Lajme

Reforma në Drejtësi, Ekspertët: Duhet të mbizotërojë vullneti i shqiptarëve për të luftuar korrupsionin

Autore: Allison Pirog

Shqipëria ka hedhur sytë nga komuniteti ndërkombëtar për mënyrat për të çrrënjosur korrupsionin në drejtësi, por ekspertët thonë se zgjidhjeve të tyre shpesh u mungon kontributi lokal dhe mendimi afatgjatë, duke munguar në këtë mënyrë elementë që mund të çojnë në dështim.

Për shembull, proponentët e reformës në Shqipëri, të këshilluar nga SHBA-ja dhe BE-ja, bazuan Gjykatat Speciale të vendit Kundër Korrupsionit – e cila po heton korrupsionin në gjyqësor dhe gjetkë – në agjencitë rumune dhe kroate. Por Andi Hoxhaj, një studiues në Shkollën Juridike Ëarëick në Mbretërinë e Bashkuar, i cili hulumton përpjekjet kundër korrupsionit, tha se ato janë modele të papërsosura për shkak të kushteve unike socio-ekonomike të këtyre dy vendeve. Ajo që funksionon në një vend mund të dështojë në një vend tjetër, tha ai.

Rumania u zgjodh si model sepse kishte edhe një histori të komunizmit, tha Hoxhaj. Megjithatë, Rumania kaloi në demokraci pas një revolte popullore, ndërsa ishte elita komuniste ajo që detyroi një ndryshim regjimi në Shqipëri, shtoi ai.

“Pra, ky është një ndryshim i madh, që do të thotë se reagimi i publikut [ndaj reformave] mund të jetë i ndryshëm në këto vende,” tha Hoxhaj.

Nëse bashkësia ndërkombëtare është e përfshirë, Hoxhaj tha se duhet të punojnë më shumë me vendasit, duke përfshirë organizatat bazë në terren, për të planifikuar reformat.

“Ju lexoni mjaft raporte të shkruara nga ekspertë jashtë vendit, por ata nuk angazhohen shumë me vendasit,” tha Hoxhaj. “Ndonjëherë thjesht dëgjon atë që komuniteti ndërkombëtar dëshiron të dëgjojë.”

Një tjetër eksperte për këtë temë, Alina Mungiu-Pippidi, një profesore e studimeve të demokracisë në shkollën Hertie në Berlin, pajtohet me këtë vlerësim.

Ajo sugjeron të shqyrtohet pse ish-presidenti i Gjeorgjisë është një histori suksesi për qeverisjen e mirë. Mungiu-Pippidi thotë se ai injoroi këshillat e donatorëve të huaj, por mori paratë e tyre. Estonia, e cila vendosi programe të suksesshme kundër korrupsionit, gjithashtu kishte “sovranitet absolut” mbi këto reforma, tha ajo.

“Njerëzit duhet të reformojnë vendet e tyre,” tha Mungiu-Pippidi, duke reflektuar mbi atë që ndodhi në Shqipëri. “Ata [komuniteti ndërkombëtar] nuk duhet të reformojnë vendet e njerëzve të tjerë, sepse kjo krijon një efekt dekurajues për këta të fundit, që përfundimisht do duhet të ishin reformuesit e vendit të tyre, por që presin që zgjidhjet të vijnë nga Brukseli (duke iu referuar BE-së).”

Qeveria amerikane ka këshilluar Shqipërinë për reformat në 30 vitet e fundit. Kur kësaj të fundit iu kërkua t’u përgjigjet kritikëve që thonë se shqiptarët duhet të jenë nismëtarët e vetëm për reformimin e gjyqësori të tyre, Ambasada e SHBA-së, përmes Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Shqipëri, u përgjigj në një email se amendamentet [për reformën në drejtësi] në Kushtetutën shqiptare sigurojnë një rol këshillimor për partnerët ndërkombëtarë në përpjekjet për reforma.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Që nga fillimi, ishte e qartë se kundërshtuesit e reformës do të krijonin pengesa, në një përpjekje për të ruajtur aftësinë e tyre për të manipuluar sistemin e drejtësisë,” shkroi zyra.

Amerikanët nga Zyra e Zhvillimit, Asistencës dhe Trajnimit Prokurorial të Jashtëm (OPDAT), e cila dërgon prokurorët amerikanë në ambasada si këshilltarë, ndihmuan në hartimin e legjislacionit dhe amendamenteve kushtetuese për të reduktuar korrupsionin në Shqipëri, shkruant zyra. OPDAT këshillon për mënyrat e zbatimit të marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, marrëveshjet e bashkëpunimit, një hapësirë më të gjerë për të sekuestruar pasuritë dhe të drejtat e viktimave, shtuan ata.

“OPDAT vazhdon të ndihmojë Shqipërinë në zbatimin e këtyre ndryshimeve kritike në sistem, me seminare dhe asistencë në hartimin e akteve nënligjore, rregulloreve dhe udhëzimeve të nevojshme për funksionimin e institucioneve të drejtësisë shqiptare”, shkruan zyra e Ambasadës.

Por programet e qeverisjes së mirë funksionojnë vetëm nëse një vend arrin një “masë kritike” njerëzish që duan reforma, jo kur këshilltarët e huaj krijojnë programe siç kanë në Shqipëri, tha Mungiu-Pippidi. Asnjë nga tetë rastet e programeve të qeverisjes së mirë të financuara nga BE-ja që Mungiu-Pippidi ka studiuar nuk ishin efektive, shtoi ajo. Ajo është e shqetësuar se Shqipëria do të ketë të njëjtin fat.

Mungiu-Pippidi nuk është e vetmja në pikëpamjen e saj se reforma duhet të vijë nga brenda një vendi dhe jo të imponohet nga jashtë. Një raport i Këshillit të Evropës në mars 2020 zbuloi se Shqipëria nuk po e përdorte në kapacitet të plotë “aftësinë e saj të brendshëm të zgjidhjes së problemve” për të trajtuar korrupsionin, dhe në vend të kësaj kërkonte ndihmë ndërkombëtare pas vitesh përfshirjeje ndërkombëtare.

Raporti rekomandoi BE-në që të trajnojë zyrtarët shqiptarë për të zbatuar qasje të qëndrueshme që përdorin burimet e brendshme të Shqipërisë.

Por SHBA-ja vazhdon të investojë miliona në Shqipëri. Departamenti i Shtetit dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar shpenzuan 4.89 milionë dollarë për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë në Shqipëri në vitin 2020, sipas një fletë të dhënash të Departamentit të Shtetit. Ambasada në Tiranë punon me një “spektër të gjerë” të publikut, ku përfshihen studentë, politikanë, OJQ, institucione shtetërore, media dhe ushtarakë, shkruan Zyra e Marrëdhënieve me Publikun.

OJQ-të mund të aplikojnë për grante nga Ambasada e SHBA. Aplikantët paraqesin një propozim dhe u jepet përparësi projekteve që “luftojnë kulturën e korrupsionit” dhe “promovojnë rolin e shoqërisë civile në çuarjen përpara të proceseve demokratike”, së bashku me objektivat e tjerë, sipas faqes së internetit të Ambasadës.

Por Hoxhaj sheh dy probleme në këtë proces dhe mënyrën se si reformat shpesh zbatohen në Shqipëri, nga jashtë. Ai thotë se vendet donatore që financojnë përpjekjet kundër korrupsionit në Shqipëri, kryesisht SHBA-ja dhe BE-ja, priren të punojnë me një grup të vogël OJQ-sh që kanë një nxitje financiare për të shmangur përmirësimet e mëdha. Nëse korrupsioni zvogëlohet, këto organizata ka të ngjarë të humbasin fondet e tyre.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Një problem tjetër, tha Hoxhaj, është se paratë e donatorëve ndonjëherë shpenzohen për programe të qeverisjes së mirë që mësojnë etikën, pavarësisht faktit se zyrtarët e korruptuar tashmë e dinë dallimin midis së drejtës dhe së gabuarës.

Qeveria e Shqipërisë duhet të fokusohet në çrrënjosjen e pabarazisë në të ardhura dhe përmirësimin e arsimit, shkaqet kryesore të korrupsionit, nëse dëshiron të bëjë përparim në planin afatgjatë, tha Hoxhaj, duke përmendur përparimet e politikës sociale në Danimarkë, Suedi dhe Estoni që kanë çuar në më pak korrupsion.

“Një problem tjetër që çon në dështimin e reformave me qëllime të mira, tha Alban Dafa, studiues i qeverisjes dhe sigurisë në Institutin për Demokracinë dhe Ndërmjetësimin në Tiranë, është vonesa në ngritjen e vetë institucioneve të vettingut, proces i cili zgjati shumë më tepër se tetë muajt e përcaktuar fillimisht”.

Disa zyrtarë të BE kanë fajësuar opozitën për ngadalësimin e procesit të vetingut duke paraqitur një apel kushtetues ndaj procesit, por Dafa tha se opozita thjesht po ushtronte të drejtat e saj kushtetuese.

Për shkak të kaosit aktual në sistemin gjyqësor të Shqipërisë që lidhet drejtpërdrejt me reformat, zhgënjimi i publikut me reformat e BE-së dhe SHBA-së po rritet dhe do të dëmtojë reputacionin e donatorëve, tha Dafa.

“Fatkeqësisht, ky [zhgënjim] nuk ka shkaktuar reflektim në politikëbërje,” tha Dafa. “Ata janë mjaft të vendosur për t’iu përmbajtur kursit.”

Sa i përket korrupsionit gjyqësor në veçanti, një tjetër ekspert sugjeron se mund të ketë një mënyrë për ta reduktuar atë në Shqipëri dhe gjetkë, thjesht duke ndarë gjeografikisht ndërtesat e sistemit të drejtësisë nga zyrat e tjera qeveritare.

Juan Wang, një profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin McGill, tha se korrupsioni gjyqësor ka më shumë gjasa të ndodhë kur ka marrëdhënie të ngushta midis gjyqtarëve dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, shpesh të referuara si “afërsi institucionale”.

“Ju mund ta imagjinoni [afërsinë institucionale] si një automjet,” tha Wang. “Është një mjet transporti ku korrupsioni mund të hyjë në të.”

Ajo shtoi se sa më të shpeshta dhe joformale bëhen ndërveprimet ndërmjet gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë, aq më shumë afërsia institucionale bëhet mjet për korrupsion, veçanërisht në rastet penale ku rajonet e policisë ndodhen afër gjykatës.

Wang tha se reduktimi i shpeshtësisë së ndërveprimeve midis gjyqtarëve dhe zyrtarëve duke i mbajtur ndërtesat e gjykatave të ndara nga zyrat e tjera qeveritare mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemit.

Sa i përket Shqipërisë, Mungiu-Pippidi tha se do të duhet më shumë kohë për të përcaktuar nëse reformat do të sjellin ndryshim, por ajo nuk është optimiste se ato do të jenë të suksesshme.

“Është shumë herët për të gjykuar,” tha Mungiu-Pippidi. “Sigurisht, shpresoj që të funksionojë.” Burimi ACQJ (albanian center for quality journalism)

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *