Argument

Qoku: BDI-ja dogji rastin për të pasur një president shqiptar në MV

Nga Bekim Qoku

1. Zgjedhjet presidenciale i fitoi VMRO, me 180.000 vota diferencë prej LSDM-së. Pse pra, u gëzua kaq shumë BDI-ja?

2. Në fushatë BDI-ja fliste vetëm kundër VMRO-së, Ahmeti shante vetëm Mickovskin. Pse pra, u gëzua kaq shumë BDI-ja kur fitoi kaq shumë VMRO-ja?

3. Ne e dimë se LSDM-në e ka shkatërruar pikërisht bashkëpunimi me BDI-në dhe korrupsioni i madh i drejtuesve të BDI-së.

4. Ne e dimë se BDI-ja nuk ka përtuar të bashkëpunojë edhe me VMRO-në më të keqe, atë të Gruevskit dhe Mijallkovit.

5. Ne e dimë se ndërmjetësues për lirimin e Mijallkovit nga burgu, por edhe për kthimin e Gruevskit nga Hungaria, ka qenë Bujar Osmani i BDI-së.

6. Ne e dimë se licencat për hotele dhe kazino të Mijallkovit antishqiptar, i ka nënshkruar Bujar Osmani i BDI-së.

7. Ne e dimë se rastet e montuara që futën në burg padrejtësisht shumë shqiptarë, janë mbështetur nga BDI-ja.

8. Ne e dimë se Vuçiqi u shqetësua se mos po i humb zgjedhjet BDI-ja. Kur BDI-ja u gëzua për fitoren e VMRO-së, në 24 prill, edhe Vuçiqi u gëzua.

9. Ne e dimë se pronarët dhe menaxherët e kazinove e llotarive kanë financuar masivisht blerjen e votave për BDI-në.

10. Ne e dimë se BDI-ja dhe aleatët e saj kanë shkuar ditën e djeshme dhe ditën e sotme te VMRO, për të kërkuar qeverisje pa kushte. Ja pra, pse u gëzua kaq shumë BDI-ja.

Por

1. Ne kërkuam nga BDI të nxjerrë kandidat të vetëm shqiptar. E pritëm. Ata nuk nxorën kandidat. Atëherë u thamë të mbështesin kandidatin tonë. Ata nuk pranuan, por disa ditë më vonë nxorën Osmanin, duke përçarë votën shqiptare. Nëse BDI-ja do të kishte dëgjuar kërkesën tonë, qoftë me kandidatin e vet, qoftë me kandidatin tonë, sot do të kishim president shqiptar. Ata nuk heqin dot dorë nga përçarja e shqiptarëve.

2. Ne kërkuam nga BDI të garojmë si subjekte shqiptare për votën shqiptare. Ata bënë koalicion me partitë e disa pakicave. Në listat e tyre ka më pak deputetë shqiptarë, e në votat e tyre ka më pak vota shqiptare. Kësisoj ata po bëhen subjekti që mbyt përfaqësimin legjitim dhe demokratik të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. Me gjithë respektin, ama secili komunitet ka nevojë për përfaqësuesit e vet. Është gabim që, me vota shqiptarësh, të çosh në parlament deputetë të etnive të tjera. Por ata nuk heqin dot dorë nga hilet.

Është e domosdoshme që BDI të kalojë një kohë në opozitë, pas 22 vitesh pushtet. Të pastrojë vetveten prej krimit, korrupsionit, dhe antishqiptarizmit. VLEN në qeverisje do të ishte një garant për ruajtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe fillimin e politikave antikorrupsion.

Rruga Press

YouTube player