KryesoreLajme

“Rindërtimi i ngadaltë i Kombinatit”; Gjysma e të prekurve nga tërmeti nuk do të marrin banesë të re

Rindërtimi rrezikon të kthehet në një proces të kushtueshëm për banorët e Kombinatit. Më shumë se gjysma e aplikantëve të prekur nga shkatërrimi i apartamenteve janë skualifikuar përfundimisht nga e drejta për të përfituar një shtëpi të re.

“Nga 1446 aplikime, vetëm 670 prej tyre janë përfitues”, – tha bashkia e Tiranës në një përgjigje me shkrim për Citizens Channel.

Arsyet kryesore të skualifikimit sipas bashkisë Tiranë lidhen me faktin se aplikuesit zotëronin më shumë se një banesë, kishin mangësi në dokumentacionet e aplikimit si dhe kur ekspertizat e bashkisë vërtetojnë se dëmet nuk kanë ardhur prej tërmetit të vitit 2019, por prej amortizimit të vetë banesave.

Kur jemi futur në vitin e pestë të rindërtimit, ky proces po shoqërohet ende me shumë paqartësi.

Në Kombinat, një ndër zonat më të prekura në Tiranë, vijon shembja e pallatave por banorët nuk e kanë të qartë se ku dhe kur do të mund të marrin një banesë të re.

“Pas gjashtë muajsh na thonë. Ikin gjashtë muaj, pas gjashtë muajsh të tjera dhe kështu u bë kjo punë, presim,”– shprehet një prej banorëve në Kombinat.

Të dhënat për numrin e familjeve që trajtohen me bonusin e qirasë po ashtu tregojnë se rindërtimi po ecën me ritme shumë të ngadalta.

Lexo më shumë  Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Përgjatë këtyre katër viteve, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar 13 vendime për trajtimin me pagesë qiraje të familjeve të prekura nga tërmeti, prej të cilave kanë përftuar 1433 qytetarë. Sipas listë pagesës së muajit dhjetor të vitit 2023, rezultojnë përfitues të qirasë vetëm 1050 qytetarë. Pra, në katër vite është gjetur zgjidhje vetëm për 400 familje.

Banorët janë të pakënaqur edhe me shumën prej 18.000 lekësh që marrin si bonus, e cila është më pak se gjysma e qirave aktuale në kryeqytet.

Pavarësisht vështirësive me të cilat përballen familjet e prekura nga tërmeti, bashkia shprehet se procesi i rindërtimit “është zhvilluar në tre faza, në muajt shkurt 2020, korrik 2020 dhe dhjetor 2020”.

Ndarja e aplikimeve për rindërtimin kategorizohet sipas nivelit të dëmeve në DS1-DS3 (niveli më i ulët i dëmeve të shkaktuara në godina) dhe DS4-DS5 (niveli më i lartë i dëmeve të shkaktuara në godina).

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

Sipas të dhënave të përftuara me kërkesë për informacion pranë bashkisë Tiranë rezulton se për nivelin e dëmeve DS1-DS3 janë trajtuar 1137 aplikime, prej të cilave 978 janë shpallur fitues. Ndërsa për nivelin e dëmtimit DS4-DS5 nga 128 aplikime, 100 prej tyre janë shpallur fituese.

Në Kombinat 29 objekte janë shembur deri më tani si pasojë e tërmetit, ndërsa 12 të tjera presin ende të shemben.

Procesi i rindërtimit në Kombinat ka kaluar edhe nëpër procese gjyqësore. Një numër i konsiderueshëm i banorëve kanë hedhur në gjyq vendimet e Këshillit Bashkiak për të shembur pallatet e tyre, me pretendimin se niveli i dëmtimit ishte më i ulët seç tregonte akt-ekspertiza e kryer nga ekspertë të kontraktuar të bashkisë. Sot janë 80 çështje gjyqësore të hapura nga banorët kundrejt bashkisë Tiranë, ndërsa sipas avokatëve të disa prej banorëve, deri më tani janë anuluar 8 vendime shembjeje të banesave nga ana e këshillit bashkiak./CitizenChannel

YouTube player