KryesoreLajme

“Rama n’burg, Berisha n’burg”/ Dita e 10-të e protestës madhështore në Tiranë, qytetarët marshojnë drejt kryeministrisë

Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.

Ata kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.

Nga aty, protestuesit do të marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas do ndalen përpara Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin e tyre.

Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën etj.

Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.

Lexo më shumë  Vetëvendosjes i shtohet një ulëse në Kuvend kur janë numëruar vetëm 27% e votave në përfaqësitë diplomatike

Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.

Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka deklaruar se po ndjek nga afër zhvillimet në zonën Pishë Poro–Nartë dhe se i ka përcjellë shqetësimet Ministrisë së Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të projektit. Zëdhënësi Guillaume Mercier bëri të ditur se punimet janë pezulluar dhe se pritet një vlerësim gjithëpërfshirës i ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile, duke kujtuar gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK.

Lexo më shumë  Kurti vlerëson kontributin e Adem Shehit në luftën e UÇK-së

Ndersa për këtë çështje, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim, teksa ka bllokuar llogaritë bankare të pronarëve të tokës, duke vendosur sekuestro për shumën prej 195 milionë dollarësh, e transferuar drejt tyre nga vëllezërit nga Katari.

Ndërkohë, organi i akuzës po verifikon edhe një sërë vendimesh gjyqësore që lidhen me titujt e pronësisë, ndërsa thuhet se konfliktet ligjore mbi pretendimet për sipërfaqet e tokave vijojnë të mbeten ende të hapura.

YouTube player