KryesoreOpinion/Aktualitet

Regjisori përkrahës i Millosheviqit, Emir Kusturica, emërohet në krye të teatrit të ushtrisë ruse

Regjisori serb, i njohur për qasjen e tij nacionaliste e si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ka pranuar ofertën e ministrit të Mbrojtjes të Rusisë, Sergej Shojgu, që të marrë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Teatrit Qendror të Ushtrisë së Rusisë. Lajmin për këtë e ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes e Rusisë, Rosijana Markovska. Në jo pak media të Beogradit, një lajm si ky është prezantuar si alamet arritjeje për regjisorin serb. Siç citojnë mediat atje, Kusturica e ka pranuar me kënaqësi ofertën që i është bërë. “Për mua oferta nga Sergej Shojgu që të bëhem drejtori i atij teatri është një nder i madh. Skena e teatrit të ushtrisë ruse ka histori e traditë të madhe”, citohet të ketë thënë ai.

Emir Kusturica, edhe pse gjatë karrierës së tij ka bërë emër edhe në festivale botërore, ka nam edhe për qasjen e tij nacionaliste. Ka një histori edhe më Kosovën. Më 2013, paralajmëroi se po shkruante skenarin e filmit bazuar në raportin e Dick Martyt që pretendon se liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë tregti me organe të njerëzve. Edhe pse filmi –së paku deri më tani– nuk është realizuar paralajmërimi i tij asokohe bëri bujë. Nga komuniteti artistik në Kosovë, por jo vetëm, qe kërkuar që ai të shpallej person “non grata”.

Lexo më shumë  Gërvalla në veri: Tani ndihet kujdesi i shtuar ndaj kësaj pjese të harruar

Aktori Lirak Çelaj, asokohe në cilësinë e kryetarit të Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, kishte thënë se ai rast meritonte një reagim jo vetëm të komunitetit vendas, por edhe të atij ndërkombëtar. Kishte thënë se ka bindjen që një reagim vetëm nga komuniteti artistik në vend nuk mund të çonte peshë ashtu sikurse një reagim shtetëror. “Kusturica fillimisht nuk mund të quhet artist, sepse ai është regjisor i skenarëve që i shkruan qeveria serbe dhe ai ka përkrahur regjimin e Milosheviqit. Për këtë është mirë që komuniteti ndërkombëtar ta sanksionojë këtë regjisor e në Kosovë të shpallet person non grata’”, kishte thënë Çelaj.

Lidhjet e Kusturicës me Rusinë janë të kahershme. Presidenti rus Vladimir Putin, në nëntor të vitit 2016, e dekoroi me “Urdhrin e Miqësisë” për “kontributin e shquar në forcimin e miqësisë midis popujve, për popullarizimin e gjuhës dhe kulturës ruse jashtë vendit”. Madje edhe filmin për Kosovën kishte paralajmëruar ta xhironte pikërisht atje. “Është e sigurt që këtë film do ta xhiroj në Rusi, sepse e di që nuk do të më lejohej ta xhiroja atë në Kosovë. Tekefundit, atje nuk mund të hyjë as shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovë, e lëre më unë”, kishte thënë Kusturica. Në tetorin e vitit 2012, Kusturica kishte vizituar Kosovën, përkatësisht Leposaviqin, një vendbanim me shumicë serbe. Me filmin e tij të shkurtër “Jeta jonë”, ai kishte hapur edicionin jubilar, të dhjetin me radhë të festivalit të filmit “Leposaviq 2012”. Kusturica kishte thënë se miti kosovar është ai që i jep peshë dhe shpirt jo vetëm popullit të Kosovës, por edhe krejt Serbisë, teksa kishte shtuar se do të mundohej që t’i ndihmojë popullit serb që jeton në Kosovë.

Lexo më shumë  Sa ndihmë ushtarake i është dhënë deri më tani Ukrainës?

Emir Kusturica gjatë luftërave në ish-Jugosllavi u shpreh hapur si përkrahës i radikalizmit shtetëror serb. Tradhtoi vendlindjen e tij, Bosnjën, kombin e tij dhe ende vazhdon të jetë i padëshiruar në vendlindjen e tij, Sarajevë. Përkrahu hapur Slobodan Millosheviqin dhe regjimin e tij në luftërat në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë e më 2005-n u pagëzua si Nemanja Kusturica në manastirin “Savina” afër Herceg-Novit në Mal të Zi. Ndër të tjera, në shkurt të 2008-s ishte njëri ndër folësit kryesorë në mitingun e mbajtur në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës, “Kosova është Serbi”, ku bënte thirrje për mbrojtjen e “tokës së shenjtë serbe”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *