Presidentja Haxhiu dënon ashpër sulmin ndaj zëvendës Ministrit Mehani nga Sami Lushtaku: Institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse të veprojnë menjëherë, pasi në Skenderaj u sulmuan zëvendësministri në detyrë i Financave, Hysni Mehani dhe kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Bahri Zabeli.
“Dhuna fizike në jetën publike është cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike. Mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik. Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë, të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit. Hysni Mehanit i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike. Familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve u bëj thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Rruga Press

