Lajme

Reka e quan analogji false krahasimin që Putini i bëri Kosovës me Krimenë dhe Donbasin

Ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, ka thënë se analogjinë e mëhershme false të “Krimesë me Kosovën”, të martën presidenti rus, Vladimir Putin e “begatoi” edhe me atë të Donbasit.

Sipas tij, në takimin me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Putini u mundua ta shesë krahasimin e paqëndrueshëm të dy rasteve krejtësisht të ndryshme.

“Pavarësia e Kosovës lindi nga lufta çlirimtare kundër një shteti të huaj pushtues që ushtronte aparthejd dhe gjenocid kundër popullatës shqiptare. Ndërkaq, Kremlini njohu njëanshëm ‘pavarësinë’ e Krimesë, Donjeckut e Luganskut për t’i bashkuar Rusisë. Kosova, pra luftoi për çlirim kundër shtetit të huaj (Serbisë), duke e mbrojtur territorin e vet nga ky pushtim. Krimea dhe Donbasi, ndërkaq u ‘pavarësuan’ me pushtimin nga një shtet i huaj (Rusia) duke shkëputur territor të Ukrainës”, ka shkruar Reka në një postim në Facebook.

Lexo më shumë  Ministri Maqedonci njofton se mbi 500 rekrutë nisin stërvitjen për t’iu bashkuar FSK-së

E këtë Reka thotë se Putini nuk e bëri pse nuk e dinte, pasi Rusia është një nga pesë shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

“Aq më tepër që edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dallon qartë këto dy raste, duke vendosur ndryshe”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në vitin 2010, GJND-ja konkludoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare. Reka thekson se po kjo gjykatë e OKB-së muajin e kaluar, e dënoi invazionin rus në Ukrainë, si shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Haxhiu kërkon më shumë mbështetje për shqipen në epokën digjitale

“Më qartë se kaq shëndosh. Mirëpo, ‘analogjia’ e Putinit synon mbajtjen e Serbisë në orbitën ruse para ‘hapjes së letrave’ në ‘pokerin e madh’ në East River. Kuptohet, nëse ndërkohë, ai nuk gjykohet për krime lufte”, ka shkruar ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *