Lajme

“Rrezik kolapsi”, organizatat shoqërisë civile oponencë Hartës së re Gjyqësore

Nëntë organizata të shoqërisë civile në fushën e ligjit dhe të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë që të rishikojnë hartën e re gjyqësore për të shmangur sipas tyre kolapsin e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Draft-projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor për një hartë të re gjyqësore që parashikon përgjysmimin e gjykatave ka sjellë kundërshtimin e organizatave të shoqërisë civile. Nëntë organizata bënë të premten një deklaratë publike dhe parashtruan oponencën e tyre për këtë hartë duke dhënë zgjidhje ligjore për të gjitha problematikat e hasura në projekt.

Harta e re ka ardhur si pasojë e boshatisjes së gjykatave nga vetingu i gjyqtarëve dhe për të krijuar balancim mes numrit të gjyqtarëve të mbetur në detyrë me numrin e madh të çështjeve që presin për gjykim. Harta parashikon mbylljen e 19 gjykatave nga 38 që janë gjithsej duke i organizuar 12 gjykatat që mbeten në nivel qarku. Parashikohet një gjykatë apeli nga 6 që janë dhe 3 gjykata administrative të shkallës së parë.

Grupimi i organizatave të shoqërisë civile që ka nënshkruar këtë deklaratë vlerëson në parim se ri-organizimi i gjykatave dhe kompetencave të tyre tokësore është i rëndësishëm dhe duhet të ketë parasysh “rritjen e aksesit, cilësisë dhe reduktimin e kostove për qytetarët në marrjen e drejtësisë dhe në respektim të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor”.

Lexo më shumë  Këlliçi: Për pak javë karriera politike e Veliajt do mbyllet

“Ndryshe nga këto pritshmëri, organizatat vlerësojnë se “procesi i konsultimit të hartës së re gjyqësore duhet të kishte filluar që në fazën e ideimit të saj”, duke kërkuar që konsultimi në këtë fazë të mos jetë formal por të garantojë mundësi reale dëgjimi dhe reflektimi.

Sipas tyre, harta e re gjyqësore duhet të marrë për bazë nevojat e komunitete qytetare, “disa prej të cilave ndodhen më në vështirësi, sidomos me kategori të veçanta sociale si minoriteti Rom dhe Egjiptian, gratë në nevojë, të rinjtë dhe të miturit, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, komuniteti LGBTI, qytetarët në pamundësi ekonomike, shtetasit e privuar nga liria, etj”.

Po ashtu sipas tyre, “duhet vlerësuar shpërndarja dhe përqëndrimi i popullatës në njësitë administrative të secilës bashki, në analizën e munguar për mënyrën e shpërndarjes së gjykatave në kuadër të këtij ri-organizimi”. Një nga problematikat është largësia gjeografike që shumë qytetarë kanë me gjykatat dhe mundësitë e kufizuara të transportit. “Për një vend, i cili sipas të dhënave të INSTAT, 49% e popullsisë jeton në minimumin jetik, tregues të tillë janë thelbësor për t’i dhënë kuptim të drejtës dhe parimeve kushtetuese të barazisë përpara ligjit”- theksojnë në oponencën e tyre këto organizata.

Lexo më shumë  Qeveria e re e Serbisë, komenton Biserko: Po shkon drejt izolimit

Duke i dërguar grupit të hartimit të hartës oponencën e tyre të detajuar për zgjidhjen e këtyre problemeve organizatat vlerësojmë se rishikimi i saj “është i domosdoshëm për të shmangur rrezikun e kolapsit sa i takon aksesit që qytetarët duhet të kenë në organet e drejtësisë”.

Organizatat nënshkruese të deklaratës janë; Civil Rights Defenders (CRD); Fondacioni Shqipëtar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF); Instituti për Studime Politike (ISP);Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT Albania); Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ);6. Qendra Europiane; Qendra e Studimit të Politikave Evropiane për Zhvillimin Rajonal dhe Lokal; Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *