EditorialKryesore

Ura- Domethëniet e urës

Nga Enis Sulstarova

“Ç’të keqe u bënte kjo urë? Pse e shkatërruan? Jo po më thoni, xhanëm, me urën ç’patën?” Kjo frazë e njohur i përket skenarit të filmit triptik “Kur zbardhi një dritë” (regj. Piro Milkani, 1971). Ushtarët pushtues gjermanë gjatë tërheqjes kishin djegur një fshat shqiptar dhe kishin hedhur në erë urën pranë tij. Banorët e fshatit që janë kthyer pas thyerjes së gjermanëve diskutojnë për rindërtimin e urës në fillim, sepse prej andej pritet të vijë drithi dhe mjete të tjera jetese. Një plak i ulur mënjanë në hijen e një peme e ndjek nga larg bisedën dhe thotë fjalët e mësipërme, që më shumë ia drejton vetes, sesa shokut të ulur pranë tij. Si plak që është, ai do ta ketë parë fshatin të djegur më se njëherë, në luftëra të ndryshme, por nuk ia kishte rrokur mendja se një pushtues do të hidhte në erë urën. Ura ishte aty që nga kohërat që nuk mbahen mend, i ka hyrë në punë si vendasve, si tregtarëve, si taksambledhësve, si ushtrive pushtuese që kalonin mbi të. Njerëzit iknin e vinin, fshati digjej e rindërtohej, ura qëndronte aty, por ja që plaku kishte jetuar aq gjatë sa për ta parë edhe urën të shkatërruar. Armiku i fundit paskësh qenë i ndryshëm nga më të mëparshmit! Herët e tjera fshati kishte mbijetuar në sajë të urës, por kësaj radhe ura ishte dëmtuar dhe banorët rrezikonin që të izoloheshin nga shirat e vjeshtës. Pa urën, njerëzit – më së shumti burra pleq, gra e fëmijë, sepse djemtë e rinj kishin shkuar në luftë – nuk do t’ia dilnin t’i rikthenin jetën fshatit. Prandaj, duke e ditur se nuk do të kishin ndihmë nga jashtë, fshatarët dhe një grup partizanësh i përvishen riparimit të pjesës së dëmtuar të urës me forcat e veta. Kjo është puna e parë kolektive (fshatçe) në ditët e para të lirisë dhe ata ia arrijnë qëllimit: kamioni i parë me drithë e kapërcen urën; atë e vozit me kujdes komisari partizan duke përdorur njërën dorë, ngaqë tjetrën e ka të plagosur nga beteja e fundit me gjermanët. Kuptimi rroket lehtë: komunistët i prinë popullit në luftë dhe do të ishin po ata që do të organizonin rindërtimin e vendit.

            Përtej ideologjisë komuniste të kohës kur është prodhuar filmi, rindërtimi urës në liri ka dhe një kuptim universal: ura e fshatit, si çdo urë tjetërkund, është ngadhënjim i njeriut mbi pengesat natyrore, është dalje nga veçimi, është lidhje e lokalitetit me botën, është edhe metaforë e kapërcimit të së shkuarës traumatike dhe e ndërtimit të një jete të re në të ardhmen. Kuptimi i fundit, pra i tejkalimit të pengesave të të shkuarës dhe vendosja e lidhjeve midis shteteve e kombeve për të ndërtuar një projekt të përbashkët, jepet edhe nga imazhet e urës në kartmonedhat e Bashkimit Evropian (BE). Ura është përdorur edhe si simbol e metaforë për Ballkanin, një rajon që historikisht ka lidhur Perëndimin me Lindjen. Kjo mund të jetë arsyeja pse ura ka zënë vend në letërsinë ballkanike, si p.sh. në romanin “Ura mbi Drin”të Ivo Andriçit dhe në romanin “Ura me tri harqe”të Ismail Kadaresë. Ura më e njohur në Ballkan është ajo e Mostarit në Bosnje-Hercegovinë, një kryevepër artitekturore e periudhës osmane, shkatërrimi i së cilës gjatë luftës në vitet 1990 u përdor si imazh i urrejtjes dhe konflikteve etnike në ish-Jugosllavi, sikur edhe rindërtimi i saj pas luftës shkonte paralel me përpjekjet për paqe dhe rindërtim. Shprehjet “ndërtimi/vendosja e urave të bashkëpunimit” apo “bridging the differences” (që mund të shqipërohet si “ngritja e urave për tejkalimin e dallimeve”) janë bërë pjesë e zhargonit të politikës dhe të shoqërisë civile, në përpjekjet për vendosjen e paqes, komunikimit, marrëdhënieve dhe bashkëpunimin midis dy ose më shumë palëve, të cilat deri vonë mund të kenë qenë të veçuara, refraktare apo armiqësore ndaj njëra-tjetrës. Prandaj, një urë e mbyllur është një kontradiktë logjike: ura mund të shkatërrohet, por nëse ajo është funksionale, duhet të mbahet e hapur.     

Lexo më shumë  Kurti: Interesi i Beogradit është të flitet për dialog pa u përmendur Marrëveshja e Brukselit

Ura mbi Ibër

            Ura mbi Ibër është bërë simbol i ndarjes së Kosovës në vija etnike. Ajo u mbyll nga kontingjenti francez i KFOR-it në vitin 1999 me përfundimin e luftës. Mbyllja e urës u pasua nga përzënia e shqiptarëve prej Mitrovicës veriore për të krijuar një shumicë etnike serbe në këtë pjesë të qytetit; prej krijimit të organizatave kriminale e terroriste serbe në veri të qytetit, të cilat morën edhe emrin Rojet e Urës; prej krijimit të barrikadave prej këtyre organizatave për bllokimin e urës; prej krijimit më 2013 të dy komunave që edhe sot administrojnë të ndara dy pjesët e qytetit. Në Urën e Ibrit e ka edhe zanafillën koncepti i “Veriut” me cilin ngadalë qytetarët u mësuan ta quanin pjesën veriore të shtetit që kontrollohej nga agjentët e Beogradit. Te ura mbi Ibër e ka zanafillën edhe Zajednica, organizimi autonom që Beogradi ka synuar të themelohet për serbët e Kosovës. Madje për një kohë u gjet emërtimi “Parku i Paqes”, që ura të mos quhej urë.

Hapja e urës, d.m.th. rikthimi në funksionin për të cilin është ndërtuar, u bë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuar nga BE-ja. Më 2016 palët ranë dakort që ura të hapej për automjetet në janar të vitit 2017, por ky vendim nuk u vu në zbatim. Kur më në fund qeveria Kurti nisi zbatimin e fazave të parashikuara për hapjen e urës, Serbia protestoi dhe shqetësimi për rindezjen e konfliktit midis dy shteteve shkaktoi një stuhi të shkurtër diplomatike. E gjithë trysnia e diplomatëve perëndimorë u lëshua mbi qeverinë e Kosovës. Diplomatët perëndimorë nuk morën parasysh të drejtën e Kosovës për të ushtruar sovranitetin brenda shtetit, nuk morën parasysh tejkalimin me vite të afateve për hapjen e plotë të urës, për të cilat dhe Serbia kishte rënë dakord, përkundrazi ata dolën hapur edhe kundër parimit universal të lëvizjes së lirë të njerëzve brenda shtetit. U duk sikur diplomacia perëndimore në kor po i thoshte Prishtinës se ura do të hapet kur të dojë Serbia! Diplomati ndërmjetësues për dialogun madje u përpoq që hapjen e urës për automjetet ta vendoste në agjendën e bisedimeve të ardhshme Prishtinë-Beograd, por u tërhoq menjëherë pas protestës së Prishtinës. Për ta zbutur qëndrimin e tyre paradoksal, që i bie ndesh edhe simbolikës universale të urës si objekt i paqes dhe kapërcimit të dallimeve, diplomatët perëndimorë nisën të thonin se ura do të hapet për automjetet, por qeveria e Kosovës për këtë duhej të bashkërendohej me fuqitë perëndimore.  

            Ura e Ibrit po kthehet si ajo rrota e famshme e qerres që dikur një regjizor teatri e vendosi në një vend të dukshëm të skenës, edhe pse ajo nuk kishte ndonjë lidhje me temën dhe as skenografinë e dramës; rrota ishte aty për të tërhequr vëmendjen e censuruesve që të mos merreshin me aspekte të tjera të shfaqjes. Serbia dhe diplomacia perëndimore që po ia mban ison, po merren me hapjen/moshapjen e urës për automjetet, sepse nuk u ka mbetur ndonjë zonë tjetër ku të pengojnë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës përtej Ibrit. Komunat veriore, ku banon një pjesë e mirë e pakicës serbe, janë tashmë të integruara me rendin institucional të Kosovës. Nuk ekzistojnë më zyra komunale paralele, zyra të postave dhe të bankave të Serbisë, që jo shumë kohë më parë ishin funksionale. Dinari, monedha e Serbisë nuk përdoret më paralel me monedhën zyrtare të Kosovës. Nuk janë më as bandat e armatosura që terrorizonin popullatën. Shqiptarët e përzënë nga lagjet veriore të Mitrovicës po kthehen në banesat e tyre dhe komuna po ndihmon rindërtimin e shtëpive që kishin shkatërruar terroristët serbë. Ndaj serbëve nuk ka asnjë lloj persekutimi, jeta për ta rrjedh normalisht, edhe pse afërmendsh atyre u duhet ca kohë që të mësohen me realitetin se jetojnë në Republikën e Kosovës dhe të mos kapen pas iluzionit se janë në Serbi. (Në Serbi janë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pakica më e përndjekur në Evropë, e cila duhet ta ketë vëmendjen e diplomacisë perëndimore.)

Lexo më shumë  Qeveria e Kosovës rrit të gjithë pensionet për 20 për qind

Bllokimi i kalimit të automjeteve në urën kryesore që lidh dy pjesët e Mitrovicës është një anakronizëm, pas të cilit po kapet Serbia. Ndërsa diplomatët perëndimorë nuk mund të pengonin masat e tjera, plotësisht ligjore të qeverisë së Kosovës, por që ata i quanin “të njëanshme”, KFOR-i mund ta bllokojë hapjen e plotë të urës, prandaj këtu po kapen diplomatët për t’i treguar Serbisë mospajtimin me qeverinë e Kosovës. Mospranimi i fuqive perëndimore për hapjen e urës për automjetet, po e tregon mbretin lakuriq. Fatkeqësisht për Kosovën dhe për interesat e kombit shqiptar, Perëndimi ka zgjedhur t’i bëhet urë Serbisë. Edhe para se të dilte çështja e shfrytëzimit të minierave të litiumit në Serbi, Perëndimi e ka toleruar sjelljen agresive të Vuçiqit ndaj Kosovës, duke menduar se ai ka në dorë çelësin e paqes në Ballkanin Perëndimor. Jo vetëm që nuk po ushtrohet më trysni që Serbia ta njohë Kosovën, por Serbisë po i premtohet se integrimi evropian nuk do të bllokohet nga kjo çështje. Diplomatët e BE nuk shprehen dot nëse Serbia e ka pranuar ose jo marrëveshjen me Kosovën, që BE e trumbetoi si arritje të ndërmjetësimit të saj dhe mbyllin sytë ndaj veprimeve sistematike të Serbisë për ta minuar marrëveshjen. Asnjë pasojë nuk ka deri tani Serbia prej sulmi terrorist që ndërmori në Banjë, asnjë pasojë për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it, sikurse nuk ka asnjë pasojë për përkrahjen që po i jep Rusisë. Përkundrazi, fuqi perëndimore ndihmojnë armatosjen e Serbisë me armë strategjike, sikur të kësaj të mos i mjaftonin armët e blera nga Rusia dhe Kina. Franca dhe Gjermania bllokuan anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për interesat e veta në Serbi.

Kjo qasje perëndimore nuk bën tjetër veçse trimëron shovinistët në Serbi, aleatët më të ngushtë të Rusisë në Ballkan. Nëse kjo qasje nuk ndryshon, parashikohet që Kosova dhe shqiptarët të vihen në një pozitë të vështirë në marrëdhëniet e tyre me Amerikën, me disa shtete të fuqishme evropiane dhe me BE-në. Kosova e ka zgjedhur vetë të jetë një shtet demokratik, ku zbatohen të drejtat qytetare dhe të njeriut. Kosova dhe kombi shqiptar e kanë vendosur që të bëhen pjesë e institucioneve evropiane dhe perëndimore. Mirëpo, në krahun tjetër, Kosova nuk mund të pranojë të jetë shtet disfunksional, për të kënaqur tekat e Serbisë. Kosova nuk ka alternativë tjetër, veçse të fuqizojë shtetin ligjor edhe nëse diplomacia perëndimore ndonjëherë nuk e përkrah këtë gjë kur bëhet fjalë për komunat veriore. Kosova nuk ka alternativë veçse të vijojë të kërkojë anëtarësimin në BE, NATO, OKB, Këshillin e Evropës etj., edhe nëse diplomacia perëndimore do ta pengojë këtë proces për hir të interesave që disa fuqi perëndimore kanë me Serbinë. Kosovës i duhet të këmbëngulë në të drejtën e saj si shtet sovran e demokratik, përkundër sjelljes cinike të atyre diplomatëve perëndimorë që mendojnë se popujt e vegjël nuk mund të jenë as të lirë, as sovranë dhe as të vetëqeverisen demokratikisht. Kosova nuk mund të bëhet kurban i krizës së vlerave që ka kapur një pjesë të politikës dhe shoqërisë perëndimore, por Kosova mund të jetë njëra nga pasqyrat ku Perëndimi e shquan qartë krizën e vet. Me urë e pa urë, ura mbi Ibër do të hapet.   

Rruga Press

YouTube player