KryesoreOpinion/Aktualitet

Ringjallja e rivalitetit shekullor serbo-shqiptar në dritën e zhvillimeve në Ukrainë

Abstrakt
Kjo analizë shqyrton implikimet e mundshme të rikthimit të luftës në Kosovës dhe në Ballkanin Perendimor si tërësi për politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Parandalimi i luftës vë në pah nevojën për të kaluar Perendimi nga paradigma e operacionit të menaxhimit të krizës, në një qasje të re ndërveprimi. Duke pasur parasysh përparësinë e NATO-s në këtë plan, në analizë është trajtuar nevoja që kemi ne si Republikë për trajtimin dhe rivlerësimin e politikave të BE-së në raport me Ballkanin Perendimor, me qëllim të rrumbullaksojmë projektin nacional në fushën e zhvillimit të aftësive mbrojtëse, teknologjisë dhe prokurimit të armëve.
Shndërrimi i Ballkanit nga një “Fuqi baroti” në një zonë paqeje dhe progresi, do të ishte kontribut indirekt i prosperimit të BE-së në rrafshin strategjik e politik dhe i përballjes me zhvilimet e pritshme në Ukrainë.

Nga Sadri Ramabaja

Analiza
Lufta në Ukrainë ka shpërfaqur peshën politike të Ballkanit Perendimor dhe në këtë kuadër sidomos të Kosovës – duke e rikthyer vëmendjen e diplomacisë perendimore tek ajo me idenë për ta përmbyllur agjendën serbe për ekspansion në jugun e saj– duke e ndërlidhur me sigurinë dhe mbrojtjen në rrafshin europian.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë (qershor 1999), gjatë këtyre dy dekadave që lamë pas, madje që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe aderimi i pjesës dërmuese të shteteve të Europës Juglindore mbrenda ombrellës së sigurisë së NATO-s, trajtimi i Serbisë ka zënë një pozicion disi margjinal në qendrat vendimëmarrëse të Europës (perëndimore), po aq edhe në debatin publik përgjithësisht. Megjithatë, shpërthimi i një lufte të re me intensitet të lartë në tokën evropiane [Ukrainë], që tashmë po i afrohet njëvjetorit të saj, ka rikthyer në vëmendjen e politikës europiane interesin për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Ky fenomen po ndodhë në që të dy nivelet: si në atë politik ashtu edhe në lëmin e informimit. Rritja e shpenzimeve ushtarake në të gjithë kontinentin është dëshmi e ndryshimit që po ndodh.[1]
Këtë rikthim tek fuqia ushtarake, Serbia e kishte selitur në fakt që me nënshkrimin e kapitullimit më 10 qershor 1999 në Kumanovë. Pas pak luhatjesh për ripozicionim, ajo i ishte rikthyer aleatëve të saj strategjik (Rusisë dhe Kinës). Brenda një dekade, Beogradi, konform strategjisë së re të mbrojtjes, që duket se ka aprovuar në konsultim të thellë me ushtarakët rus, tashmë ia ka dalë ta rikthejë Serbinë në një fuqi baroti në Ballkan. Por, a kishte vepruar në të njëjtn linjë qeveria e Tiranës? Po qeveritë tjera të shteteve që dolën nga shkërmoçja e Jugosllavisë, përjashto këtu Kroacinë? Përkundrazi, politikat e mbrojtjes dhe sigurisë, sidomos pas aderimit në NATO, Tirana sikur ua kishte dorëzuar në “mirëmbajtje” aleatëve tanë! Ndërkaq qeveritë në Prishtinë, duke qenë së tepërmi të angazhuara për mbetje me çdo çmim në pushtet, kishin nënshkruar marrëveshje që cenonin rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë, por edhe mbijetesës së saj. Le të kujtojmë këtu marrëveshjet e prillit 2013 dhe atë të gushtit 2015. Sikur nuk ju kishin mjaftuar këto dy marrëveshje që e defunksionalizonin tërësisht Republikën, qeveritë që kishte nën ombrellën e tij ish kryeministri dhe ish presidenti Hashim Thaçi, do të shprehnin gadishmëri të hyjnë në aranzhmane me Serbinë, që do t’i cilësojnë me eufemizëm si “Marrëveshje për shkëmbim territoresh”. Duket se Dhomat e Specializuara (GJS) të kenë vepruar disi ngjashëm me Deux ex Machin-ën e tragjedive antike greke, ashtu që me ndërhyrjen e tyre hoqën nga agjenda e ditës aneksimin e veriut Serbisë, për ta detyruar Beogradin t’i kthehet metodave të vjetra të barrikadave në rrugë.
Në kuadër të atyre veprimeve antikushtetuese të ish drejtuesve të Republikës, siç mësuam ndërkohë, kishte edhe marrëveshje “gjentelmene” që i ndalonin shtrirjen e veprimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në veriun e Republikës! Ky akt tradhëtie qe kamufluar dhe mbajtur sekret, vetëm e vetëm që të arrihej nënshkrimi i marrëveshjes së prillit të 2013-ës, që de fakto rikthente Beogradin në bashkëqeverisje të Kosovës, si parakusht për pregaditjen e terrenit për ndarje “të butë” të veriut.
Kthimi i luftës me intensitet të lartë në Ukrainë, në fqinjësinë tonë europiane, e bashkë me të intensifikimi i Serbisë për të realizuar agjendën e saj aneksioniste në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë, konform me agjendën e Putinit në përballjen e tij me Perendimin, ka rikthyer në qendrat e vendosjes politike europiane sërish fantazmën e konfrontimit të mundshëm me Rusinë – një fuqi me arsenal të madhë bërthamor. Dy javët e fundit të dhjetorit që lamë pas, që rikthyen metodologjinë e veprimit serbo-rus të viteve ‘90-ta në ish Jugosllavi (Knin, Banjallukë, Srebrenicë…) dhe ato të vitit 2008 e 2014 në Donbas, Donetsk, Luhansk [paraprakisht edhe në Krime] tok me prezencën e forcave të njësive paramilitare ruse të Wagnerit dhe të “Ujqërve të natës”, do të mund të hynin në histori edhe si rikthim i fuqishëm i ariut polar në Ballkan. Ndërhyrja e rreptë e diplomacisë perendimore, parasëgjithash asaj amerikane, dëshmon se është rikthyer interesi në rritje për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes dhe pozicionimit të SHBA-ve në Ballkan si e vetmja fuqi që ka mundësi ta stopoj marshin serbo-rus.
Beogradi pavarësisht luftës në Ukrainë, ka vazhduar me intensitet të shtuar, objektivin e vet strategjik për “copëtimin e Kosovës dhe Bosnjës, në mënyrë që të testohet vendosmëria ndërkombëtare dhe që Kroacia dhe Shqipëria të përfshihen si bashkëpunëtore në ndryshimet e kufijve dhe përfitimet territoriale që i vlejnë kryesisht Beogradit.”[2]
Në këtë linjë gjykimi ishte edhe Dr George Friedman me analizën e tij me titull
“Sërish Kosova”.[3] Si neoliberal në cilësinë e publicistit aktiv ai përcjell çdo ditë rrejdhën e zhvilimeve në pikat më të nxehta të globit, prandaj nuk I ka shpëtuar as Kosova dhe zhvillimet në veriun e saj gjatë dhjetorit të 2022-ës. Pikërëndesë vrojtimi e analize ai ka sidomos zhvillimet në Ukrainë dhe në Azi, por edhe ato në Lindjen e Afërt dhe Ballkanin Perednimor.
Fridman mund të jetë njëri nga ata që ka kontribuar në shmangien e rifillimit të luftës mes Kosovës dhe Serbisë në fund të dhjetorit të vitit 2022, por fatkeqësisht ai mund të jetë edhe njëri që është angazhuar vetëm ta shtyjë këtë përplasje për një kohë më të përshtatshme për interesat amerikane. Duke rikthyer sërish në diskutim çështjen e rishikimit të kufijve mes Kosovs dhe Serbisë [“…shikimi i kufirit Serbi-Kosovë mund të jetë i vlefshëm], siç ka bërë para ca ditësh edhe me sugjerimin për “blerjen” e paqes në Ukrainë dhe uljen e tensioneve Perendim – Rusi, përmes njohjes së realitetit të imponuar nga armata ruse – aneksimit të pothuajse 1/4 -ës së Ukrainës nga Rusia, Fridmani dhe jo vetëm ai, sikur arsyetojnë projektin hegjemon serb për aneksimin e veriut, respektivisht qojnë ujë në mullirin e Serbisë që pretendon të ringjallë rivalitetin shekullor me shqiptarët në dritën e zhvillimeve të pritshme në Ukrainë.
Prandaj si kundërpeshë këtij qarku të mendimtarëve neoliberal, Bugajski i bën thirrje perendimit, ta rishikojnë qëndrimin ndaj Serbisë. Nëse duam t’ia arrijmë qëllimit imediat – stabilizimit të paqes dhe prosperimit e integrimit të rajonit në tërësi në struktuarat euroatlantike, atëherë Perendimi, sipas Bugajskit, duhet ta mposhtë strategjinë tre-dimensionale të Beogradit. Sipas Bugajskit, udhëheqësit perëndimorë në këtë rast, “duhet të fusin në punë tre armë efektive: në prizmin diplomatik, atë ushtarak dhe atë ekonomik. Në frontin diplomatik, Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi nuk duhet t’u bëhet presion që t’i hapin rrugën etno-nacionalizmit. Një shembull parësor është presioni që i bëhet Prishtinës për të pranuar ndarjen territoriale duke lejuar krijimin e një entiteti serb, të ashtuquajturin “asocacioni i komunave”, i cili do t’i ngjajë Republikës Sërpska në Bosnje.[4]
Por nëse lufta në Ukrainë ka qenë si këmbanë alarmi për veprim për NATO-n, duke shpërfaqur rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në përballje me aspiratat ekspansioniste të Rusisë, intenca e Serbisë për ekspansion është relativizuar tej mase! Prandaj nuk shpjegohet dot insistimi i një lagjeje diplomatësh perendimor për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që ligjëron ndarjen mbi baza etnike, që me të drejtë cilësohet nga Bugajski si një “ftesë për destabilizm më të thellë antiperëndimor nga Rusia.”
Por pavarësisht se lufta në Ukrainë dhe provokimet e Serbisë për të krijuar “Frontin e dytë” të luftës në Europë, kanë reflektuar nevojën për ndërhyrje urgjente të SHBA-ve në Ballkan, Shtëpia e Bardhë “duket se nuk ka gjasa të tërhiqet nga orientimi i saj drejt Kinës dhe teatrit Indo-Paqësor.” [5]
Në dokumentin kryesor në fushën e sigurisë “Strategjia e Sigurisë Kombëtare e miratuar nga Administrata e Biden-it më 12 tetor 2022, është e qartë në këtë pikë, duke bërë një dallim të veçantë midis Kinës si një sfidë ‘sistematike’, ‘globale’ dhe Rusisë, si një kërcënim ‘imediat’ edhe pse më i lokalizuar.[6]
Ky pozicionim i SHBA-ve dhe vet rendi i prioriteteve strategjike të saj, për çështjen shqiptare në përgjithësi dhe atë të Kosovës, rspektivisht të përmbylljes së dialogut me Serbinë, në veçanti, në plan afatshkurtë, mbetet i një rëndësie të veçantë. Megjithatë ky rend i gjërave, nuk do të thotë asesi se ne duhet t’i nënshtrohemi agjendave të akcilit diplomat, rrjedhimisht interesave të akcilit shtet për ta lajkatuar shkëputjen e Serbisë nga hemisfera e ndikimit rus, duke ngashëryer atë me veriun e Republikës. Por, nëse përqendrimi në rritje i SHBA-së në Kinë dhe Azi, po e detyron Evropën të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe mbrojtjen e kontinentit, ne si Republikë dhe përgjithësisht shqiptarët si Komb, na detyron të investojmë shumëfish në rriten e autonomisë në lëmin e sigurisë dhe mbrojtjes dhe në përpunimin e strategjisë sonë unike kombëtare.
Se për Beogradin shqiptarët mbesin armiku nr një në raport me interesat strategjike serbe në Ballkanin Perendimor, kjo nuk paraqet diç të re. Strategët e mendimit serb, nga Garashanini e tutje tek pinjollët e tyre aktiv në institucionet akademike e shkencore serbe, në Kishë e Ushtri, këtë fakt e kanë pohuar dhe ripohuar në të gjitha dokumentet strategjike të hartuara e aprovuara edhe në këtë dekadë që lamë pas. Pavarësisht kësaj, Brukseli vazhdon ta trajtojë Serbinë si kandidaten potenciale në politikat e zgjerimit të BE-së në rajon dhe partner serioz në stabilizimin (sic!) e rajonit!
Që nga viti 1999, udhëheqësit evropiano-perendimor e kanë pasur të qartë se objektivi i Politikave të Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes [CSDP-së] ishte të pajiste Europën me aftësitë dhe mekanizmat e nevojshëm për të kryer operacione të menaxhimit të krizave jashtë vendit.[7] Kosova ishte shndërruar me kohë në një “laborator prove” të këtyre mekanizmave europian. Por përvoja në Ballkan e edhe në Kosovë ka dëshmuar se këta mekanizma europian kanë dështuar. Kjo ka ndodhur meqë BE-ja i ka dhënë përparësi operacioneve me intensitet të ulët dhe të mesëm. BE—ja tutje mbetet “Fuqi civile”, siç e pat cilësuar François Duchêne që në vitet ‘70-ta të shek. të kaluar “me fuqi të madhe ekonomike, por relativisht pak fuqi ushtarake.” [8] Së fundmi ngjashëm veproi edhe KFOR-i në veriun e vendit, duke rrezikuar të degradojë në UNPROFOR-in e OKB-së (rasti i Srebrenicës më 1995), që paralajmronte pozicionimin e tij tek Lumi Ibër dhe ndarjen faktike të qytetit.
Një pjesë e politikës opozitare duke gjykuar tutje konform shablloneve egzistuese se, asnjë rival nuk ka guxuar të sfidojë drejtpërdrejt SHBA-në apo aleatët e saj, konsideronin si bllof politik paralajmrimin e luftës si mundësi reale. Ky koncept i të menduarit politik tashmë cilësohet si arkaik, i perënduar e madje edhe naiv.
Çështjet që lidhen me mbrojtjen vetanake dhe mosbindjen kundër fuqive të mëdha po dalin sërish në pah në debatet për politikën e sigurisë. Ky ndryshim mund të shpjegohet në veçanti nga dy faktorë. E para janë çarjet që duket se po krijohen në hegjemoninë gjeopolitike të SHBA-së, krahas qëndrimeve më të guximshme të vendeve si Kina dhe Rusia në drejtim të sfidimit të interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Agresioni “dy faza” i Rusisë në Ukrainë (2014 dhe 2022) është një shembull i qartë. E dyta është se SHBA dhe Perëndimi në tërësi duket se po lodhen nga ndërhyrja, siç ilustrohet nga tërheqja e çrregullt nga Afganistani në vitin 2021.[9] Strategjia e fundit e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së do të duhej trajtuar si përplotësuse e kësaj teze: tërheqja nga Afganistani shënon fundin e “një epoke të operacioneve të mëdha ushtarake për të rindërtuar shoqëritë tjera”, megjithëse Kosova dhe Ballkani nuk mund të krahasohen me rastin e Avganistanit.
Ringjallja e rivalitetit shqiptaro-serb, e riparë me sjelljen e fundit të Serbisë në veriun e Kosovës dhe shenjat e lodhjes së Perëndimit për intervenim përmes KFOR-it, dëshmojnë nevojën urgjente që ka Kosova për hartimin e Strategjisë mbrojtëse Kombëtare tok me Shqipërinë dhe aderimin me hapa të përshpejtuar në NATO. Në këtë betejë të fundit të pinjollit të Milosheviqit për aneksimin e veriut, reagimet sidomos pas tërheqjes së Vuçiqit në çështjen e barrikadave, Serbia është thellësisht e ndarë. Shumica e qytetarëve vazhdojnë të jenë neutral, por neutraliteti është një rrugë cinike, do të thoshte Zhizhek. Prandaj fundi i Vuçiqit mund të jetë fare lehtë një kopje e fundit të Milosheviqit. Ai do ta humbas pushtetin, jo për shkak të politikës së tij luftënxitëse dhe pretendimeve të hapura për realizimin e projektit ultranacionalist të të ashtuquajturës “Bota Serbe”, por sepse po dështon pikërisht të bëjë hapin e parë në këtë plan me aneksimin e veriut të Kosovës.
Sidoqoftë, Vuçiqi ende nuk është dorëzuar. Nëse ai del ta hedhë hapin e parë drejt krijimit të “Botës Serbe”, do ta bëjë atë edhe më popullor jo vetëm brenda Serbisë, por gjithandej ndër serbë. Nëse jo, atëherë, ai do të ishte fare e pritshme të shpallet një diktator që abuzoi me Serbinë dhe me gjasë të ketë fundin e Zoran Gjinxhiqit.
Nevoja urgjente e Kosovës për rritjen e nivelit të sigurisë ka gjasa të mira të koordinohet me raportet e reja brenda vetë Perendimit – gjatë të të ashtuquajturit proces të tkurrjes së “gjerësisë së brezit” të SHBA-së në Evropë – e cila ka shumë të ngjarë të përqendrohet në përpunimin e zhgënjimit kundër Rusisë në Evropën Lindore – dhe prioritizimi i NATO-s për mosbindje ndaj Rusisë, që bashkë do të rrisin hapësirën politike dhe strategjike për BE-në tek fqinjët e saj jugor, rrjedhimisht jo vetëm në Ballkanin Perendimor, por edhe në Mesdhe, Afrikë të Veriut dhe në një masë më të vogël në Lindjen e Mesme.
Ekziston një nevojë në rritje që BE-ja të luajë një rol më të madh në sigurinë e fqinjësisë së saj jugore (Mesdheu, Afrika e Veriut, Sahel dhe, në një masë më të vogël, Lindja e Mesme).[10] Në këtë kuadër interesi edhe i BE-së është që çështjet e nxehta në Ballkanin Perendimor të marrin një fund logjik, pa nevojën për ndërhyrjen ushtarake nga jashtë, duke i shtuar vlerës reale të BE-së në fushat si ndërlidhja civile-ushtarake ose lidhja e sigurisë me zhvillimin (të dyja thelbësore për stabilizimin), luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimin e aftësive në vendet partnere. [11]
Qeveria Kurti brenda këtyre dy viteve të dialogut me Serbinë ka bërë të pamundurën për të promovuar dinjitetin dhe sovranitetin e Republikës. Ajo ka sfiduar qartë edhe llogaritjet pragmatike të diplomatëve perendimor duke ju rikujtuar pozicionimin që kishin ndaj Ukrainës në fillimin e luftës më 24 shkurt 2022. Por nëse kjo diplomaci në raport me Ukrainën bëri korrektuarat e duhura, duke i dhënë mbështetje të plotë heroizmit të popullit ukrainas, ripozicionimi i saj në dialogun shqiptaro-serb përmes promovimit të planit franko-gjerman si zgjidhje e përkohëshme, flet se kemi një lloj tërheqje taktike qoftë edhe e përkohëshme, që duket se është më shumë produkt i magjepsies së kësaj lagjeje diplomatësh për Serbinë. Prandaj në këto qarqe jo rrallë afishohet koncepti popullor për gjoja “të kuptuarit e Serbisë”, pa hezituar të pohojnë se “ndjejnë keqardhje” pse NATO qe detyruar ta bombardojë Serbinë në vitin 1999! Kjo është logjika e pacifistëve modern të majtë në Perendim. Prandaj kjo lagje diplomatësh duke besuar se ende po ndihmojnë Kosovën, kur mbështesin projektin etnonacionalist serb (krijimin me çdo kusht të Asociacionit të Komunave Serbe), edhe atëherë kur Qeveria e Prishtinës merrë masa për shtrirjen e sovranitetit në veri, qortohet se mos “po provokon shumë Serbinë”!
Ky pozicionim na sjell tek konkluzioni i pacifistëve në raport me luftën në Ukrainë. Ata, pra pacifistët, thonë, se fronti i luftës në Ukrainë është pak a shumë i stabilizuar; rrjedhimisht le t’i japim kohë bisedimeve për paqë, qoftë edhe duke i dhënë Rusisë një pjesë të Ukrainës. Prandaj i revoltuar me këtë pozicion të pacifistëve perendimor, filozofi slloven Sllavoj Zhizhek shtron pyetjen retorike: “A janë të vetëdijshëm këta pacifistë se ne kemi arritur në këtë gjendje stabilizimi relativ në front pikërisht për shkak të ndihmës së madhe për Ukrainën nga Perëndimi?” [12]
Diplomacia perendimore e angazhuar me vite në dialogun Prishtinë – Beograd e kanë të qartë se njohja e ndërsjelltë e dy shteteve është i vetmi garancion real për paqe e stabilitet afatgjatë në rajon. Ndërhyrja e NATO-s në pranverën e vitit 1999 ishte vendimi historik që krijoi parakushtin për dialog e paqe, duke krijuar balancin e duhur që krijon gjasa që paqa të jetë afatgjatë.
Rikthimi i rivalitetit shqiptaro-serb në përmasat sa në pjeësn e dytë të dhjetorit që lamë pas fare lehtë mund të kalonte në një luftë të re, flet për peshën strategjike të Mitrovicës dhe përgjithësisht rripit të vargmaleve që lidhin veriun e Kosovës me dy rajonet tjera po aq strategjike: Sangjakun e Novipazarit dhe Malin e Zi. Do të doja të besoj se kjo ndërhyrje diplomatike në çastin e fundit, nuk do të mund të cilësohet nesër nga historia si ndërhyrje e vonuar. Skeptik në këtë gjykim më bën deklarata eksplicite e gjeneralit britanik, Sir Nicholas Houghton, ish-komandant i Shtabit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura Britanike (Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Forcave të Armatosura Britanike). Gjatë fjalimit të tij në Dhomën e Lordëve në fillim të dhjetorit që lamë pas, gjenerali Houghton tek po fliste për reflektimin në Europë të luftës në Ukrinë tha: “Kam frikë se publiku dhe e gjithë shoqëria janë plotësisht të hutuar në këtë moment nga një seri debatesh toksike për Covid-in, Brexit-in dhe paaftësinë ekonomike të qeverisë, ndërkaq faktori më i rëndësishëm që rrit koston e jetesës është fakti që ne në fakt jemi në luftë, por jo lloji i luftës që shumica e njerëzve e njohin”. Gjuha e ashpër e Beogradit që po rikthehet në përditshmëri edhe në këtë fillim të Motmotit të Ri, vetëm sa shpërfaq ralitetin e hidhur e faktik për thellimin e rivalitetit shqiptaro-serb deri në përmasat e një lufte të re.
Periudha e ndërmjetme që ndërkohë i është rezervur bisedimeve, që për objekt kanë projektin franko-gjerman, kërkon një lloj rikndellje të diplomacisë perendimore dhe qartësi në gjykim. Ka ardhur momentumi politik që të ushtrohet presion mbi Beogradin. Qëndrimi neutral nuk mund të arsyetohet nesër me gjuhën që pati pretendime ta arsyetojë së fundmi ish kancelarja gjermane Angella Merkel koketimin e Europës me Rusinë në nivelin diplomatik dhe ekonomik, mbi të gjitha energjetik, si atu për të fituar kohë për Ukrainën, respektivisht për forcimin e forcave ushtarake ukrainase!
Luftës në rrafshë afatgjatë në Ukrainë dhe sidomos shtrirjes së saj ndërkohë edhe në Ballkan, struktura gjeopolitike dhe gjeoekonomike e Bashkimit Evropian nuk mund t’i mbijetojë asesi.
Prandaj ka nevojë për koordinim në rrafshin transatlantik.
Por për dallim nga fillimi i shekullit të kaluar, kur Evropa luftoi për të thyer perandoritë armiqësore ndaj Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, në fillim të këtij shekulli, Evropa në dekadën e tretë të shek. 21 ndodhet në luftë për shkak të përpjekjeve për të rivendosur perandoritë e vjetra – ruse, osmane dhe gjermane [kjo e fundit e maskuar me pelerinën e Bashkimit Evropian], që do të shërbejnë si pjesë e blloqeve në krijim. Rrjedhimisht mund të thuhet se procesi i deglobalizimit dhe ai i përmbylljes së shtetit-komb në kornizat e tij dhe të blloqeve në krijim, tashmë ka filluar. [13]
Shpërbërja e ish Federatës Jugosllave po rikthente këtë pjesë të kontinentit të vjetër në vitin 1914, kur po fillonin një varg luftrash, që përfunduan me shembjen e rendit gjeopolitik evropian dhe hapjen e konflikteve të vjetra midis kombeve evropiane. Serbia përmes këtij procesi që u shqërua me gjenocidin kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve, arriti të imponojë krijimin e Republikës Serbska. Ky entitet politik është ngritur tërësisht bazuar në gjenocidin serb ndaj popullsisë boshnjae. Serbia, sërish, duke ringjallur rivalitetin ndaj shqiptarëve, me projektin për aneksimin e veriut të Republikës, pas gjenocidit që kreu në vitet 1998/1999, pretendon të promovohet si fuqi rajonale brenda rendit të ri në krijim.

Lexo më shumë  FMN ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në 2024

Konkluzione
Edhe nëse pranojmë si të mirëqenë primatin e NATO-s, në rstin tonë konkret të KFOR-it, për mbrojtjen dhe sigurinë e kufijve të Republikës konform mandatit që ka kjo forcë, zhvillimet gjatë dhjetorit të 2022-ës dëshmuan se kërkohet një reflektim i thellë mbi nevojën urgjente të forcimit të mekanizmit tonë të sigurisë – FSK-së.
Prioriteti i qartë i mbrojtjes së Republikës do të garantohej duke shtuar kapacitetet zhvillimore të teknologjisë dhe aftësitë kritike për vetëmbrojtje akute, që do të nënkuptonte paisjen e FSK-së me mjete të rënda manovrimi, artileri, raketa balistike me rreze të shkurtëra dhe të mesme veprimi, raketa për kundërvënie në prapavijë, në rast se Serbia përzgjedhë si caqe goditjeje qytetet tona, shtimin e aftësive kibernetike sulmuese, sisteme të avancuara luftarake ajrore dhe tokësore dhe sisteme të mbrojtjes raketore dhe ajrore.
Orientimi drejt mbrojtjes tradicionale dhe mosbindje kundër fuqive të mëdha që projektohet nga shtetet e BE-së, duke konsideruar se ai veprim do të rriste ndjeshëm vlerën e shtuar të BE-së në atë që shumë shtete anëtare e konsiderojnë si çështjen kryesore të sigurisë, do të mund të mirrej si model i mirë edhe nga hartuesit e strategjisë sonë mbrojtëse, respektivisht përplotësimit të saj.
Nëse këto veprime në nivel të BE-së kërkojë një lidhje shumë më të thellë dhe të përhershme institucionale ndërmjet BE-së dhe NATO-s, duke lejuar përafrimin e prioriteteve të BE-së në industri, zhvillimin e aftësive dhe prokurimin e armëve me nevojat operacionale të NATO-s (siç përcaktohet në Procesin e Planifikimit të Mbrojtjes), ky përafrim mes Republikës sonë dhe partnerëve tanë strategjik (SHBA, Britani e Madhe, Gjermani, Kroaci), do të kërkojë gjithashtu më shumë integrim me BE-në dhe NATO-n, jo vetëm në nivelin politiko-strategjik, por mbi të gjitha në atë strategjiko-ushtarak.

Lexo më shumë  Tomorri: Fushata e egër mediatike kundër Kurtit në Shqipëri ra. Kosova vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor

[1] Shih: Max Bergmann, Colin Wall & Sean Monaghan (2022), Transforming European Defense, Center for Strategic and International Studies, Washington, 18/VIII/2022.
[2] Bugajski: https://gazetadita.al/lufte-e-re-ne-kosove-ne-2023-analiza-e-bugajskit-ne-dita-pse-rusise-i-duhet-urgjentisht-nje-karte-ballkanike/
[3] Dr George Friedman : https://geopoliticalfutures.com/kosovo-again/?utm_source=GPF%20Free%20Newsletter&utm_campaign=5da4242dc8-20221220_FL_Weekly&utm_medium=email&utm_term=0_f716b3bf65-5da4242dc8-265229546&mc_cid=5da4242dc8&mc_eid=130ea50dac&fbclid=IwAR3Be-QdFSx24bqWTnJuJ_HT4qK_7dGob3NJ1WtQP7rHdjRp7dyylzx48fA
[4] Bugajski, po aty
[5] https://www.eurasiareview.com/03012023-european-strategic-autonomy-and-defense-after-ukraine-analysis/
[6] The White House (2022), ‘National Security Strategy’, 12/X/2022, p. 23-27.
[7] See, for example, Jolyon Howorth (2007), Security and Defence Policy in the European Union, Palgrave Macmillan, Basingstoke.
[8] https://internationalepolitik.de/de/europas-geopolitische-verwirrung
[9]Shih Stephanie Hoffmann (2011), ‘Why institutional overlap matters: CSDP in the European security architecture’, Journal of Common Market Studies, vol. 49, nr 1, p. 101-120 dhe Perot (2022), op. Cit.
[10] Luis Simón (2022), ‘El retorno de la OTAN y el futuro de la defensa europea’, Política Exterior, nr 209, 30/VIII/2022.
[11] Shih: https://www.eurasiareview.com/03012023-european-strategic-autonomy-and-defense-after-ukraine-analysis/[12] Shih: Žižek: ‘Denacifikacija bi trebala početi kod kuće, u Rusiji’
https://www.slobodnaevropa.org/a/zizek-rusija-ukrajina-rat/32205399.html

  1. Më gjerësisht shih: https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-rat-u-ukrajini-nastavak-je-stoljetnog-europskog-sukoba/

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *