KryesoreOpinion/Aktualitet

Rrënimi i ekonomive lokale, pjesë e rrënimit ekonomik të vendit

Shkruan Sokol Kolgjini

– Ka vite që diferenca në çmimin e karburanteve midis Shqipnisë dhe shteteve kufitare asht e konfirmueme dhe me rritje progresive vit pas viti. Shkak kryesor për kët diferencë asht taksa e qarkullimit, vendosë në bazë të ligjit 157/2014 e cila e rrit çmimin e karburantit me 32.40 lek për litër. Kjo taksë krijon diferencën kryesore sepse këtë takse nuk e ka asnjë vend tjetër veç nesh. Duke shtue këtu edhe gjashtë taksat e tjera që ne kemi mbi karburantet, e bajnë këtë produkt ma të shtrenjtin në rajon. Për qytetet kufitare, fillimisht ky u duk si favorizim, por për shkak të pasojave negative me efekt zinxhirë që jep karburanti, ky u kthye në bumerang, të cilin do e spjegojmë ma poshtë.

– Shkallëzimi i taksimit që aplikohet nga vendet e rajonit, veçmas ai i TVSH-së, krijon një diferencë të ndjeshme në çmimet e produkteve krahasimisht me ato të vendit tonë. Kryesisht kjo ndodh për produktet bujqesore, blegtorale dhe në ushqimet e shportës të cilat tatohen nga 12 deri në 14% më pak se tek ne. Për pasojë, kjo sjell çmime ma të shtrenjta në tregun tonë, progresivisht nga 14-18% për këto produkte. Kjo diferencë, jo vetëm qe favorizon këto produkte në vendet kufitare qe të jenë të pa konkurueshem në tregjet e tyne, por edhe stimulon blerjen nga klientë të qyteteve tona kufitare, gja e cila vendos në krizë edhe rrjetin tregëtar vendas.

Lexo më shumë  Kurti: Arritje e jashtëzakonshme, bashkimi politik shqiptarë po shndërrohet në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar

– Për me plotësue tablonë, goditjen finale e jep çvleftësimi i valutës dhe forcimi fiktiv i lekut. Efekti kryesorë i tij asht tek prodhuesi. Së pari, ky çvleftësim ka çue në falimentimin e bizneseve eksportues të cilët sillnin valutë të pastër brenda vendit. Së dyti, ka shkaktue ranien e interesit për prodhimin vendas pasi produkti i importit ofrohet me çmim ma të lire kur blihet në euro, pikërisht për shkak të ranies së saj fiktive.

Të tre këto probleme së bashku, duke amplifikue njani-tjetrin na çojnë në një situatë të cilën, për thjeshtësim, po e konkretizojmë me atë që po ndodh në fakt:

Një qytetar i Shkodrës, Tropojës, Hasit, Kukësit, Peshkopisë … e deri te i Pogradecit e Sarandës shkon në qytetin e tij kufitar për me ble naftën qe e ka 40-50 lek/litër ma lirë dhe me diferencën e mbetun (të fitueme) blen edhe ushqimet baze për familjen e vet, të cilat edhe këto i ka ma lirë, për arsyet që renditëm ma nalt.

E, nëse do bajmë një konkluzion përmbledhës, se ku na çon kjo situatë e krijueme, at’here mund të themi se ne po kthehemi në një vend që nuk prodhon asgja, nuk krijon të ardhuna nga asgja, nuk tregton asgja por vetëm konsumon. E kjo nuk mund të zgjase shume.

Lexo më shumë  Prokuroria merr kamerat e Bankës së Shqipërisë për të gjetur policin që qëlloi Erjon Vishkullin, po hetohet edhe rreth dyshimeve për përdorimin joproporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit ndaj protestusve 

Kjo sepse:

-Ne na ofrohet karburanti, energjia e zhvillimit të një ekonomie me mbitaksime dhe çmim shumfish mbi rajonin.

-Taksohemi padrejtësisht, jo propocionalisht me ekonominë tonë dhe ma shumë se rajoni.

-Kemi vlersim fiktiv të lekut e valutës dhe për pasojë vlerë fiktive të punës, të pagës, të aseteve dhe të gjithë ekonomisë.

Prandaj te ne po falimenton eksportuesi; po demotivohet prodhuesi; -po favorizohet importi; -dhe shkatrrohet rrjeti tregëtar.

A po ndodhin të gjitha këto për shkak të injorancës së pushtetarëve?! Të papërgjegjshmërisë?!Të babzisë?!

Nuk e di!!!

Sokol Kolgjini

Rruga Press

YouTube player