Lajme

Raporti 272 faqe që fshikullon SPAK. Nivel i ulët i hetimit të zyrtarëve të lartë e krimit të organizuar. S’ka transparencë, rriten dosjet e mbartura

Niveli i ulët i rasteve të hetuara nga SPAK, për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar, është shfaqur si shqetësim serioz, në një studim të zhvilluar nga qëndra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) në Tiranë.

Dosjet e mbartuara, mungesa e transparencës së vendimmarrjes dhe sekuestrimit të pasurive, niveli i ulët i nisjes së hetimeve kryesisht por edhe rastet e ulëta të hetimit për zyrtarë të lartë dhe krimit të organizuar, janë shqetësimet kryesore të këtij raporti voluminoz.

Studimi i mbështetur nga Ambasada Holandeze në Tiranë, u përpilua nga studiuesit Mirsada Hallunaj dhe Arjan Dyrmishi, të cilët kanë monitoruar punën e prokurorisë së posaçme SPAK dhe dy gjykatave të posaçme (Shkallën e parë dhe Apel), përgjatë periudhës kohore 2020 deri në vitin 2023.

Pavarësisht evidencave dhe shifrave matematikore që zyrtarët e prokurorisë SPAK, i shfaqin si suksese kulminante të tyre, raporti prej 272 faqe, nxjerr një anë të errët të punës dhe produktivitet të prokurorisë speciale të ngritur pas reformës në Drejtësi.

Të dhënat tregojnë se shkalla e ndjekjeve penale për korrupsion dhe krimin e organizuar është relativisht e ulët, duke nënkuptuar, se më pak raste kanë përfunduar në gjykim.

“…ndikimit të përhapur dhe sofistikimit të lartë të përfshirë si në korrupsionin në nivelet e larta ashtu edhe në krimin e organizuar, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të paligjshme, mbetet një sfidë e madhe. Kjo sfidë bëhet edhe më komplekse për shkak të mungesës së transparencës dhe mungesës së të dhënave të detajuara lidhur me sekuestrimin-konfiskimin e pasurive të prodhuara nga këto aktivitete kriminale, gjë që paraqet një problem serioz…”-thuhet në raport.

Përveç kësaj, ekziston një nevojë urgjente për të adresuar mungesën aktuale të transparencës dhe boshllëqet në të dhënat lidhur me sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale.

“…zbatimi i mekanizmave efektivë të raportimit dhe publikimi i rregullt i informacionit të detajuar mbi sekuestrimin-konfiskimin e pasurive, për korrupsionin në nivele të larta ashtu edhe për krimin e organizuar, do të përmirësonte llogaridhënien dhe do të rrisë besimin e publikut…”-shprehen dy raportuesit Mirsada Hallunaj dhe Arjan Dyrmishi.

Raportuesit, dalin në përfundimin se pavarësisht përpjekjeve për të rritur numrin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, të cilat përfshijnë zyrtarë të lartë dhe afera korrupsioni të shumë përfolura, SPAK mbetet ende shumë për të bërë.

“…numri i këtyre rasteve mbetet i ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të individëve të akuzuar për vepra të lidhura me korrupsionin. Më e rëndësishmja, institucionet e specializuara duhet të përqendrohen në trajtimin e rasteve të mëdha të korrupsionit, të cilat përfshijnë praktika korruptive në shkallë të gjerë duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në buxhetin e shtetit dhe në sektorë të tjerë. Kjo qasje nuk duhet të përqendrohet vetëm në individë të veçantë, por duhet të marrë parasysh edhe kontekstin më të gjerë në të cilin vepron korrupsioni në nivelet e larta, shpesh në bashkëpunim me shumë aktorë, të ngjashëm me krimin e organizuar. Shpërbërja e këtyre rrjeteve komplekse është thelbësore për të luftuar në mënyrë efektive korrupsionin në nivelet më të larta…”-thuhet në përfundim të raportit.

Lexo më shumë  Sveçla pas aksionet dy ditor të Policisë në veri të Kosovës: Rendi dhe ligji, sovraniteti e integriteti, liria, barazia e drejtësia do të mbizotërojnë gjithandej shtetit tonë

Në fakt në këtë pikë, raportuesit kanë shumë të drejtë, pasi SPAK gjatë këtyre viteve është marrë me kryerjen e hetimeve sporadike ndaj individëve të thjeshtë të administratës publike dhe jo zyrtarëve të lartë.

Mjaft statistika fryhen në SPAK, për rastet e korrupsionit që denoncohet dhe nga media, e cila kap në veprime mitmarrje zyrtarë të ndryshëm të administratës dhe më pas këto raste regjistrohen kryesisht për korrupsion në SPAK.

Aq më tepër që për dy vite me radhë, SPAK u kthye në një institucion qesharak në luftën kundër korrupsionit. Pasi statistikat e krijuara në dy vitet e para të punës, tregonin një fryrje të rasteve korruptive ndaj punonjësve të policisë rrugore me 1 mijë apo 2 mijë lek të reja.

Aq sa këto raste të dënimit të korrupsionit, filluan të tregoheshin si barsaleta në kafenetë e Tiranës, duke gajasur dynjanë.

Aq qesharake u bë kjo situatë sa Ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti, e panë të nevojshëm bërjen e ndryshimeve ligjore, duke rritur nivelin e korrupsionit deri në 500 mijë lek të vjetra e lart, masë kjo që duhej të hetonte SPAK.

Nëse rasti korruptiv, do ishte më pak se 500 mijë lekë të vjetra atëherë çështja penale do ndiqej nga prokuroria e zakonshme.

Në raportin e CSDG theksohet se: ”…është e domosdoshme që institucionet e specializuara të intensifikojnë përqendrimin e tyre në rastet e mëdha të korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë. Duke marrë parasysh ndikimin e rëndësishëm të këtyre rasteve në buxhetin e shtetit dhe stabilitetin ekonomik më të gjerë, këto raste duhet të marrin përparësi…”.

Nga ana tjetër, raportuesit theksojnë se ndonëse nisja e hetimeve të pavarura nga Prokuroria e Posaçme, ka qenë një rekomandim i përsëritur ndër vite, dhe pavarësisht se numri i këtyre hetimeve ka shënuar rritje çdo vit, duke arritur kulmin në vitin 2023, mbetet e rëndësishme të theksohet se përqindja e hetimeve të nisura kryesisht nga Prokuroria e Posaçme, mbetet relativisht e ulët në raport me numrin total të procedimeve të regjistruara.

Lexo më shumë  Kurti: S’ka Asociacion, pa e njohur Serbia rendin kushtetues të Kosovës

Edhe pse vitet 2023 dhe 2021 kanë treguar një prirje pozitive për sa i përket numrit të të pandehurve të dënuar në raport me totalin e të pandehurve të dërguar për gjykim, ka qenë vështirë të vlerësohet plotësisht ky kriter për shkak të kufizimeve të të dhënave të përfshira në raportet vjetore të Prokurorisë së Posaçme.

Lidhur me dënimet e të pandehurve të gjykuar për krim të organizuar, viti 2023, ka shënuar një prirje pozitive, ndërkohë që për vitet 2022 dhe 2021 kjo prirje nuk mund të konstatohet.

Lidhur me gjetjet nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, është vënë re se numri i rasteve të reja për korrupsion dhe krim të organizuar ka pësuar një ulje gjatë viteve.

Sidoqoftë, dhe pavarësisht kësaj rënieje, numri i çështjeve të mbartura (backlog) është rritur. Një përmirësim është vërejtur në përfundimin e këtyre rasteve, duke reflektuar një rritje të efikasitetit të gjykatës.

Raportuesit thonë se ka qenë sfiduese të identifikohen gjetje specifike për shkallën e ankimimit të rasteve, rezultatet e çështjeve të apeluara dhe çështjet e mbartura në apel.

“…vështirësia qëndron në aktin se të dhënat në raportet vjetore të Gjykatave të Posaçme të Shkallës së Parë dhe Apelit paraqiten në formë të agreguar, duke e bërë të pamundur një ndarje të qartë dhe analizë të detajuar veçmas për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar…”-thuhet në raport.

Ndërkohë sipas raportit niveli i kompleksitetit të skemave të korrupsionit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve, duke pasqyruar strategji të ndryshme që përdoren për të fshehur aktivitetet e paligjshme.

Në vitin 2023, kishte 2 raste me shkallë të lartë ndërlikimi, të cilat përfshinin skema të ndërlikuara me shumë palë, llogari në vende të huaja dhe kompani fiktive.

Por kjo përbën një ulje në krahasim me vitin 2022, ku ishin raportuar 5 raste të tilla me ndërlikim të lartë, duke treguar përfshirjen e më pak palëve apo mekanizmave të sofistikuar për fshehjen e veprimtarive të paligjshme.

Nga ana tjetër, skemat me kompleksitet mesatar kanë mbetur të qëndrueshme në vite, me 1 rast në vitin 2023, 3 raste në vitin 2022, 4 raste në vitin 2021 dhe më pak në vitet e mëparshme.

“…është për t’u theksuar se në vitin 2023 nuk pati raste me kompleksitet të ulët ose minimal, duke sugjeruar se çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë kanë përfshirë më shumë aktivitete të sofistikuara…”-thuhet në raport.

Rruga Press

YouTube player