Reuters zbulon dosjen e SPAK-ut: Dyshime për falsifikim të dokumenteve të pronësisë në Zvërnec
Një biznesmen shqiptar që jeton në Miami, i kërkuar në Shqipëri nën dyshimin për pastrim parash të përfituara nga trafiku i drogës, dyshohet se ka falsifikuar dokumentet e pronësisë për tokën ku Jared Kushner planifikon të ndërtojë një resort me vlerë disa miliarda dollarë, ka thënë agjencia vendore për luftimin e krimit të organizuar në dosjet e çështjes të cilat i ka parë Reuters.
Biznesmeni, Artur Shehu, mohon të gjitha akuzat ndaj tij, ka deklaruar avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili konfirmoi se prokuroria shqiptare ka lëshuar një urdhër-arrest ndaj Shehut për dyshime se ka pastruar para për grupe të trafikut të drogës.
Dosjet e çështjes e akuzojnë Shehun dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë trafikuar kokainë nga Amerika e Jugut drejt porteve evropiane dhe më pas kanë pastruar të ardhurat duke ndërtuar një perandori në sektorin e pasurive të paluajtshme, përfshirë edhe përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara të pronësisë.
“Asgjë nga sa është pretenduar për Artur Shehun nuk është e vërtetë. Ai nuk është as trafikant droge dhe as falsifikues i dokumenteve të pronësisë”, ka thënë avokati Cakrani.
“Shehu është në dijeni të pretendimeve të ngritura nga prokuroria shqiptare. Ai nuk i konsideron këto akuza si të bazuara ndaj tij, pasi këmbëngul se e vërteta është krejtësisht ndryshe nga ajo që pretendon prokuroria”.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Drejtësisë refuzoi të komentojë nëse autoritetet amerikane kanë marrë ndonjë kërkesë nga Shqipëria për të lokalizuar ose ndaluar Shehun në Miami.
Në prill, Shehu ia shiti vijën bregdetare shqiptare, ku është planifikuar ndërtimi i resortit, kompanisë Albania Land Development, e cila është në pronësi të zhvilluesve të projektit të mbështetur nga Kushner, Sazan Real Estate Development, si dhe investitorëve të tjerë.
“Nga provat e mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme se pasuritë e sipërpërmendura janë përfituar përmes përdorimit të dokumenteve të falsifikuara”, shkruajnë prokurorët në dosjet e çështjes.
Në dosje nuk ka asnjë pretendim për shkelje ligjore ndaj dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, kompanisë Sazan Real Estate Development, Albania Land Development apo investitorëve të tjerë të përfshirë në projektin e resortit. Reuters nuk gjeti asnjë tregues që investitorët të kenë qenë në dijeni të dyshimeve ndaj Shehut në kohën kur blenë tokën prej tij.
Projekt i kontestuar në një zonë të paprekur natyrore
Pretendimet se dokumentet e pronësisë mund të jenë falsifikuar përbëjnë një tjetër pengesë për projektin, i cili tashmë është përballur me protesta masive për shkak të shqetësimeve se mund të dëmtojë jetën e egër dhe mjedisin natyror.
Banorët e fshatit Zvërnec, pranë zonës ku planifikohet resorti, prej më shumë se një dekade po kundërshtojnë në gjykatë pretendimin e Artur Shehut mbi pronësinë e tokës.
Muajin e kaluar, një grup banorësh i paraqitën Reutersit dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë, të cilët, sipas tyre, dëshmojnë se ata janë pronarët e ligjshëm të tokës. Avokati i tyre, Kostandin Beko, tha se çështja vazhdon të jetë ende në shqyrtim gjyqësor dhe se ata planifikojnë t’i kërkojnë gjykatës pezullimin e projektit të resortit.
Resorti i mbështetur nga Jared Kushneri është planifikuar të ndërtohet përgjatë një vije bregdetare me plazhe, pyje dhe një pjese që shërben si habitat për breshkat e detit dhe flamingot.
Flamingot janë shndërruar në simbol të kundërshtarëve të projektit, të cilët protestat e tyre i kanë quajtur si “Revolucioni i Flamingove”.
Bashkëshortja e Kushnerit, Ivanka Trump, ka deklaruar se ideja për ndërtimin e resortit lindi kur ajo dhe Kushner panë këtë vijë bregdetare nga një jaht disa vite më parë.
Në vitin 2024, Kushner i bëri publike planet për projektin në rrjetet sociale, duke publikuar një ilustrim artistik ku zona paraqitej e mbuluar me hotel, vila, pishina. Ai nuk ka bërë publike shumën që ka investuar në këtë projekt.
Qeveria shqiptare i ka mbështetur fuqishëm planet për resortin dhe ka deklaruar se protestat organizohen nga kundërshtarët e saj politikë. Kryeministri Edi Rama i tha Reutersit muajin e kaluar se projekti është “i bukur” dhe se do të realizohet pavarësisht kundërshtimeve.
I pyetur për pretendimet e ngritura në dosjet hetimore ndaj Artur Shehut, një zëdhënës i qeverisë tha se qeveria nuk ndërhyn në transaksionet private, por theksoi se projekti po zhvillohet në përputhje me ligjet shqiptare dhe ato të Bashkimit Evropian.
Më herët, Brukseli i ka bërë thirrje Shqipërisë, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, që të respektojë rregullat mjedisore të BE-së në lidhje me këtë projekt.
Prokuroria e Posaçme shqiptare ndërhyn
Dosjet hetimore ndaj Artur Shehut janë përgatitur nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar në vitin 2019 për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, me hetues dhe prokurorë të pavarur nga policia dhe prokuroria e zakonshme.
Dosjet përmbajnë rreth 200 faqe dhe nuk janë bërë publike. Dosjet mbajnë datën 12 qershor 2026. Po atë ditë, SPAK njoftoi publikisht se kishte lëshuar urdhër-arreste për 20 persona, të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim të të ardhurave të përfituara nga ky aktivitet kriminal.
Ndryshe nga dosjet hetimore, ku Artur Shehu dhe personat e tjerë përmenden me emrat e plotë, në njoftimin për urdhër-arrestet të dyshuarit identifikohen vetëm me iniciale, në përputhje me praktikën standarde në Shqipëri, sipas së cilës emrat e të dyshuarve nuk bëhen publikë para ngritjes së akuzave.
Inicialet e përdorura në urdhër-arrestet përputhen me emrat e plotë të personave të përshkruar në dosjet hetimore, përfshirë një të dyshuar të identifikuar si “A.Sh.”
Avokati i Artur Shehut, Cakrani, duke konfirmuar se klienti i tij është objekt i hetimit, tha se Shehu nuk është i shqetësuar për urdhër-arrestin, pasi, sipas tij, “besohet gjerësisht” se prokurorët shqiptarë veprojnë nën ndikimin e politikanëve dhe figurave të biznesit.
Shqiptari që jeton në Miami
Dokumentet e SPAK-ut thonë se Shehu e shitin tokën për projektin e resortit për rreth 110 milionë euro, fonde që ka thënë se ka urdhëruar të ngrihen.
Shehu dhe bashkëpunëtorët “blenë tokë duke përdorur fonde të fituara në mënyrë të paligjshme dhe falsifikuan dokumente pronësie duke krijuar tituj të rremë pronësie ose duke rritur artificialisht madhësinë e pronave”, ka shkruar SPAK në dosje.
“Pronat më pas u transferuan ose u shkëmbyen ashtu që të mos mund të gjurmoheshin lehtë nga autoritetet”.
Avokati Cakrani ka thënë se familja Shehu e kishte tokën në pronësi qysh në kohën e Perandorisë Osmani, dhe se Shehu në forma të ligjshme e kishte shitur.
Cakrani ka thënë se Shehu kishte kërkuar azil politik në SHBA në vitin 1998 pasi “bandat kriminale” ia kishin vrarë vëllain para syve të tij.
Rruga Press

