Qeveria Rama dështon me menaxhimin e mbetjeve, BE konstaton problemet e menaxhimit te qeveria
Pasi abuzoi qindra milionë euro me aferën e inceneratorëve, qeveria ka vendosur të shfryjë dështimin në shpinë të qytetarëve.Në Kuvend është depozituar një draf që parashikon amendimin e ligjit për mbetjet, ku parashikohet që të rriten gjobat ndaj qytetarëve, nëse ndotin ambientin.
Në relacionet e këtij projektligji, përmenden edhe problematikat e Shqipërisë me menaxhimin e mbetjeve, të renditura në progress-raportet e Bashkimit Europian.
Qeveria ka vendosur të mbulojë dështimin e saj me menaxhimin e mbetjeve urbane, duke shtuar masën e gjobës për qytetarët dhe subjektet tregtare që ndotin ambjentin. Në një propozim të dorëzuar së fundmi në Parlament për amendimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, parashikohet që masa e gjobave për subjektet private të rritet me 30 përqind, ndërkohë që institucionet publike e pranojnë vetë se përgjegjësi kryesor për keqmenaxhimin e plehrave janë strukturat shtetërore. Në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit që shoqëron projekt-ligjin qeveritar thuhet se “Problemi kryesor lidhet me ndotjen që i shkaktohet mjedisit nga keqmenaxhimi i mbetjeve, nëpërmjet veprimeve të hedhjes, groposjes, djegjes, braktisjes, depozitimit dhe asgjësimit nga persona fizikë dhe juridikë”.Por, në të njëjtin dokument përmenden problematikat e Shqipërisë me menaxhimin e mbetjeve të renditura në progres-raportet e Bashkimit Europian. Sipas Brukselit zyrtar, shkaqet kryesore të keqmenaxhimit të situatës me mbeturinat janë shtrirja e pjesshme e shërbimit për trajtimin e mbetjeve, grumbullimi dhe largimi i pamjaftueshëm i tyre, sasia e kufizuar e mbeturinave që depozitohen në landfille, numri i kufizuar i mjeteve dhe cilësia e tyre e dobët, kontenierë të pamjaftueshëm, mungesë rakordimi mes strukturave qendrore e lokale dhe mungesa e infrastrukturës për menaxhimin e mbetjeve. Praktikisht, raportet e Bashkimit Europian kanë rrëzuar të gjithë qasjen dhe propagandën e qeverisjes 10-vjeçare të Edi Ramës. Kur erdhi në pushtet në vitin 2013, Rilindja prezantoi strategjinë për një Shqipëri të pastër. Zgjidhja sipas kësaj strategjie ishte krijimi i inceneratorëve, pavarësisht kritikave të forta që mbërritën nga të gjitha anët. Tashmë, është kuptuar qartësisht se strategjia e qeverisë për ndërtimin e inceneratorëve rezultoi një sipërmarrje korruptive, me kosto miliarda euro për Buxhetin e Shtetit shqiptar dhe, mbi të gjitha, me investime inekzistente, pasi impiantet për djegien e mbetjeve ose janë funksionalë ose nuk ekzistojnë, si në rastin e Tiranës.
Rruga Press