KryesoreLajme

Qeveria i përgjigjet QUINT-it, BE-së e OSBE-së: Shpronësimet vlerësohen nga ligjshmëria jo nga etnia

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës:

Reagim mbi Deklaratën e shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së rreth vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 30 maj në lidhje me shpronësimin në veri të Republikës së Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për Deklaratën e shteteve të QUINT-it, BE-së dhe OSBE-së lidhur me vendimin e datës 30 maj mbi shpronësimin e pronës së paluajtshme në disa komuna në veri të Republikës së Kosovës. Deklarata në fjalë, konstaton në mënyrë të gabuar gjendjen faktike dhe bën vlerësim ligjor të pabazuar në argumente.

Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka filluar procesin e shpronësimit të pronës së paluajtshme në disa komuna të Republikës së Kosovës sipas Ligjit në fuqi për Shpronësimin, me qëllim të ndërtimit të projekteve infrastrukturore. Qëllimi i këtillë, përcjell definimin e “qëllimit legjitim” të definuar si të tillë nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strazburg. Një gjë e këtillë është paraqitur edhe gjatë takimeve e diskutimeve me partnerët ndërkombëtarë, të cilët nga Qeveria e Kosovës kanë kërkuar respektim të procedurave të nisura gjyqësore, para marrjes së vendimit përfundimtar për shpronësim në Qeveri.

Edhe pse ligjet tona lejojnë marrjen e vendimit përkundër procedurës të nisur para gjykatave, qeveria megjithatë ka pritur vendimmarje të gjykatave para se të vazhdonte me vendimin përfundimtar.  Kontesti i vetëm lidhur me procedurën për shpronësim sipas jurisprudencës së Strazburgut është lartësia e kompensimit.

Paditësit, kanë ushtruar padi kundër vendimit preliminar për shpronësim duke pretenduar shkeljen e ligjit në procedurë. Gjykatat kanë gjetur se paditësit, përjashtimisht një numri të vogël të tyre, nuk kishnin legjitimitet në procedurë, pasi të njëjtit nuk janë pronarë të pronave të cilat ishin subjekt i shpronësimit. Në vendimin përfundimtar, Qeveria ka reflektuar vendimet e gjykatave dhe ka përjashtuar nga shpronësimi pronat e paditësve të suksesshëm.

Ligji në këtë rast është zbatuar njësoj si edhe në të gjitha rastet tjera të shpronësimit për interes publik anekënd Kosovës. Ne besojmë që të gjithë pajtohen që  para ligjit të gjitha rajonet e Kosovës duhet të trajtohen njëjtë dhe në mënyrë të barabartë.

Ndërtimi i projekteve infrastrukturore, përfshirë këtu stacionet e policisë, do të ndihmojnë në parandalimin e dhunës, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë qëllime të ligjshme dhe mëse legjitime që i kontribojnë forcimit të zbatimit të ligjit e mbi të gjitha, sigurisë së qytetarëve që për një kohë të gjatë ishin subjekt i dhunës e terrorit të bandave kriminale të udhëhequra nga krye-terroristi Milan Radojçiq, i sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ashtu siç është konstatuar edhe nga Raporti i Juristëve Eminentë të Këshillit të Evropës, Kosova ka legjislacion të avancuar që siguron mbrojtje të lartë të të drejtave dhe lirive të njeriut, sidomos ato të komuniteteve jo shumicë. Juristët Eminentë kanë konstatuar se: Korniza ligjore e Kosovës është ndikuar fuqishëm nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe shkon përtej standardeve ndërkombëtare.
Gjithashtu, shprehim shqetësimin tonë që deklarata i referohet shpronësimit në disa komuna të Kosovës si “komuna me shumicë serbe”. Komunat në Kosovë kanë emra të veçantë e përkatës dhe qeveria nuk u referohet si komuna me shumicë shqiptare, serbe, turke etj. pasi kjo nuk është në përputhje me karakterin multietnik të kushtetutës së Kosovës. Shpronësimet duhen vlerësuar për nga ligjshmëria, të drejtat e njeriut dhe interesi publik e jo për nga përkatësia etnike e qytetarëve.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

YouTube player