Kuriozitete

Robotë që riprodhohen

Shkencëtarët amerikanë që krijuan robotët e parë të gjallë, thonë se këto forma të jetës, të njohura si ksenobotë, tani mund të riprodhohen.

Të formuara nga qelizat burimore të bretkosës afrikane me kthetra (Xenopus laevis) nga e cila kanë marrë emrin, ksenobotët janë më pak se një milimetër (0,04 inç) të gjerë. Këto gjallesa u zbuluan për herë të parë në vitin 2020 pasi eksperimentet treguan se ato mund të lëviznin, të punonin së bashku në grupe dhe të vetë-shëroheshin.

Shkencëtarët që i zhvilluan ato në Universitetin e Vermontit, Universitetin Tufts dhe Institutin Wyss për Inxhinierinë e Frymëzuar Biologjikisht të Universitetit të Harvardit thanë se kanë zbuluar një formë krejtësisht të re të riprodhimit biologjik të ndryshëm nga çdo kafshë apo bimë e njohur për shkencën.

Robot apo organizëm?

Qelizat staminale janë qeliza të paspecifikuara që kanë aftësinë të shndërrohen në lloje të ndryshme qelizash. Studiuesit arritën t’i prodhojnë ksenobotët duke gërvishtur qelizat burimore të gjalla nga embrionet e bretkosave dhe duke i lënë në inkubator, pa ndërhyrë te gjenet.

“Shumica e njerëzve mendojnë për copa metali dhe plastike kur është fjala për robotët. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë aq shumë me atë nga e cila përbëhet një robot, sesa me atë që bën një i tillë,  i cili vepron vetë në emër të njerëzve”, citohet nga CNN Josh Bongard, profesor i shkencave kompjuterike dhe robotikës në Universitetin e Vermontit dhe autori kryesor i studimit.

Ksenobotët, të cilët fillimisht ishin në formë sfere dhe të përbërë nga rreth 3 000 qeliza, mund të shumohen. Por kjo ndodhte rrallë dhe vetëm në rrethana specifike. Ksenobotët përdorën “përsëritjen kinetike” — një proces që dihet se ndodh në nivel molekular, por nuk është vërejtur kurrë më parë në shkallën e qelizave ose organizmave si të tilla.

Me ndihmën e inteligjencës artificiale, studiuesit më pas testuan miliarda forma trupore për t’i bërë ksenobotët më efektivë në këtë lloj replikimi. Superkompjuteri doli me një formë C-je që i ngjante Pac-Man, video-lojë e viteve 1980. Ata zbuluan se kjo ia dilte të qindra qeliza burimore dhe disa ditë më vonë tufa e qelizave shndërrohej në ksenobotë të rinj.

Ksenobotët janë teknologji shumë e hershme – kini parasysh këtu një kompjuter të viteve 1940 — dhe nuk kanë ende ndonjë aplikim praktik. Megjithatë, ky kombinim i biologjisë molekulare dhe inteligjencës artificiale mund të përdoret potencialisht në shumë aspekte. Kjo mund të përfshijë mbledhjen e mikroplastikës në oqeane, inspektimin e sistemeve të rrënjëve dhe mjekësinë rigjeneruese.

Hulumtimi u financua pjesërisht nga Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes, agjenci federale që mbikëqyr zhvillimin e teknologjisë për përdorim ushtarak.

Studimi u botua në revistën shkencore PNAS të hënën./res/

RrugaPress

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *