Gjeopolitikë

Risia Donald Trump/Përmbysja e trashëgimisë amerikane

Risjellim në vemendje një shkrim të botuar para dy vitesh nga Prof.Hysamedin Feraj mbi kontekstin gjeopolitik dhe qëndrimet e ish presidentit amerikan Trump si dhe mbi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Trashëgimia amerikane që don ta përmbysë Trump është si ajo republikane ashtu dhe ajo demokrate:

I.

Në Kosovë:

1. Të George H.W. Bushit:

Bushi, i vjetri, i vendosi Serbisë vija të kuqe në mbrojtje të Kosovës; kur i shkeli, i vendosi sanksione Serbisë;

Trump i vendosi Kosovës vija të kuqe në mbrotje të Serbisë; kur i shkeli i vendosi sanksione Kosovës;

2. Të Clintonit:

Clintoni urdhëroi ndërhyrjen e armatosur të NATO-s kundër Serbisë;

Trump ka shumë gjasë t’i ketë kërkuar falje Serbisë për ndërhyrjen e NATO-s, ndonëse kur gjeti kundërshtim të gjerë kudo, e mohoi. Politika e sotme e tij ndaj Kosovës bën të besueshme “rrenën serbe”.

3. Të George W. Bush:

Bushi, i riu, shpalli nga Shqipëria de facto pavarësinë e Kosovës për SHBA-të;

Trump ndonëse ende jo de jure, de facto nuk po i njeh Kosovës të drejtat ndërkombëtare që i takojnë shtetit sovran, siç e ka njohur SHBA para Trumpit;

II.

Në botë:

1. Të Reaganit:

– Reagan e mendonte për rival kryesor në sistemin politik botëror Bashkimin Sovjektik të dominuar nga Rusia (“perandoria e së keqes”);

Trump e mendon Rusinë aleatin kryesor kundër Kinës dhe Bashkimit Europian;

– Reagani e përforcoi NATO-n me programin e “luftës së yjeve” ndaj rivalit rus;

Trumpi po e dobëson NATO-n bash siç i pëlqen Rusisë;

– Reagani i kërkoj Rusisë të shembë Murin e Berlinit, e kështu i hapi rrugën bashkimit të Gjermanisë;

Trumpi i kërkoi aleancë Putinit kundër Gjermanisë sepse i kujtoka Hitlerin! Putini iu përgjigj duke ia kujtuar bashkëpunimin e herëshëm të Roosevletit me Stalinin si shëmbëlltyrë për atë të sotmin ndërmjet Trumpit me Putinin;

2. Të George H.W. Bushit:

– Bushi, i vjetri, synoi të kap rastin e rënies së BS për krijimin e një sistemi ndërkombëtar unipolar me SHBA si fuqia e vetme më e madhe;

Trumpi ringjalli teorinë maoiste të tri botëve:

Bota e parë: SHBA dhe Rusia;

Bota e dytë: BE dhe veçanërisht Gjermania;

Bota e tretë: Kina.

Po sipas Maos, Trumpi e përfytyron botën e parë në luftë kundër botës së dytë e të tretë, ose anasjelltas, ndarje që ndoshta çon në aleancën e botës së dytë e të tretë kundër të parës, saktësisht siç thoshte Mao.

– Bushi, i vjetri, në fillim të ’90 u gjend në krah të Kuvajtit, aleatit shumëevjeçar të SHBA-ve, kundër Irakut, aleatit shumëveçar të Russië;

Trumpi në fund të vitit 2018 vendosi braktisjen e aleatëve të vetë shumëvjeçar në fushëbetejën e Sirisë për ta lënë të qetë në pushtet aleatin shumëvejçar të Rusisë;

3. Të Clintonit:

Clintoni e kërkoi dhe e realizoi ndërhyrjen e armatosur të NATO-s kundër ushtrisë gjenocidale të Serbisë, e njohur si ushtari i Rusisë në Europën Juglindore, dhe e zgjeroj e përforëcoj në Europën qendrore e Lindore.

Trumpi, siç e thamë, po e dobëson NATO-n saktësisht siç e dëshiron Russia dhe Putini;

4. Të George W. Bushit:

Bushi, i riu, e klasifikoi Korenë e Veriut, atë aleat shumëvjeçar të Rusisë, në “boshtin e së keqes”;

Trumpi i ofroi Koresë së Veriut miqësinë e tij dhe diktatorin Kim Jong-un e quan “miku im” (my friend”).

III.

Qëndrimi prorus i Trumpit është rezultat i përfytyrimi prej tij të situatës së botës dhe vendit të SHBA-ave në të:

Për neoliberalët si Trumpi, ashtu si për marksistët, vendimtare është ekonomia, dhe brenda saj prodhimi. Kina dhe BE janë konkurentët kryesor ekonomikë ndaj SHBA-ve sepse janë prodhues të mëdhenjë dhe fuqi ekonomike. Rusia, e shikuar ekonomikisht, nuk është rival ekonomik i SHBA-ve sa BE dhe Kina. Prandaj, sipas besimeve të tij “ideologjikë”, me të drejtë, nga Trumpi Rusia nuk është rrezik për SHBA-të dhe, përkundrazi, mund të përdoret si aleat për dobësimin e BE e të Kinës.

Mirëpo si biznesmen, Trump nuk e njeh as Rusinë dhe as Putinin. Fuqia e Rusisë dhe rivaliteti i fuqishëm për shumë shekuj i saj në sistemin politik botëror asnjëherë nuk është mbështetur në fuqinë e saj ekonomike, por atë shtetërore. As marksizmi rus, sipas leninizmit, nuk i njeh rolin vendimtar ekonomisë por, përkundrazi, shtetit dhe partisë i njeh rolin vendimtar ndaj ekonomisë dhe për ndërtimin e saj. Prandaj, pikërisht pse Putini vjen nga ai regjim, fuqinë e Rusisë në sistemin politik ndërkombëtar nuk e mbështetë në ekonominë sa në fuqinë e saj si shtet. Me durimin karakteristik rus, shtetari Putini mund të pres veç çastin e duhur për me i dhënë SHBA-ve kundërgoditjen e papritur, të cilën nuk mundet ta kuptojë biznismeni Trump.

Atë e kuptojnë si republikanët, si demokratët shtetarë amerikanë. Prandaj kundër “politikës” së Trumpit në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkohen si Bushët ashtu dhe Clintonët, si republikanët ashtu dhe demokratët, si të djathtët ashtu dhe të majtët.

V.

Disa shqiptarë kanë besuar se Trumpi është nacionalist amerikan, dhe kanë shpresuar se, si i tillë, do të jetë kundër Rusisë e në favor të nacionalizmit shqiptar. Me sa duket kanë menduar gabimisht se çdo nacionalizëm në botë është antirus! Sigurisht ky është përfundim i nxituar dhe i shkrutër, siç do të emërtohej mes gabimeve logjikë. Ndërkaq, nga përvoja mund të dijmë se territoret shqiptare janë copëtuar pikërisht në epokën e Europës së kombeve (“L’Europe des nations”), siç u quajt shekulli XIX dhe fillimi i shek. XX për Europën, por kur shumë kombe të mëdha u bënë me Rusinë e Serbinë kundër nesh.

Njësoj si Franca atëherë, Trumpi sot e shikon Rusinë si aleat të nacionalizmit amerikan kundër BE, veçanërisht kundër Gjermanisë dhe Kinës. Dhe ashtu si Franca atëherë është e kuptueshme dhe e pritshme, që pikërisht pse nacionalist amerikan, Trumpi të bashkohet me Rusinë e aleatët e saj, mes të cilëve Serbia, kundër interesave tona kombëtare që janë të determinuara me qenë antiruse.

V.

Siç shihet, dhe siç po e shohin të shqetësuara elitat tradicionale amerikane, Trumpi i ka përmbysur SHBA-të.

E tani, për “pro-amerikanët” e pakusht shqiptarë shtrohen pyetje:

Me cilën Amerikë janë? Me atë të Bushit dhe të Clintonit (madje të Reaganit)? Apo me të Trumpit që kërkon të zhbëj trashëgiminë e tyre?

Në trashëgiminë e tyre është rënia e Rusisë (Reagan), çlirimi i Kosovës (Clinton), dhe pavarësia e Kosovës (Bush). Prandaj, si pro-trumpistë, pro-amerikanëve të sotëm shqiptar iu kërkohet të zhbëjnë këtë trashëgimi: rënien e komunizmit rus, çlirimin, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Vërtetë këtë po bëjnë.

(P.S.: për secilën prej pikave të mësipërme mund të jepen citate e referenca “pa fund”, nga politikanë dhe studuies me famë botërore, por ky nuk është veçse “abstrakti” i një artikulli shkencor).

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *