Lajme

Qeveria i bën thirrje Listës Serbe të mos ushtrojë presion mbi serbët në veri

Qeveria e Kosovës i ka bërë thirrje Listës Serbe që të mos ushtrojë presion mbi serbët në veri dhe të mos i dezinformojë ata sa i përket procesit të votimit për shkaktimin e kryetarëve. 

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje ka thënë se Qeveria i fton qytetarët në komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, që të shfrytëzojnë mundësinë dhe të drejtën e tyre për të votuar për ose kundër largimit të kryetarëve.

“Republika e Kosovës është shtet demokratik, i së drejtës dhe lirive civile e politike të qytetarëve. Andaj, i bëjmë thirrje Listës Serbe që të mos ushtrojë presion dhe mos të dezinformojnë qytetarët e komunitetit serb të Kosovës që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”, është shprehur Kryeziu.

Lexo më shumë  Blerim Devolli humb gjyqin me Avokaturën Shtetërore, me përmbarues do t’i merren 1.3 milion euro

Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë është deklaruar se s’do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve, duke e quajtur procesin “referendum të thirrur nga Albin Kurti”.
Kryeziu ka thënë se procesi nuk është referendum i Kurtit, siç i është referuar Lista Serbe. 
“Fillimisht për të informuar saktë qytetarët tanë nga komuniteti serb, procesi i paraparë të mbahet me 21 prill nuk është referendum i thirrur nga Kryeministri Kurti, siç keqinformon Lista Serbe. Ai është rezultat i kërkesës dhe nënshkrimeve të mbledhura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, banorë të këtyre katër komunave. Udhëzimi administrativ që parasheh mundësinë e largimit të kryetarëve të komunave, respekton vullnetin politik të qytetarëve”, ka thënë Kryeziu.

Lexo më shumë  Kosova arrin vlerësimin e parë kreditor sovran, konsiderohet si pasaportë për vendin

Ai ka theksuar se deri në këtë situata komunat në veri kanë ardhur “pikërisht për shkak të braktisjeve dhe bojkoteve që janë shkaktuar e nxitur nga Lista Serbe, e që edhe përtej saj kanë qenë kalkulime të Beogradit zyrtar”. “Me veprimet e tyre, po dëshmojnë se në fokus nuk i kanë interesat e qytetarëve. Nga metodat e Listës Serbe e të Beogradit zyrtar, nuk ka përfituar qytetari privat, përkundrazi. Përgjigjja meritore nga vetë qytetarët tanë në veri ndaj këtyre metodave, është përfshirja në procese demokratike dhe integrimi në institucione. Sepse ata që integrohen, jetojnë më mirë”, ka thekuar Kryeziu.

Rruga Press

YouTube player