EditorialKryesore

Rrugës drejt partisë-shtet; Partia Socialiste sponsorizon në facebook iniciativën e Kryeministrit

Qeveria e Shqipërisë në vitin 2022 e ka nisur me një propozim, që të këshillohet me popullin në lidhje me politikat sociale, çështje penale, ekonomike, shëndetësore, juridike, etj. Këtë proces e ka quajtur Këshillimi Kombëtar.

Nëse jetoni në Shqipëri ka shumë mundësi që në shtëpinë tuaj të ketë ardhur një letër e këtij “këshillimit”, të cilën supozohet se qytetarët duhet ta plotësojnë dhe t’ia nisin kryeministrit Rama, i cili mezi po pret të dëgjojë popullin.

Veç të tjerash, kryeministri Rama dëshiron të këshillohet me popullin edhe për projektin Open Balkan, pavarësisht se ajo marrëveshje ndërshtetërore u nënshkrua dhe hyri në fuqi në Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. A thua nëse qytetarët shprehen se nuk i pëlqen Ballkani i Hapur kryeministri Rama do e tërheqë Shqipërinë nga ky projekt? Sigurisht që jo. Më së pari, sepse ata që janë kundër atij projekti, ata që janë kundër gjithë aferave dhe qeverisjes së Ramës, as që do e marrin mundimin të këshillojnë kryeministrin, i cili mund ta kuptonte fare lehtë se çfarë duan qytetarët nëpër protesta të cilat ai i shtyp me dhunë direkte dhe indirekte. Të gjithë e dinë, edhe kryeministri Rama, se “këshillimi” është vetëm një farsë e radhës.

Ky këshillim është në vazhdën e tentativës së z. Rama që të zhdukë opozitën dhe çdo zë opozitar në vend. Një “Këshillim Kombëtar” i kontrollueshëm fare lehtë vetëm sa legjitimon çdo dëshirë e tekë të bërë projekt të kryeministrit, e nga ana tjetër, pjesëmarrja e qytetarëve në këshillim të qeverisë sa i përket disa çështjeve jokruciale, e bën popullin e shpikur të Ramës të duket opozita dhe qeveria e vërtetë, kurse vetë ai një lider gjithëpërfshirës që kujdeset për interesin publik, kur në fakt është pikërisht e kundërta, lider klanor që i prin interesave klanore politiko-biznesore.

Lexo më shumë  Bislimi: Lajçaku doli me propozim të ri, Serbia vazhdoi “lojën”

Nëse jetoni në Shqipëri dhe keni një llogari në facebook ka mundësi që t’iu jetë paraqitur një video e sponsorizuar e kësaj iniciative me emrin Këshillimi Kombëtar.

Iniciativa është e kryeministrit dhe qeverisë, por pse sponsorizimi i iniciativës në facebook po bëhet nga faqja zyrtare e Partsë Socialishte? A nuk do të duhej që këtë sponsorizim ta bënte faqja zyrtare e kryeministrisë apo kryeministrit? Kryeministria dhe kryeministri në parim i përkasin të gjithë qytetarëve si institucione publike, kurse Partia Socialiste është e antarëve të saj, maksimumi edhe e votuesve të saj më pasionantë dhe nuk përbën institucion publik.

Dikush mund të thoshte se kjo është diçka e dobishme, sepse paratë që do i harxhonte kryeministria për sponsorizimin e iniciativës së Këshillimi Kombëtar po i harxhon Partia Socialiste. Kjo shumë parash që po harxhon Partia Socialiste, pak mijë dollarë, nuk përbën për të asgjë që e rëndon financiarisht. Vetëm me një aferë të zakonshme të njërit prej ministrave të qeverisë Partia Socialiste do të mund të bënte sponsorizim të ndonjë materiali në facebook për një shekull, pa asnjë ndërprerje. Por, kjo nuk është çështja.

Partia Socialiste tanimë nuk është thjesht një parti, ajo po kthehet në partinë-shtet. Kryeministri Rama nuk është thjesht kryeministër, ai është kryeministri i një vendi ku partia-shtet dhe kryetari i saj ka kapur thuajse gjithkënd dhe thuajse gjithçka.

Në këtë pikë fakti që Partia Socialiste sponsorizon iniciativa në emër të qeverisë dhe kryeministrit nuk përbën më skandal. Çka bën qeveria është e partisë, çka bën partia është e qeverisë.

Duke qenë se në Shqipëri Partia Socialiste ka për të qenë gjithnjë në pushtet, edhe kur kryeministër të jetë Lulzim Basha, normalizohet logjika se PS-ja dhe qeveria janë diçka thuajse identike.

Faqja zyrtare e Partisë Socialiste në Facebook sponsorizon iniciativën qeveritare të Këshillimit Kombëtar

E nga ana tjetër, kur një përdorues facebooku shikon se ekziston një lidhje mes Këshillimit Kombëtar dhe Partisë Socialiste, ky nuk është tashmë sponsorizim që PS-ja i bën Këshillimit Kombëtar, por Këshillimi Kombëtar që bëhet sponsorizues për PS-në. Atë që e bën kryeministria e kapitalizon në funksion elektoral Partia Socialiste.

Ky sponsorizim i iniciativës qeveritare nga faqja e një partie do të duhej të merrte përgjigje të forta qytetare dhe mediatike, kundrejt partisë-shtet që tashmë nuk ka as kortezinë minimale që pisllëqet t’i bëjë fshehurazi. Jemi në fazë kur paturpësia dhe krimi po bëhet hapur, e ky nuk është lajm aspak i mirë.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *