Art & Kulturë

Rrezikojnë të zhduken gati një mijë e 500 gjuhë në botë

Sa më shumë rrugë që lidhin zonat rurale me ato urbane, aq më shumë mund të ketë gjuhë të rrezikuara, thuhet në një studim ekspertësh australianë.

Në botë sot ekzistojnë 7 mijë gjuhë të njohura, por disa prej tyre mund të zhduken përgjithmonë, janë konstatimet që i ka nxjerrë studimi.

Sipas gjetjeve, gjysma e gjuhëve janë në rrezik, e 1 mijë e 500 prej tyre mund të zhduken plotësisht deri në fund të këtij shekulli.

“Pa ndërhyrje, humbja e gjuhëve mund të trefishohet në 40 vjetët e ardhshme me humbjen e një gjuhe në muaj”, kanë shkruar autorët e studimit. Këshillojnë futjen e planprogrameve që përkrahin arsimimin dygjuhësh dhe nënvizojnë si zotërimin e gjuhës autoktone, po ashtu edhe përdorimin e gjuhëve dominuese në rajone të caktuara.

Studimi që është udhëhequr prej Universitetit Kombëtar të Australisë është botuar në revistën online “Nature Ecology and Evolution”.

Hulumtuesit kanë gjetur disa shkaqe të papritura që i “kërcënojnë” gjuhët, ka thënë bashkautori Lindell Bromham, e në mesin e tyre është edhe rrjeti mirë i zhvilluar i rrugëve.

“Kemi konstatuar se sa më shumë rrugë që lidhin zonat rurale me ato urbane, fshatrat me qytete, aq më shumë do të kemi gjuhë të rrezikuara. Duket sikur rrugët u ndihmojnë gjuhëve dominuese që t’i shkelin gjuhët e vogla”, ka thënë ai. “Kur gjuha humbet apo ‘fle’ – siç themi ne për gjuhët që nuk kanë folës – humbasim shumë diversitete kuturore. Çdo gjuhë është brilante në mënyrën e vet”, ka thënë Bromham.

Shumë gjuhë, për të cilat mendohet se do të vdesin deri në fund të shekullit, janë ende në përdorim.

“Pra ende ekziston mundësia që të përkrahen komunitetet që t’i revitalizojnë gjuhët autoktone e që të fuqizohen për gjeneratat që vijnë”, ka thënë Bromham.

UNESCO-ja ka shpallur dhjetë vjetët e ardhshme (2022-2032) dekadë të gjuhëve autoktone e me këtë synon të mbrojë diversitetin gjuhësor e të fuqizojë të drejtat e njeriut te komunitetet pakicë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *