Bota

Retorikë e fortë Putin–Biden, lufta në Ukrainë nxeh gjakrat mes Amerikës dhe Rusisë

Amerikanët dhe rusët janë duke shkëmbyer deklarata të forta sa i përket luftës në Ukrainë. Vetë Putini do të kërcënonte se kushdo që çon armë në Ukrainë do të ketë pasoja. Kjo deklaratë e fortë erdhi pas nismës amerikane për të kthyer botën përmbys që Ukraina të ketë kapacitetet luftarake për t’i bërë ballë luftës pushtuese ruse.

Presidenti rus Vladimir Putin ka qenë i prerë për luftën në Ukrainë, ku ka kërkuar që të ndalohet furnizimi i Ukrainës me armë, sepse do të ketë një hakmarrje të shpejtë e të pashembullt për ato vende që dërgojnë armatim, sipas tij.

Rusia i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të ndalojnë dërgimin e armëve në Ukrainë, duke thënë se dërgesat e mëdha perëndimore të armëve po ndezin edhe më shumë konfliktin.

Lexo më shumë  Edhe Bjellorusia pjesë e stërvitjes ushtarake bërthamore të Rusisë

Ky reagim i shefit të Kremlinit erdhi pas takimeve të larta të politikës amerikane në Kiev dhe mbledhjes së gjeneralëve amerikanë dhe aleatëve në Gjermani. Edhe vetë presidenti Biden është treguar i ashpër ndaj Rusisë për këtë luftë duke e akuzuar për gjenocid dhe duke dërguar ndihma dhe armatim miliarda dollarësh në mbrojtje të sovranitetit të Ukrainës.

Rusia e quan ndërhyrjen e saj një “operacion special” për të çarmatosur Ukrainën dhe për ta mbrojtur atë nga fashistët. Por vetë Ukraina dhe Perëndimi thonë se ky është një pretekst i rremë për një luftë të paprovokuar nga Putini.

Perëndimi ka vendosur sanksione të forta ndaj Rusisë për sulmin ndaj Ukrainës. Sanksionet po e dëmtojnë rëndë Rusinë, teksa ministria e saj e Ekonomisë thotë në një dokument se ekonomia mund të tkurret deri në 12.4% këtë vit. Edhe Evropa që ka varësi energjitike nga Rusia është në provë për qëndrueshmërinë e saj ndaj sanksioneve.

Lexo më shumë  Rusia kërcënon NATO-n nëse dërgon trupa në Ukrainë

Ndërkohë, sa i përket luftimeve në terren, që kur forcat pushtuese ruse u zmbrapsën në periferi të Kievit muajin e kaluar, Moska e ka ripërqendruar operacionin e saj në Ukrainën lindore, duke filluar një ofensivë të re për të pushtuar plotësisht dy provinca në Donbas. Situata paraqitet dramatike në Mariupol ku luftojnë Regjimenti Azov, teksa ka negociata për korridore humanitare në këtë qytet me rëndësi strategjike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *