesit e doganave, agjencitë doganore, si dhe nga operatorët ekonomikë. Marrëveshja për zbatimin e lehtësirave doganore prek edhe autoritete të tjera, sikurse është AKU-ja dhe AUV-i, të cilat pritet të institucionalizojnë më tej bashkëpunimin në funksion të lehtësimit të procedurave të kalimit të produkteve ushqimore etj.

KOHA: Përfaqësues të biznesit, kryesisht ato që ushtrojnë veprimtarinë në Kukës, shprehen për vështirësi në tregtinë mes dy vendeve. Terminalet private në Kosovë dhe skaneri në Shqipëri rëndojnë kostot e tyre. A është ndërmarrë ndonjë nismë për unifikim faturash?

Sala: Bëjmë me dije se angazhimi i radhës i dakorduar mes palëve, në marrëveshje të datës 20 qershor 2022, dhe që është në finalizim e sipër, është analiza tekniko-ligjore për mundësinë e një bashkimi të plotë doganor mes palëve përmes vlerësimit të faktorëve për mundësinë e bashkimit doganor, planin e veprimit dhe procedurat përkatëse; hartimin e studimit të kosto-përfitimeve për secilën palë. Po ashtu, në muajin shkurt është planifikuar të mbahet konferenca “Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë”, me pjesëmarrje në nivel të lartë politik, me përfaqësues të autoriteteve lokale dhe atyre të biznesit..Koha.net

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *