Kosova përkujton viktimat e Srebrenicës: Pa të vërtetën nuk ka drejtësi e as paqe
Kosova ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë me një ceremoni kushtuar viktimave të masakrës së vitit 1995, duke përcjellë mesazhe për ruajtjen e së vërtetës historike, drejtësi dhe kundërshtim të mohimit të gjenocidit.
Kjo ditë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ditë ndërkombëtare përkujtimore për viktimat e Srebrenicës.
Aktiviteti u organizua nga ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi, e cila e cilësoi gjenocidin në Srebrenicë si një nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo theksoi se kjo tragjedi nuk mund të relativizohet apo të harrohet dhe se mohimi i saj vazhdon edhe pas tri dekadash. Gjatë ceremonisë u shfaq edhe një dokumentar kushtuar viktimave të masakrës.
Në fjalën e saj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, shprehu solidaritetin e Kosovës me Bosnje e Hercegovinën dhe familjet e viktimave, duke theksuar se pa zbardhjen e së vërtetës nuk mund të ketë drejtësi dhe paqe të qëndrueshme. Ndërkaq, messzh i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ishte se mohimi i gjenocidit nuk cenon vetëm kujtesën historike, por rrezikon edhe të ardhmen.
Në ceremoni mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Bosnje e Hercegovinës, Xhemal Smajiq, tha se përkujtimi i gjenocidit në Srebrenicë tregon se rreziku mbetet i pranishëm sa herë që krimet mohohen dhe ideologjitë e urrejtjes e të përçarjes nuk ndalen.
Ndërsa, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, tha se rezolutat e propozuara prej vitesh në Kuvendin e Serbisë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë nuk janë lejuar as të diskutohen.
Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer në korrik të vitit 1995, është njohur nga gjykatat ndërkombëtare si gjenocid. Mbi 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, ndërsa 11 korriku shënohet në mbarë botën si ditë e kujtimit të viktimave të këtij krimi.
Rruga Press

