Lajme

Rama iu hakërrehet kryebashkiakëve: Po nxisni protestat

Detaje të reja janë mësuar nga mbledhja e kryebashkiakëve me kryeministrin Edi Rama, ku në qendër të diskutimeve ka qenë reforma territoriale dhe riorganizimi i hartës së bashkive.

Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm te Poliçani dhe Dimal. Mësohet se debate të forta kanë pasur me Ramën edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bello, dhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, të cilët kanë mbrojtur qëndrimin kundër shkrirjes së bashkive që drejtojnë.

Në debat është përfshirë edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku. Sipas burimeve, kryebashkiakët kanë ngritur kundërshtime lidhur me kriteret e përdorura për përcaktimin e bashkive që do të përfshihen në riorganizimin territorial.

Një nga momentet më të forta të mbledhjes ka qenë përplasja lidhur me reagimin e komuniteteve lokale. Mësohet se Rama iu është drejtuar kryebashkiakëve duke i akuzuar se po nxisin qytetarët të protestojnë kundër reformës territoriale. Kryeministri ka pretenduar se kundërshtimi i tyre nuk po mbetet vetëm në nivel institucional, por po shtrihet edhe te qytetarët, duke krijuar rezistencë ndaj ndryshimeve të propozuara.

Lexo më shumë  Pacolli: Nga viti i ardhshëm, Aeroporti “Adem Jashari” ofron ujë të pijshëm falas për udhëtarët

Nga ana tjetër, kryebashkiakët kanë kundërshtuar mënyrën se si janë përzgjedhur bashkitë që pritet të shkrihen, duke ngritur pretendimin për standard të dyfishtë.

Në diskutim janë përmendur konkretisht Peqini, Vau i Dejës dhe Roskoveci. Sipas kryebashkiakëve, këto bashki kanë tregues më të dobët performance, por pavarësisht kësaj nuk janë përfshirë në të njëjtën mënyrë në ndryshimet e propozuara.

Kundërshtimet kanë sjellë debate të forta gjatë takimit, ndërsa kryebashkiakët kanë kërkuar që kriteret për riorganizimin e hartës territoriale të jenë të qarta dhe të zbatohen në mënyrë të njëjtë për të gjitha bashkitë.

Lexo më shumë  Tirana si lavatriçe e parave të pista/ Raporti: Procesin e mundësojnë ‘profesionistët’

Mbledhja ka zgjatur më shumë se katër orë dhe është fokusuar tërësisht te reforma territoriale, mënyra e riorganizimit të bashkive dhe kriteret që do të përcaktojnë se cilat prej tyre do të vijojnë të ekzistojnë si njësi të veçanta të pushtetit vendor.

Debatet e sotme tregojnë se reforma territoriale pritet të jetë një nga çështjet më të diskutuara në raportet mes qeverisë qendrore dhe drejtuesve vendorë, veçanërisht në bashkitë që rrezikojnë të preken nga harta e re./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player