Raportohet se është rrethuar objekti i Komunës së Zubin Potokut, flasin kryetari i ri Izmir Zeqiri dhe Policia
Gjatë ditës së sotme është raportuar në disa media të vendit që disa persona kanë vendosur rrethoja rreth objektit të Komunës së Zubin Potokut.
Mirëpo, diçka e tillë është mohuar nga kryetari i ri të kësaj Komune, Izmir Zeqiri.
Zeqiri tha se kjo nuk është vërtetë dhe se është duke u punuar në rrugën afër Komunës.
“Jo, ju lutem kjo nuk është e vërtetë. Sipas organeve të sigurisë po punohet në rrugën afër Komunës dhe nuk lidhet asgjë me politikë” – ka thënë ai për KALLXO.com.
Për rastin është kontaktuar edhe Policia e Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë i Rajonit të Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk kanë diçka lidhur me këto raportime.
“S’ka raportim për kryerje të ndonje vepre penale në drejtim të asaj që thoni ju” – është përgjigjur Veton Elshani.
Në zgjedhjet që u mbajtën më 23 prill në komunat veriore të Kosovës, Izmir Zeqiri, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, priu me vota për kryetar të Komunës së Zubin Potokut.
Ai mori 196 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Flatron Hasani nga Lëvizja Vetëvendosje mori 180 vota.
Në garën për kryetar kanë qenë vetëm këta dy kandidatë.
Rruga Press