Bota

Refugjatët ukrainas përdorin pikëkalimin El Çaparral në Meksikë për të hyrë në SHBA

Tihuana është bërë qyteti ku familjet dhe miqtë e refugjatëve ukrainas shkojnë për të kërkuar siguri për të dashurit e tyre që i kanë shpëtuar luftës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza ishte dëshmitare e këtyre përpjekjeve, pak metra larg pikëkalimit El Çaparral, në kufirin mes San Diegos në Shtetet e Bashkuara dhe Tihuanës në Meksikë.

Tek ecën në një urë të lartë në Tihuana të Meksikës – shtetasi amerikan Chris Hoshaw është mirënjohës, që mundi të largohej nga Ukraina me prindërit e bashkëshortes së tij.

“Ata u larguan nga Ukraina pesë ditë më parë dhe kjo ishte një nga shqetësimet tona kryesore sigurisht. Nuk e dimë se në çfarë drejtimi po shkon lufta”.

Chris Hoshaw thotë se familja e tij në Poloni nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të largohej pasi pa se si po shpalosej lufta në Ukrainë. Ai u takua me vjehrrën dhe vjehrrin e tij në Poloni pasi arritën të largoheshin nga Ukraina.

Lexo më shumë  Tajvani: Kina dërgoi avionë ushtarakë në territorin e saj

“Morën një autobus dhe mundën të largohen. Ishte një udhëtim i gjatë, rreth 12 orë, nga Lvivi në Varshavë“, thotë Chris Hoshaw.

Çifti – që flet vetëm gjuhën ukrainase – mbërriti me një valixhe. Është një histori si shumë të tjera në kufirin e Tihuanës me San Diegon.

Sipas autoriteteve amerikane, gati tre mijë ukrainas kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës. Zyrtarët hapën kohët e fundit vendkalimet e këmbësorëve në qytetin kufitar të Tihuanës në pikëkalimin ‘El Çaparral’. Pika është hapur vetëm për përpunimin e dokumentave të refugjatëve ukrainas që kërkojnë azil.

“Shtetet e Bashkuara dhe autoritetet meksikane janë duke punuar së bashku. Kjo ndihmon në përpunimin e të dhënave duke qënë në gjendje të ndihmojmë familjet për të përshpejtuar kërkesën e tyre”, thotë Román Cota me Komisionin për Çështjet e Kufirit dhe Emigracionit.

Autoritetet meksikane thonë se me ndihmën e vullnetarëve, ata po përpunojnë me shpejtësi azilkërkuesit. Pesëdhjetë refugjatë ukrainas thuhet se kalojnë në Shtetet e Bashkuara përmes kësaj pike çdo dy orë.

Lexo më shumë  Rafineria ruse e naftës pezullon funksionimin pas “sulmit me dronë ukrainas”

“I çojmë nga këtu në aeroport, ose nëse duhet të qëndrojnë këtu dy-tri ditë, i vendosim në kishë, ku mund t’i lëmë të qëndrojnë”, thotë Arturo Barrazam vullnetar.

Edhe pse pikëkalimi El Çaparral aktualisht po pranon refugjatë ukrainas, autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar ende se do ta hapin atë për të gjithë kur një ligj që inkurajon dëbimet të pushojë së funksionuari në fund të majit.

Ligji u miratua në vitin 2020 në kulmin e pandemisë COVID-19 nga Presidenti i atëhershëm republikan Donald Trump. Duke përmendur çështjet e sigurisë, ai vendosi që emigrantët të dëboheshin shpejt pa qenë në gjendje të aplikonin për azil.

Sipas të dhënave të doganës që nga marsi i vitit 2020, 1.7 milionë emigrantë janë kthyer mbrapsht në Meksikë, ose në vendet e tyre të origjinës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *