Lajme

Ramadani për avionët amerikanë mbi Bosnjë: Mesazh i qartë për Serbinë e Rusinë

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, i ka cilësuar mesazhe të qarta për Serbinë e Rusinë stërvitjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) mbi Bosnjë-Hercegovinë.

Sipas tij, Serbia po synon destabilizimin e Bosnjës. Për këtë tha se avionët luftarakë të avancuar janë tërheqje e vërejtjes.

“Në të dy shtetet, pala që synon destabilizimin është Serbia. Kështu, edhe SHBA-ja edhe NATO-ja i kanë dhënë mesazhe të qarta Serbisë që të mos tentojë destabilizimin e Ballkanit. Serbia, si faktori i vetëm i destabilitetit në Ballkan, është e pushtuar me dashje nga Rusia. Përmes Qendrës Ruse të Spiunazhit në Nish, Rusia ka shtrirë jo vetëm ndikimin në vendimmarrje, por është pjesa kryesore e vendimmarrjes në Serbi”, i ka thënë Ramadani KOHËS të martën.

Ish-zyrtari i AKI-së ka potencuar se stërvitjet amerikane ishin qartësim se “fokusi për paqe dhe stabilitet në Ballkan,është prioritet i lartë në politikën e jashtme”. Sipas tij, situata e sigurisë në Ballkan është serioze dhe Kosova shtoi se ka arritur në nivele shqetësuese.

Lexo më shumë  Kurti pret në zyrë ambasadorët e QUINT-it

“Zakonisht, stërvitjet ushtarake kanë për qëllim edhe dhënien e mesazheve (përveç ushtrimit operacional) ndaj palës apo palëve tjera që kanë interesa të kundërta. Është krejtësisht e dukshme se situata në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë ka arritur nivele shqetësuese të sigurisë. Fakti që NATO-ja ka rritur dukshëm numrin e trupave ushtarake luftarake në Kosovë është dëshmi tjetër për seriozitetin e situatës”, ka thënë Ramadani, njohës i çështjeve të sigurisë.

Për Ramadanin, është i mundshëm një skenar ruso-serb për ndarjen e Republikës Serbe nëpërmjet aneksimit e edhe “sfidimit konkret të trupave të NATO-s në Kosovë”.

“Normalisht, derisa lidershipi i këtillë në Serbi nuk ndëshkohet dhe derisa Serbia nuk largohet automatikisht nga Partneriteti për Paqe në NATO, lidershipi serb do të vazhdojë të lexojë për së mbrapshti këto mesazhe. Kështu, nuk mund të përjashtohet fare fillimi i realizimit të skenarit ruso-serb për ndarjen e Republikës Serbe fillimisht dhe aneksimit të saj nga Serbia pastaj, por edhe të sfidimit konkret të trupave të NATO-s në Kosovë.Në ndërkohë, ndikimi serb në Mal të Zi ka arritur shkallën më të lartë që la pasur ndonjëherë që prej rënies së klikës së (Momir, ish-president i Malit të Zi) Bullatoviqit, përkatësisht kukullës së (Slobodan) Millosheviqit”, ka përfunduar Ramadani.

Lexo më shumë  Shkarkimi i Escobarit, Bugajski: Koha që ShBA-ja të emërojë një të dërguar të pakorruptuar

Bashkimi Evropian ka deklaruar se qëndron me sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, duke thënë se çdo veprim tjetër “do të çojë në pasoja të rënda”.

“Do të kujtoj qëndrimin e qartë të Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën dhe s’ka ndërruar…Bashkimi Evropian ka qenë gjithmonë duke theksuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues. Çdo veprim kundër parimeve do të çojë në pasoja të rënda. Bashkimi Evropian gjithashtu vazhdimisht u kërkon akterëve politikë që të përmbahen nga retorikat apo veprimet provokuese, veçanërisht të Republikës Serbe”, ka deklaruar para mediave zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Rruga Press

YouTube player