Lajme

REL: SHBA-ja i jep dritën e gjelbër armatimit për Kosovën me vlerë prej 14 milionë dollarësh

Departamenti amerikan i Shtetit e ka njoftuar Kongresin amerikan për një leje të propozuar për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes drejt Kosovës, në vlerë prej 14 milionë dollarësh apo më shumë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë disa burime brenda Kongresit.

Njoftimi është dërguar nga Byroja për Çështje Legjislative e Departamentit amerikan të Shtetit, në përputhje me nenin 36(c) të Ligjit për Kontrollin e Eksportit të Armëve.

I njëjti i është përcjellë Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.

Neni 36(c) kërkon që administrata amerikane ta njoftojë Kongresin për disa shitje apo leje të propozuara të artikujve dhe shërbimeve të mbrojtjes për shtete të huaja.

Lexo më shumë  Sekuestrohen rreth 300 fishekë dhe uniformë me logo të Serbisë në Zubin-Potok

Në dokumentin e Kongresit nuk jepen hollësi publike për llojin e pajisjeve apo shërbimeve që përfshihen në këtë leje.

Njoftimi për furnizimin e Kosovës me armatim të ri amerikan vjen në kohën kur kongresistë amerikanë po bëjnë thirrje që Uashingtoni ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë pajisje ushtarake nga Uashingtoni.

Në shkurtin e vitit 2025, Kosova pranoi dronë të blerë nga SHBA-ja. Muaj më vonë, Kosova u furnizua me autoblinda të blera në SHBA.

Lexo më shumë  'Debati mbi integrimin'/ Alizoti: Në Evropë nuk hyhet me propagandë dhe servilizëm

Në vitin 2024, Kosova bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërtanke “Javelin”.

Më 2018, nga SHBA-ja, në Kosovë kishin ardhur automjete ushtarake, të tipit Humvee. Për furnizimin me 51 automjete të këtij tipi, Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane, AM General.

Dy vjet më vonë, Kosova bleu edhe automjete të tjera ushtarake nga SHBA-ja, ndërkaq më 2021, Qeveria amerikane i dhuroi Kosovës 55 automjete të tipit ASV (Armored Security Vehicle).

Rruga Press

YouTube player