Lajme

Qeveria, dorështrënguar me fondet për rindërtimin, përfitojnë para vetëm 3 bashki nga 6 që kërkuan

Gjashtë bashki kanë kërkuar financime në vlerën e rreth 6 miliardë lekëve për procesin e rindërtimit të godinave të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 por qeveria ka vendosur të buxhetojë vetëm tri prej tyre. Kështu në vendimin e fundit, përveç reduktimit të numrit të bashkive përfituese, qeveria është treguar dorështrënguar edhe me fondin e akorduar, i cili është nën vlerën e kërkuar për Tiranën, Durrësin dhe Mirditën.

Qeveria ka miratuar këtë javë një tjetër fond për rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara nga tërmeti në Bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Mirditës.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se është aprovuar fondi prej 824 milionë e 836 mijë lekësh për këto 3 Bashki.

Bashkia Durrës ka marrë shumën më të madhe me 388 milionë lekë, më pas vjen Tirana me 240 milionë lekë dhe në fund, bashkia e Mirditës, të cilës i akordohen 196 milionë lekë.

Lexo më shumë  Kosova dhe Ukraina në shënjestër të dezinformatave serbo-ruse gjatë javës që lamë pas

Vendimi përcakton gjithashtu përdorimin e fondit të rindërtimit për vitin 2021 në masën rreth 165 milionë lekë për 3 Bashkitë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Por, nga ky vendim shihet se qeveria ka marrë parasysh kërkesat e vetëm 3 bashkive nga 6 që kanë kërkuar financimin e rreth 6 miliardë lekëve grante të tjera për riparimin e apartamenteve dhe shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Kjo pasi për Tiranën, Komisioni i Rindërtimit ka miratuar në një vendim të dates 17 nëntor financimin e grantit me vlerë 3.5 miliard lekë, për Durrësin 1.7 miliard lekë, për Rrogozhinën 624 milionë lekë, për Shijakun 158 milionë lekë, për Kurbinin 28 milionë lekë dhe për Mirditën rreth 6 milionë lekë.

Lexo më shumë  Bulliqi dhe Aliu nënshkrujanë memorandum bashkëpunimi në vlerë mbi 1 milion euro

Kërkesat e këtyre bashkive i janë propozuar për miratim Këshillit të Ministrave, por deri tani duket se qeveria ka zgjedhur t’i shtojë fondet vetëm bashkisë Mirditë dhe të reduktojë ndjeshëm grantet për Tiranën dhe Durrësin.

Sipas vendimit, fondet do të përdoren për apartamentet dhe banesat e klasifikuara me dëmtime të shkallës DS1,DS3 dhe DS4.

Puna për ndërtimin e shtëpive të reja, rikonstruksionin e shtëpive dhe shkollave të dëmtuara nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit, e nisur që prej vitit 2020 pritet të përfundojë shtatorin e vitit të ardhshëm.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *