Reciprociteti më i nevojshëm se kurrë në raportet Shqipëri-Greqi
Gazetari Roland Qafoku thotë se duhet të ketë reciprocitet në raportet e Shqipërisë me Greqinë.
Qafoku u shpreh në një intervistë se vizita e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në jug të Shqipërisë nuk mund të quhet e gabuar, por të gabuar konsideron disa detaje, ndër të cilat edhe mungesën e flamurit shqiptar në Himarë dhe Derviçan, ku ai zhvilloi vizitën.
Qafoku shtroi pyetjen se çfarë do të ndodhte në Greqi, nëse kryeministri Edi Rama, apo edhe ata të cilët e kanë ushtruar këtë detyrë para tij, do të shkonin në Çamëri dhe të vizitonin shqiptarët atje.
“Fjala reciprocitet është më e nevojshme se kurrë për t’u përdorur në raportet e Shqipërisë me Greqinë. Pse e them këtë?
Nuk mund ta gjykoj ose ta themi një veprim të gabuar të kryeministrit të Greqisë që vizition Shqipërinë, por të gabuar gjej disa detaje aty, që nga mungesa e flamurit, apo detaje të tjera që mund t’i kapim dhe t’i vërejmë shumë lehtë.
Ajo që mua më shqetëson është një pyetje jo patriotike, nuk po bëj patriotin, por po them: sikur Edi Rama, kryeministrër i Shqipërisë, nuk ka rëndësi, Sali Berisha, Ilir Meta kur ishin kryeministra, të shkojnë në Filat, Magëlliç dhe të bëjnë takime me ata pak banorë që flasin shqip, të shkojnë edhe në kishë, në kishën e tyre, por të shkojnë edhe në xhami, çfarë do ndodhte në Greqi? Kjo është pyetja 1 milion dollarë në të gjithë këtë histori.
Ne jemi shumë më evropianë, shumë më tolerantë, shumë më demokratë në të gjitha cilësitë, ne kemi lëshuar”, theksoi ai.
Rruga Press