KryesoreLajme

“Rama jep dorëheqjen”/ Sot protesta e 52-të, qytetarët nuk heqin dorë; të enjten ‘rrethojnë’ Kuvendin

Lëvizja qytetare kundër qeverisë vijon edhe sot, teksa në Tiranë do të mbahet protesta e 52-të radhazi.

Ashtu si në ditët e mëparshme, organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Prej më shumë se 50 ditësh, qytetarët protestojnë çdo ditë në kryeqytet, duke kundërshtuar jo vetëm projektin e investimit në Zvërnec, por edhe një sërë ligjesh që, sipas tyre, favorizojnë interesa të ngushta dhe dëmtojnë interesin publik.

Në protestat e deritanishme nuk kanë munguar thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike. Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe atë për trashëgiminë kulturore.

Lexo më shumë  Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Veliajt për pezullimin e afateve të paraburgimit

Dje paradite, protesta u zhvillua edhe para godinës së Kuvendit, ku protestuesit hodhën vezë në drejtim të automjeteve të disa deputetëve, në shenjë kundërshtimi ndaj mazhorancës. Aksioni u shoqërua me masa të forta sigurie dhe tensione, ndërsa seanca plenare u ndërpre disa herë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mobilizimi do të vijojë çdo ditë, duke theksuar se nuk do të ketë tërheqje deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Lexo më shumë  Gjermania heton lidhje me Serbinë dhe Poloninë pas dronit me eksplozivë në Leipzig

Ndërkohë, të enjten protesta pritet të zhvendoset sërish paradite para godinës së Kuvendit, ku do të zhvillohet seanca e fundit plenare e këtij sesioni parlamentar. Organizatorët synojnë të ushtrojnë presion ndaj deputetëve në ditën e mbylljes së punimeve të Parlamentit, ndërsa më pas tubimi pritet të vijojë sipas axhendës së lëvizjes qytetare.

Rruga Press

YouTube player