Lajme

Qeveria paralajmëron ndërrimin e ekipit menaxhues për Asociacionin

Kryeministri Albin Kurti do të shkojë të martën në Bruksel për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pa u informuar nga ekipi menaxhues për Asociacionin që e ka formuar Qeveria se çfarë draft-statuti është hartuar. Zyrtarë qeveritarë paralajmëruan ndërrimin e përbërjes së këtij ekipi, që përbëhet nga katër serbë, në rast se vazhdojnë të mos raportojnë në Qeveri dhe të mos u përgjigjen thirrjeve për takime.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta ndryshojë përbërjen e ekipit menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse vazhdon të mos përgjigjet në kërkesat për raportim.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se është e patolerueshme sjellja e anëtarëve të këtij ekipi që vite më parë është emëruar nga Qeveria, pas propozimit të emrave nga komunat e veriut të banuara kryesisht me serbë.

“Neve nuk na pëlqen sjellja e tyre deri në këtë moment, pasi që nuk është dashur as të pritet që t’i ftojmë ne, e ata të raportojnë. Është dashur të raportojnë. Por nuk ka ndodhur ndonjë raportim më herët, e as nuk i janë përgjigjur deri më tash thirrjes për takim dhe në gjykimin tonë nuk është sjellje e tolerueshme. Ne do t’ua bëjmë edhe një ftesë për takim dhe nëse nuk na përgjigjen, atëherë me të njëjtin autorizim, siç janë emëruar këta persona në ekip menaxhues, do të thotë do të ndryshohen”, ka deklaruar Vokrri.

Lexo më shumë  Banka Botërore mbështet përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë

Ekipi menaxhues përbëhet nga katër serbë të Kosovës, një nga të cilët është zgjedhur deputet në Parlamentin e Serbisë.

Në takimin e 2 majit mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ekipi do ta prezantojë draftin e Statutit të Asociacionit, për përmbajtjen e të cilit nuk është informuar Qeveria e Kosovës.

“Neve nuk na kanë dhënë informacione dhe nuk e kanë kompetencën e as autonominë që të draftojnë një statut pa miratimin tonë. Mund ta draftojnë, por së pari duhet të kalojë nëpër filtrin e Qeverisë së Kosovës dhe të miratohet, që të kalohet tutje dhe deri në këtë moment, ata nuk na janë përgjigjur”, ka thënë Vokrri.

Lexo më shumë  Mungesa e krahut të punës, qeveria "Rama" do të marrë 40 mijë punëtorë të huaj

Politologu Seb Bytyqi ka thënë se përbërja e ekipit menaxhues ka rëndësi edhe pasi ta paraqesë dokumentin në Bruksel.

“Në të ardhmen, kur do të diskutohet për statutin e Asociacionit, rol të rëndësishëm do të ketë ekipi menaxhues, kështu që është e rëndësishme përmbajtja e këtij ekipi”, ka thënë Bytyqi.

Ekipi menaxhues është themeluar në kohën e Qeverisë Mustafa. Ndërkaq gjatë Qeverisë Hoti kryesuese është bërë Danijela Vujiçiq, e cila më vonë nuk është larguar nga kjo trupë, ndonëse është zgjedhur deputete në Kuvendin e Serbisë. /koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *