KryesoreLajme

Gjiganti botëror Reuters: Brukseli i bën presion Shqipërisë ndërsa resorti i Kushnerit rrezikon të shkelë ligjin mjedisor të BE-së

Komisioni Evropian i ka kërkuar Shqipërisë që të veprojë pa vonesa për të siguruar përputhjen me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Evropian, nëse dëshiron të anëtarësohet në bllok, tha të martën një zëdhënës i Komisionit, duke komentuar projektin e planifikuar të një resorti luksoz të mbështetur nga Jared Kushner, shkruan Reuters.

Të hënën, kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi në një intervistë për Reuters se vendi do të vazhdojë me projektin e resortit luksoz të planifikuar nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, dhe vajza e tij, Ivanka Trump, në një zonë të izoluar të bregdetit ballkanik, pavarësisht protestave për ndikimin e tij në mjedis.

Lexo më shumë  Rashiq: Beogradi bëri presione ndaj serbëve dhe përdori ‘inxhiniering zgjedhor’ në Kosovë

Protestat janë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, pasi zona bregdetare ku parashikohet ndërtimi shërben si pikë ndalese për flamingot gjatë migrimit të tyre. Ato janë zgjeruar duke u kthyer në një kundërshtim më të gjerë ndaj disa aspekteve të 13 viteve të qeverisjes së Ramës.

BE-ja me 27 vende anëtare ka deklaruar se mund të pranojë anëtarë të rinj, përfshirë Mali i Zi, Shqipëria dhe Ukraina, deri në vitin 2030, por kjo varet nga përputhja me ligjet e BE-së, përfshirë ato që lidhen me mjedisin.

“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kriterit përmbyllës dhe ne presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë”, tha zëdhënësi i Komisionit, Guillaume Mercier.

“Jemi në kontakt me autoritetet shqiptare për këtë çështje”, shtoi ai.

Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, e cila pritet të ndërtojë resortin, nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment.

YouTube player