Rrustemi: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, moment historik e shumë i vlefshëm për qytetarët
Deputeti i Kosovës, Adnan Rrustemi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve në parlament, e ka vlerësuar maksimalisht, hapin e madh që ka bërë Kosova drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe tha se tashmë kanë mbetur edhe dy momente të fundit drejt anëtarësimit përfundimtar.
Rrustemi, i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, evidentoi rëndësinë që paraqet ky anëtarësim për popullin e Kosovës.
“Është një lajm i jashtëzakonshëm, lajm tepër i mirë, është moment historik, miratimi pothuajse në mënyrë bindëse i raportit të Raportueses së Këshillit të Evropës për Komitetin për Politikë dhe Demokraci, – tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje. – Tashmë kanë mbetur edhe dy hapa, edhe dy faza deri në anëtarësimin përfundimtar të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky votim i ka hapur rrugën, votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës që pritet të ndodhë më 15 prill, ndërkohë që në maj do të diskutohet e merret vendimi nga Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës.”
“Anëtarësimi i Kosovës do të ishte një arritje e jashtëzakonshme në radhë të parë për shtetin e Kosovës, për afirmimin e shtetit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Padyshim do të ishte shumë i vlefshëm për qytetarët e republikës në kuptimin e ofrimit të qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut sikurse do të fuqizonte demokracinë në Kosovë, shtetin e së drejtës e po ashtu zgjedhjet e lira dhe të ndershme.”
“Në këto zhvillime që po ndodhin në rajon e më gjerë, në kontekstin e luftës në Ukrainë, mendoj se është një mesazh i mirë për shtetet demokratike të orientuara drejt Perëndimit, por edhe për shtetet ose vendet që luftojnë krimin, korrupsionin dhe e kanë vendosur si prioritet mbi çdo prioritet tjetër, shtetin e së drejtës dhe luftimin e korrupsionit.
Kosova po kalon nëpër një fazë sa të vështirë, në kuptimin e përballjes me Serbinë, me kërcënimet që paraqet Serbia në drejtim të integritetit dhe sovranitetit të Kosovës – por në anën tjetër po kalon një fazë të jashtëzakonshme të konsolidimit të shtetit në planin e brendshëm, qoftë në shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, administrimin e territorit në përputhje me Kushtetutën, po ashtu në ndalimin e luftimit të korrupsionit, për një qeverisje të ndershme, të drejtë të bazuar në ligj dhe një qeverisje demokratike.
Kosova është vendi më demokratik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aktualisht ka një qeveri që e ka përkushtim, respektimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit mbi bazën e modeleve më të mira që ka prodhuar vetë Evropa përmes Këshillit të Evropës,” theksoi deputeti Adnan Rrustemi
Rruga Press