Bota

Mediat e huaja: Vuçiqi me mesazhe agresive dhe ogurzeza kundër Kosovës

Mesazhi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në “Instagram”, ku thotë: “Serbinë e presin kohë të vështira. Por, ne do të luftojmë dhe Serbia do të fitojë”, është komentuar sot nga shumë media gjermanofone.

Emëruesi i përbashkët i artikujve dhe komenteve për këtë mesazh është cilësimi i tij si tejet “agresiv” në adresë të Kosovës dhe shteteve që po e mbështesin Kosovën.

Gazeta zvicerane “Blick”, e ka cilësuar  “mesazh ogurzi” dhe kërcënues postimin e presidenti serb Vuçiq në “Instagram”, duke nënvizuar se “Djalli zjarrvënës serb, po dëshiron t’i vë përsëri flakën Kosovës”.  “A po paralajmëron një luftë të re ballkanike dhe kujt po ia vringëllon shpatën presidenti seb Vuçiq?”, pyet “Blicku” zviceran, transmeton Radio Kosova.

Njësoj pyet edhe portali gjerman “DerWesten”: A po e shpall presidenti i Serbisë një luftë të re ballkanike?  “DerWesten”, e cilëson mjaft misterioz postimin e presidenti serb Vuçiq në Instagram.

Presidenti Aleksandër Vuçiq po shkakton nervozizëm dhe tension shtesë në rajon. “Postimi misterioz në Instagram, lë vend për lloj-lloj spekulimesh”, theksohet në artikull.

“Një fushë betejë e dytë në Evropë? Kjo do të ishte një front i dytë që do t’i vinte në ndihmë Putinit. Aleati i saj, Serbia, duket se po përgatitet për një konflikt ushtarak”, shkruan “DerWesten.”

Vuçiq flet për “ditë të vështira” përpara Serbisë. Ai shkroi se në 48 orët e fundit kishte marrë lajme se “do të kërcënohen drejtpërdrejt interesat jetike kombëtare të Serbisë”, shkruan “DerWesten.”

Lexo më shumë  Shefi i NATO-s fluturon me aeroplan ushtarak mbi Gjermani

Duke komentuar mesazhin e publikuar të Vuciqit, gazeta shkruan se “Presidenti serb pritet, që ditët në vijim t’i drejtohet popullit serb për ta njoftuar me sfidat që e presin Serbinë”.  Gazeta shkruan se “vendimi pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në KiE ka acaruar Vuçiqin,  i cili ka kërcënuar se nëse Kosova anëtarësohet në Këshillin e Evropës, Serbia do të largohet nga kjo organizatë”.

Gazeta përmend aktin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, teksa nënvizon se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mjaft të shqetësuara për veprimet e Serbisë”, transmeton Radio Kosova.

“Një përshkallëzim në Ballkan do të shkonte në interes të Putinit, i cili do të fërkonte duart, derisa NATO-ja, do të sfidohej në këtë rajon. Do të kishte më shumë dhunë dhe paqëndrueshmëri në Evropë”, shkruan DerWesten.

Edhe “Frankfurter Rundshau”, shkruan për kërcënimet e presidentit Vuçiq.

Ky medium i njohur gjerman, shprehet kundër ledhatimit që BE-ja, po i bën Vuçiqit për ta larguar nga krahët e Rusisë dhe Kinës. “Të gjitha këto përpjekje po bien në ujë”, thekson “Frankfurter Rundshau”, duke shtruar pyetjen: “A ia vlen që Bashkimi Evropian të zgjerohet me vende si Serbia, që ka një president si Aleksandar Vuçiq, ndaj të cilit të gjitha vendet e BE-së, kanë rezerva ndaj tij?”

“Frankfurter Rundshau”, citon nënpresidenten e Parlamentit Evropian Katarina Barley, t’i ketë thënë këtij mediumi se “Kompromiset mes BE-së, dhe autokratëve si Vuçiq, janë humbje kohe” sepse  “zgjerimi i BE-së, është “një mundësi për të promovuar paqen, lirinë dhe prosperitetin në Evropë”.  Politikania gjermane nga radhët e SPD-së, partisë që qeverisw aktualisht në Gjermani, Berly, kritikon Komisionin Evropian që për mosmarrëveshjen ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, shtatorin e kaluar, Komisioni në mënyrë të njëanshme vendosi sanksione vetëm kundër Kosovës, duke dërguar kështu sinjale të gabueshme.

Lexo më shumë  Komisioni Evropian rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta, premton miliona euro për Gazën

Një media tjetër gjermane “Merkur.de”, komenton postimin e një fotografie të presidenti Vuçiq me djalin e tij në rrjetet sociale: “ Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka postuar dje një fotografi në Instagram me djalin e tij Danilo, i veshur me një bluzë me konturet gjeografike të Kosovës në ngjyrat e flamurit serb me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.

“Një orë para se të postonte foton me djalin e tij, Vuçiq ka shkruar në Instagram për “ditët e vështira” që e presin Serbinë. “Në këtë moment  nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lajmi kemi marrë në 48 orët e fundit… Kjo kërcënon drejtpërdrejt interesin tonë kombëtar, si atë të Serbisë ashtu edhe të serbizmit. Në ditët në vijim do t’ia prezantoj popullit serb sfidat  që e presin. Do të jenë të vështira, por ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”, sjell në tërësi citatin e postuar të presidentit Vuçiq, “Merkur.de.

Me të tilla postime, Vuçiq nxit spekulimet në rrjetet sociale. “Sfondi mund të jetë anëtarësimi i mundshëm i Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan portali “Merkur.de”.

Rruga Press

YouTube player