Rikthehet në pronësi të shtetit një objekt i uzurpuar në Zveçan
Drejtoria e Inspektoratit Qendror të Pylltarisë dhe Gjuetisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, kanë realizuar të enjten një aksion për rikthimin në administrim shtetëror të një objekti në komunën e Zveçanit.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti deri tani ishte i uzurpuar dhe shfrytëzohej nga struktura paralele në veri të vendit.
Aksioni është ndërmarrë në bazë të vendimit të Ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, me qëllim racionalizimin e hapësirave administrative dhe optimizimin e shfrytëzimit të pronës publike.
MBPZhR-ja thekson se ky proces synon riorganizimin e hapësirave institucionale dhe përdorimin më efikas të resurseve financiare, në mënyrë që mjetet publike të orientohen drejt investimeve për fermerët dhe zhvillimin e sektorit bujqësor.
Po ashtu, MBPZhR planifikon zhvendosjen graduale të institucioneve vartëse në objekte publike, me qëllim uljen e kostove të qirasë dhe forcimin e menaxhimit të pronës shtetërore në Kosovë.
Rruga Press

