GjeopolitikëKryesore

Rendi botëror në ardhje

Nga Marc SaxerIPS Journal

Ky artikull fillimisht u shfaq në gjermanisht në Blog Politische Ökonomie

Përktheu Rruga Press

Pushtimi i Rusisë në Ukrainë ka përmbysur rendin e tanishëm botëror – dhe bashkë me të edhe sistemet globale të energjisë, prodhimit, shpërndarjes dhe financiare

Lufta në Ukrainë është pjesë e përpjekjes për një rend të ri botëror. Rusia dhe Kina po sfidojnë haptazi “Pax Americana”. Por pyetja se si do të duket rendi i ardhshëm botëror mbetet e hapur. Në Moskë dhe Pekin, por edhe në Uashington, modeli i një bashkërendimi multipolar të fuqive të mëdha me zona ekskluzive ndikimi po gjen mbështetje. Pavarësisht nga mosgatishmëria për të bërë rolin e “xhandarit të botës”, megjithatë, shumica e amerikanëve nuk e kanë braktisur ende rendin botëror unipolar, amerikan, liberal. Dhe jo vetëm në Kinë, ka ende mbështetje për modelin Westphalian që vë theksin në sovranitetin e shtetit kombëtar dhe dënimin në rast të ndërhyrjes post-koloniale në punët e brendshme.

Këto tre modele parashikojnë rregulla bazë shumë të dallueshme. Kush është i autorizuar të përdorë forcën – të gjithë shtetet, vetëm më i forti apo vetëm fuqia hegjemoniste? A zbatohet ligji i më të fortit apo forca e ligjit? A ka një ideal historik (p.sh. demokracia liberale dhe ekonomia e tregut) drejt të cilit do të zhvillohen (ose duhet) të gjitha shtetet, apo ka modernitete të shumfishta me sisteme politike konkurruese dhe qytetërime kulturore që mund të bashkëjetojnë më shumë apo më pak paqësisht? A do të ketë një përballje globale midis një aleance të demokracive dhe “boshtit të autokratëve”? Apo çmimi i paqes është heqja dorë nga zbatimi i të drejtave universale të njeriut?

Cili nga këta modele do të triumfojë – apo nga cila përzierje, saktësisht, e elementëve të vjetër dhe të rinj do dalë rendi i ri botëror – do të përcaktojë jo vetëm luftën dhe paqen, por edhe se si do të duket sistemi global i energjisë, prodhimit, shpërndarjes dhe ai financiar i së ardhmes.

Sistemi global i energjisë


Debati në Gjermani, nën ndikimin e menjëhershëm të luftës, fokusin e ka patur kryesisht në atë se si t’ia mohojmë Rusisë të ardhurat prej eksporteve të saj nga nafta dhe gazi, pa pyetur shumë për konsumatorët që varen nga furnizimet ruse të energjisë. Në terma afatgjatë, kjo varësi duhet të reduktohet duke përshpejtuar procesin e kalimit të energjisë larg lëndëve djegëse fosile. Më pak vëmendje po i kushtohet përpjekjeve që po bëjnë Kina dhe India për të përfituar nga furnizimet më të lira që tregu rus ofron për blerjen e energjisë, pa u goditur nga sanksionet perëndimore. Dhe shumë më pak vëmendje po i kushtohet përpjekjeve të furnitorëve të rëndësishëm dhe klientëve të tyre për të “ç’dollarizuar” tregtinë ndërkombëtare të energjisë.

Duhet shumë pak imagjinatë për të parashikuar tronditjen më të madhe të tregtisë globale të energjisë që prej kohës së goditjes së çmimit të naftës në vitet ’70. Megjithatë, ajo që çfarë është më pak e qartë, është drejtimi në të cilin do të lëvizë sistemi global i energjisë. Duke pasur parasysh konfrontimin e vazhdueshëm gjeopolitik, imperativët e mbrojtjes së klimës dhe sigurisë së energjisë tani po drejtohen në të njëjtin kah. Nga njëra anë, kjo ka të ngjarë të përshpejtojë më tej eksodin e kapitalit global nga industritë fosile. Nga ana tjetër, vendet e industrializuara akoma nuk janë teknologjikisht në gjendje të çlirohen nga varësia e tyre ndaj lëndëve djegëse fosile. Dhe është pikërisht teknologjia ndërlidhëse e gazit natyror që tani është përplasur në një qorrsokak gjeopolitik. Në terma afatshkurtër, Gjermania vështirë se do të jetë në gjendje të mbyllë hendekun kanosës të furnizimit pa kryer mëkate ndaj politikave klimatike, që përfshijnë qymyrin dhe energjinë bërthamore. Në terma afatgjatë, krahas energjisë së rinovueshme, zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit me hidrogjen duhet të zhvillohen në ritmin e duhur.

SHBA-ja po përpiqet të ngadalësojë ngritjen ekonomike të rivalit të saj, Kinës

Megjithatë, në afatmesëm, kjo nënkupton që kërkesat për gaz do të plotësohen duke diversifikuar furnizuesit. Ndryshime befasuese në aleanca, që përfshijnë si armiqtë e vjetër (p.sh. SHBA-ja dhe Venezuela) ashtu edhe miqtë e vjetër (p.sh. Perëndimi dhe monarkitë arabe; Rusia dhe Kazakistani), nuk mund të përjashtohen. Se sa shpejt, në këtë botë garuese, nevoja për të siguruar furnizimet kombëtare me energji mund të çojë në përplasje me parimet e politikës së jashtme të bazuar në vlera, ishte diçka që qeveria e re gjermane duhej ta zbulonte që në ditët e para të saj në detyrë.

Ndarja globale e punës (zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit)


Që nga kriza financiare e vitit 2008, tregtia globale dhe investimet ndërkufitare nuk janë rritur më. Kriza e Covid-19 i ka bërë njerëzit më të vetëdijshëm për cenueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit global. Dështimi i strategjisë “Zero Covid” në Kinë dhe izolimet drastike në Shenzhen dhe Shangai tregojnë se, dy vjet tashmë pas shpërthimit të pandemisë rreziku i ndërprerjeve të zinxhirëve globalë të furnizimit nuk është eliminuar ende. Nëse mungojnë pjesë nga Lindja e Largët, procesi i prodhimit në Evropë ndalon gjithashtu. Zhvendosja e paradigmës prej efikasitetit “Just in Time” (Fiks në Kohë) drejt qëndrueshmërisë më të madhe “Just in Case” (Për Çdo Rast) po përshpejton prirjen e fshehur drejt deglobalizimit që ka filluar prej disa kohësh.

Por motivet gjeo-ekonomike si dhe gjeopolitike favorizojnë gjithashtu shkurtimin dhe devijimin e zinxhirëve të furnizimit dhe tani po nxisin ndarjen dhe izolimin e tregjeve. SHBA-ja po përpiqet të ngadalësojë ngritjen ekonomike të rivalit të saj, Kinës. Në prapaskenë, presioni nga të dyja palët po rritet mbi aleatët e tyre dhe mbi vendet e treta për të mbajtur anë. Evropianët dhe aziatikët ende po i rezistojnë tërheqjes drejt kësaj Luftë të re të Ftohtë. Por mosmarrëveshjet mbi tubacionet e gazit, prodhuesit e çipave dhe infrastrukturën e komunikimit 5G tregojnë se sa shpejt kompanitë dhe shtetet mund të kapen midis frontesh kundërshtare. Rezultati përfundimtar i këtij zhvillimi ka të ngjarë që të jenë blloqe rivale që e bëjnë të vështirë ose të pamundur për konkurrentët e padëshiruar hyrjen në tregjet e tyre.

Lexo më shumë  Këlliçi: Për pak javë karriera politike e Veliajt do mbyllet

Ato zor se u shpëtuan sanksioneve të Amerikës së Trumpit, kurse tani kompanitë gjermane po përballen me erëra kundër tyre në tregun kinez. Megjithatë, shumica po i reziston presionit për t’u shkëputur nga Kina, ndërkohë që disa po përpiqen edhe më fortë në tregun kinez pavarësisht nga përkeqësimi i kushteve. Duke pasur parasysh rëndësinë e tregut kinez, thirrja që u bë në dokumentin e strategjisë të Indo-Paqësorit, të Qeverisë Federale për të reduktuar varësitë e njëanshme përmes diversifikimit, shkon pra shpesh e padëgjuar.

Por lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës tani mund ta ndryshojë këtë kalkulim. Vështirë se dikush do ta kishte menduar se është e mundur që Perëndimi të reagonte kaq shpejt, kaq fuqishëm dhe me një unitet të tillë ndaj agresionit rus. Përjashtimi i Rusisë nga sistemi SWIFT, sanksionet kundër bankës qendrore ruse, por edhe tërheqja vullnetare e kompanive perëndimore nga tregu rus, e gjitha kjo ka lënë gjurmë – jo më pak në Kinë.

Edhe në Gjermani disa u habitën se sa shpejt u therën edhe “lopët e supozuara të shenjta” si gazsjellësi Nordstream 2. Kjo përvojë e presionit të madh publik dhe politik ka të ngjarë të bëjë që shumë kompani gjermane të rivlerësojnë strategjitë e tyre drejt “tregjeve të tjera problematike”. Nëse mundësitë e shitjes për biznesin gjerman në tregjet globale mbyllen në të ardhmen afatmesme, Gjermanisë do t’i duhet të rimendojë se çfarë është e gatshme të bëjë për të udhëhequr tregun jetik vendas evropian, nisur nga kriza e tij e zgjatur.

Më pak i njohur është motivimi gjeostrategjik që qëndron pas Iniciativës Brezi dhe Rruga

Riorganizimi i ekonomisë globale sipas interesave gjeopolitike po i vë nën presion industritë kyçe si industria gjermane e makinave. Nëse motorri i rritjes lëkundet, konfliktet e shpërndarjes brenda dhe ndërmjet shoqërive intensifikohen. Frika nga rënia sociale po rritet edhe tek shtresat e mesme. Frikë nga rënia është kanali që përdorin populistët për agjitacionin e tyre kundër parakushteve për suksesin e modelit të eksportit, qarkullimit të lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe ideve. Kështu, prirja globale drejt proteksionizmit nxitet jo vetëm nga faktorë të jashtëm, por edhe nga presioni i brendshëm. Në një botë të tillë nuk mund të ketë më asnjë kampion bote në eksport. Gjermania mbi të gjitha do të duhet të rimendojë modelin e saj ekonomik të orientuar drejt eksportit.

Infrastruktura


Kur kritikët perëndimorë diskutojnë projektin kinez “Rruga e Mëndafshit”, fokusi i tyre është zakonisht te kurthet e borxhit ose në krijimin e varësive politike. Ekziston një dyshim i justifikuar se projekti gjigand përfaqëson një shtytje kineze për t’u bërë një fuqi dominuese në Azi dhe në botë. Megjithatë, më pak i njohur është motivimi gjeostrategjik që qëndron pas “Iniciativës Brezi dhe Rruga”.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë krijuar baza në një zinxhir ishujsh që shkojnë nga veriu i Japonisë deri në jug të Indonezisë. Dhe që kur administrata e Obamës shpalli “Pivot to Asia“, SHBA-ja ka përqendruar forcat e saj këtu. Midis Ngushticës së Malacca-s dhe Ngushticës së Hormuzit (amerikanët i quajnë këto ngushtica “pika mbytëse”), Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj mund të bllokojnë tregtinë dhe rrugët e furnizimit kinez në çdo kohë. Kina ndihet e rrethuar dhe reagon në një mënyrë agresive mbrojtëse.

Qëllimi i grumbullimit të ushtrisë së saj në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore është të thyejë “Zinxhirin e Parë Ishullor” dhe të dëbojë SHBA-në nga ujërat bregdetare kineze. “Skifterët” kinezë shkojnë edhe një hap më tutje dhe duan të detyrojnë ribashkimin e “bartësit të pambytshëm të avionëve amerikanë”, Taivanit me vatanin. Teksa bombarduesit kinezë fluturojnë mbi Taipei, propaganda kineze akuzon SHBA-në se po sfidon status quo-në duke vënë në pikëpyetje politikën “Një Kinë” dhe duke provokuar kështu një konflikt. Kjo është një lojë pokeri shumë e rrezikshme, jo vetëm sepse Tajvani prodhon çipa gjysmëpërçues të domosdoshëm, por edhe sepse nga këndvështrimi i amerikanëve, të traumatizuar nga Pearl Harbor, mbrojtja e atdheut të tyre fillon në Zinxhirin e Parë Ishullor. Pra, në Ngushticën e Tajvanit shtrihet një fitil që mund të nisë Luftën e Tretë Botërore.

Prandaj, me anë të projektit të “Rrugës së Mëndafshit” Kina po përpiqet t’i shpëtojë lakut që amerikanët i kanë vënë në fyt drejt Perëndimit. Qëllimi i menjëhershëm i porteve, korridoreve dhe linjave të shumta hekurudhore është të parandalojnë ndërprerjen e rrugëve të furnizimit kinez. Entuziazmi fillestar i shteteve pa dalje në det të Azisë Qendrore, tregon shpresat e mëdha të partnerëve të Iniciativës së Rrugës së Mëndafshit se strategjia për lidhjen me Rrugën e lashtë të Mëndafshit do të çojë në përfitime prosperiteti për të gjithë. Çmimi i vërtetë megjithatë qëndron në skajin tjetër të Euroazisë: tregu evropian, i cili supozohet të garantojë mundësi shitjeje për produktet kineze në afatgjatë. Nëse Pekini arrin ta lidhë Evropën më afër, Kina dhe Rusia do të kenë bërë një hap të madh drejt qëllimit të tyre për të neutralizuar ndikimin e SHBA-së në Euroazi.

Skifterët kinezë te sanksionet kundër Rusisë shohin një mundësi për të sulmuar supremacinë e dollarit amerikan

Megjithatë, me fillimin e një Lufte të re të Ftohtë, një perde e re e hekurt tani kërcënon ta presë “Rrugën e Mëndafshit”. Nga këndvështrimi i Kinës kjo do të ishte një katastrofë gjeostrategjike. Kjo është një arsye pse Kina, pavarësisht se e vetmja ‘miqësi e pakufizuar’ e shpallur kohët e fundit, nuk i ofron vërtet ndihmë thelbësore partnerit të saj më të vogël, Rusisë (arsyeja e dytë është njohja ruse e dy provincave të shkëputura të një shteti sovran; duke parë Tajvanin, një skenar i tmerrshëm për kinezët). Kështu, Pekini ka një interes të veçantë për një fund të shpejtë të luftës në Ukrainë (por heziton të marrë përgjegjësinë e një ndërmjetësi). Nëse kjo nuk ndodh, Kina ka të ngjarë të shtyjë përpara me zgjerimin e Rrugëve detare të Mëndafshit.

Lexo më shumë  SHBA-ja thotë se Rusia ka përdorur “agjentë kimikë” kundër trupave ukrainase

Paraja dhe tregjet financiare


Nga këndvështrimi i strategëve kinezë, pas rënies së industrisë amerikane, themeli i mbetur – dhe rrjedhimisht thembra e Akilit – i hegjemonisë së SHBA-së është roli i dollarit si monedhë rezervë në tregjet ndërkombëtare të mallrave dhe tregjet financiare. Prandaj, Kina është duke u përpjekur për disa kohë për një alternativë ndaj sistemit SWIFT (‘CIPS’) dhe për një monedhë dixhitale (Digital Yuan, e-CNY). Megjithatë, asnjëri prej këtyre instrumenteve nuk është ende gati të përbëjë një kërcënim real për dollarin.

Skifterët kinezë te sanksionet kundër Rusisë shohin tani një mundësi për të sulmuar supremacinë e dollarit amerikan. Ngrirja e rezervave të bankave qendrore ruse ka vënë në gatishmëri të lartë të gjitha bankat qendrore të botës. Për të mos u shantazhuar vetë, ata tani ka të ngjarë të zhvendosin rezervat në një shkallë të madhe. Nëse kjo është në kurriz të investimeve amerikane, mund të destabilizojë pozicionin e dollarit si monedhë globale rezervë.

Roli i dollarit amerikan si monedhë transaksioni është gjithashtu një burim irritimi. Në fund të fundit, presioni inflacionistë që buron nga Rezerva Federale Amerikane përcillet në mbarë globin nga të gjithë ata aktorë që mbështeten te dollari amerikan për kryerjen e tregtisë së tyre ndërkufitare. Prandaj, Rusia, Kina, India dhe Irani janë përpjekur prej disa kohësh të ‘çdollarizojnë’ ekonomitë e tyre duke përdorur një shportë më të gjerë valutash për tregtinë e tyre të jashtme.

Prandaj, nuk është për t’u habitur që Rusia tani dëshiron t’i kryejë transaksionet e saj të naftës dhe gazit vetëm në rubla. Përpjekjet e Kinës për të çdollarizuar tregtinë e saj të jashtme, gjithashtu përputhen me qëllimin strategjik të Pekinit për të përmirësuar statusin global të monedhës së vet. Por nëse një aleat i SHBA-së si Arabia Saudite tani po negocion seriozisht për t’i kryer marrëveshjet e saj të naftës me Kinën me juan, kjo tregon se sa e përhapur është pakënaqësia me këtë hegjemoni. Kjo nuk është pa rrezik, sepse pas braktisjes së standardit të arit, dollari amerikan u lidh me mallin qëndror të kapitalizmit industrial fosil përmes procesit Clearing and Settlement për tregtinë globale të naftës. Nëse vendet e tjera të OPEC-ut do të braktisnin petrodollarin, monedhat e gjelbra të rikthyera ndoshta do të rrisnin më tej presionet inflacioniste në SHBA në afatshkurtër. Në terma afatgjatë, si RMB-ja kineze, ashtu edhe kriptovalutat e bazuara në teknologjinë blockchain mund të maturohen në monedha të qëndrueshme transaksionesh. Strategët skeptikë ndaj SHBA-së besojnë se nëse funksionet e dollarit amerikan si një monedhë rezervë investimi dhe transaksioni me të vërtetë vazhdojnë të gërryen, atëherë pozicioni i monedhës amerikane si monedhë rezervë globale mund të fillojë të lëkundet drejt kolapsit.

Skifterët amerikanë duan t’i “gjakosin rusët për t’u dërguar një sinjal kinezëve që t’i mbajnë duart larg Tajvanit”

Megjithatë, edhe pas një dekade e gjysmë përpjekjet që synojnë “çdollarizimin” nuk e kanë rrezikuar seriozisht pozicionin e dollarit amerikan si monedhë rezervë globale. Deri në vitin e kaluar, 90 përqind e të gjitha transaksioneve valutore vazhduan të shlyheshin në dollarë amerikanë dhe 60 përqind e të gjitha rezervave të bankës qendrore janë investuar në dollarë. Në veçanti, kriptomonedhat blockchain janë shumë larg të qenit në gjendje të zëvendësojnë dollarin. Dhe nëse një monedhë kineze (dixhitale) pa tregje të hapura financiare kineze, mund të marrë në të vërtetë funksionet e një monedhe rezervë, kjo është e dyshimtë. Prandaj, ekspertët amerikanë besojnë se pozicioni i dollarit është akoma më i rrënjosur edhe sot, sepse bankat qendrore të huaja e dinë se në rast emergjence Fed-i amerikan do bëjë gjithçka për të mbështetur pjesën e sistemit financiar të shprehur në dollarë.

Se si do të duket rendi i ardhshëm botëror do të vendoset nga marrëdhëniet globale të fuqive. Rusia e ka mbivlerësuar forcën e saj. Edhe nëse Moska ende ia del të fitojë luftën në Ukrainë ushtarakisht, në aspektin gjeopolitik ajo do të bjerë përsëri në nivelin e dytë si partneri i vogël i Kinës. Megjithatë, paqëndrueshmëria e re në kontinentin evropian ka të ngjarë të zbehë perspektivën ekonomike edhe për Evropën Perëndimore. Pas vlerësimit të realitetit ukrainas, ëndrrat gjeopolitike për një pol të pavarur evropian të energjisë do të rivlerësohen si rrjedhim nga shtetet anëtare të BE-së.

Kjo lë vetëm Kinën dhe Shtetet e Bashkuara si fuqi të afta për të vendosur dhe ruajtur rendin. Kjo shpjegon pse Uashingtoni dhe Pekini nuk dëshirojnë të zhyten në këtë “konflikt evropian”: dy superfuqitë e lexojnë konfliktin mbi të gjitha përmes lenteve të garës së tyre mbi hegjemoninë globale. Rrjedhimisht, skifterët amerikanë duan t’i “gjakosin rusët për t’u dërguar një sinjal kinezëve që t’i mbajnë duart larg Tajvanit”. Edhe pse kjo nuk është jo kontroverse në Uashington, një koalicion dypalësh për një Luftë të Ftohtë kundër “aleancës së autokracive” ka zënë vend tashmë prej disa kohësh.

Në Pekin, nga ana tjetër, ka ende mosmarrëveshje nëse është me të vërtetë në interesin e Kinës që të zhduket pas një perdeje të re të hekurt përkrah një Rusie të dobësuar, apo nëse Kina nuk do të përfitonte më shumë në planin afatgjatë nga një botë e hapur. Për rrjedhojë, gjeopolitikisht, do të ishte një gabim fatal që kinezët dhe rusët të grumbulloheshin me nxitim në një “bosht autokracish”.

Në vend të kësaj, do të ishte më mirë të shqyrtonim së bashku se si mund të duket një rend shumëpalësh i bazuar në rregulla, i cili siguron një kornizë brenda së cilës interesat thelbësore dhe shqetësimet e sigurisë të të gjitha fuqive mund të negociohen dhe pajtohen paqësisht. Ata që mendojnë se kjo është jorealiste duhet të kujtojnë Luftën e fundit të Ftohtë: atëherë, gjithashtu, bashkëpunimi midis rivalëve sistematikë brenda kornizës së rregullave bazë për të cilat u ra dakord ishte i suksesshëm.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *