Qeveria e Kosovës ndan 1,7 milionë euro për 34 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur të premten se është nënshkruar marrëveshja me 39 organizata të cilat kanë veprimtari shpërndarjen e pakove ushqimore, për shpërndarjen e 34 mijë pakove, në vlerë prej 1,7 milionë euro për familjet në nevojë.
Murati ka thënë gjatë një konference për media se ky vendim është marrë në kuadër të masës 3.4 për mbështetje të familjeve.
“Sot gjatë ditës kemi nënshkruar marrëveshje me 39 organizata të cilat veprimtari kanë shpërndarjen e pakove ushqimore. Ka qenë masa 3.4 për të cilën kemi bërë shpalljen dhe janë kualifikuar këto 39 organizata ku gjithsej të cilat do të shpërndaj 34,000 pako ushqimore në vlerë 1,7 milionë euro”, ka thënë Murati.
Mbështetja do të jetë: pako ushqimore deri në 50 euro për familje, derisa, së paku 70% e vlerës së pakos do të jetë me produkte vendore.
Ai ka përmendur edhe shpërndarjen e 100 eurove shtesë për rreth 280 mijë pensionistë, dyfishimin e skemës sociale për 26 mijë familje dhe po ashtu ekzekutimin e shtesës prej 100 euro për pagat e sektorit publik, për rreth 80 mijë zyrtarë publikë.
Murati ka përmendur edhe pagën minimale, duke thënë se Ligji për plotësim-ndryshimi e Ligjeve që mundëojnë rritjen e pagës minimale do të hidhet në votim në seancën e 5 majit.
“Paga minimale, e cila tanimë Ligji për ndryshim-plotësimin e Ligjeve që mundësojnë rritjen e pagës minimale është në Kuvend për ndryshimin, në seancën më 5 maj pritet të hidhet në votim në seancë plenare dhe kanë mbeture edhe pagat për sektorin privat dhe ndërmarrjet publike që nuk marrin pagë nga buxheti”, është shprehur Murati.
Rruga Press