Lajme

​Qeveria e Kosovës miraton Strategjinë e Sigurisë 2022-2027, e dyta që nga shpallja e Pavarësisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar strategjinë e sigurisë për vitet 2022-2027, e cila është e dyta që nga shpallje e Pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se strategjia për sigurinë është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim me të gjitha institucionet shtetërore, e në veçanti me ato të fushës së sigurisë. Sipas tij, kjo strategji i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë edhe shteteve të QUINT-it.

“Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë ndaj një rreziku, kërcënimit dhe sfidat për sigurinë e vendit tonë. Njëkohësisht paraqet mundësitë dhe vizionin për të ardhmen tonë… Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore, siç janë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtare. Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO ”, ka thënë Kurti.

Ai shtoi se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

“Kosova do të aplikojë në Programin e Partneritetit për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut, si dhe mekanizma të tjerë rajonal të sigurisë. Njëkohësisht, Kosova do të aplikojë për statusin kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në BE”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe udhëzimin administrativ për mbrojtjen e fëmijës kundër faqeve të internetit me përmbajtje pornografike dhe të atyre që dëmtojnë shëndetin dhe jetën e fëmijës.

“Me qëllim të mbrojtjes dhe kujdesit ndaj shëndetit të fëmijëve tanë, Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar këtë projekt-udhëzim administrativ, i cili do të definojë zbatimin dhe kompetencat e institucioneve relevante që të garantojnë zhvillim të shëndoshë të fëmijëve tanë. Ky projekt-udhëzim bazohet edhe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës dhe përmban fëmijët nga çdo përmbajtje e papërshtatshme që ndikon në zhvillimin fizik, kognitiv dhe emocional të fëmijës”, ka thënë Kurti.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka emëruar edhe bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili do të kryesohet nga Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka prezantuar përbërjen e bordit të këtij fondi.

Latifi: Propozoj ta aprovojmë bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (Video)

“Propozoj sot që ta aprovojmë bordin e ri të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, me këtë përbërje: Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Klit Shala nga Ministria e Financave dhe Transfereve, Kastriot Meqa përfaqësues i Odës së Profesionistëve Shëndetësorë, Agreta Gashi përfaqësuese e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Fahri Shabani, përfaqësues i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Muhamed Alikodra, përfaqësues i Shoqatës së Pacientëve”, ka thënë Latifi.

Qeveria ka marrë vendim edhe për obligimin e bizneseve për shërbim të ujit të pijshëm nga rubineti.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

“Propozoj aprovimin e vendimit që në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund të ndalojë klientët të shërbehen nga uji i rubinetit. Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet të furnizohet nga uji i puseve, rezervuarëve apo rrjeteve që nuk menaxhohet prej kompanive rajonale të ujit, pronari i biznesit obligohet që të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë të ujit”, ka thënë Latifi.

Mes tjerash, është miratuar edhe nisma legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Noterinë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se janë më shumë se nëntë komuna që nuk kanë noterë.

“Aktualisht janë më shumë se nëntë komuna të cilat nuk kanë noterë për shkak se një vendim, i cili ka rrëzuar një proces të provimit të noterisë, është ende pranë Gjykatës së Apelit. Prandaj, në këto rrethana të jashtëzakonshme ligji parasheh që ministri i Drejtësisë të ketë të drejtën e caktimit të noterit në një komunë përkatëse. Dhe duke pasur parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime noteriale konsiderojmë si qeveri se i njëjti duhet të mbështetet”, ka thënë Haxhiu.

Ekzekutivi sot ka miratuar gjashtë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me Pakistanin, Irlandën, Egjiptin, Jordaninë, Letoninë dhe Lituaninë për ripranimin e personave që qëndrojnë pa autorizim.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *