Art & Kulturë

Qëndistarja që bënte pajat e rralla fshehtas me gratë hebre të Vlorës

Në familjet me një djalë dhe një vajzë, nëse shtepia ka ruajtur ca ‘xhevahire’, lufta midis vajzës dhe nuses së djalit është përherë e hapur. Mirëpo, Sonila Haxhiaj ka qenë me fat. Nusja e vëllait të saj, që kur hyri në shtëpi, nuk shprehu asfare interes për makinën qepëse Singer që sot bën 102 vjeç, kështu që Sonila nuk u shqetësua, makina u bë e saja, sepse i takonte…

Historia e mamasë së saj, Vefi Shehaj, nis bashkë me makinën. “Kot puno e kot mos rri”. Me këto fjalë në vesh u rrit Vefi nga gjyshja e saj, duararta e parë e familjes që e trashëgoi pasionin për punën e dorës te mbesat e stërmbesat, aq sa sot, punët e rralla që Vefi ka në shtëpi do t’i kishin zili të gjitha.

Vefi Shehaj vinte nga një familje e persekutuar me gjyshin të pushkatuar e babain të burgosur. E vetmja mënyrë mbijetese ishte të punonin në shtëpi, fshehtas. Kështu i mbajti e gjyshja, kështu e mbajti edhe ajo familjen e saj, vite më vonë. Përmes dhjetëra ndërhyrjesh, arriti të përfundojë gjimnazin në Laç, te xhaxhai, dhe u rikthye sërish në Vlorë, ku e emëruan në punë si elektriçiste. “Më vonë menduan që puna që po bëja ishte më e mirë nga çfarë meritoja prandaj, me luftën e klasave, më kaluan në ndërtim. Kështu u bëra muratore. Aty njoha topografin hebre Jozef Koreta që jetonte bashkë me gjithe familjen e tij në Vlorë. Kishim gjithashtu një inxhiniere hebrehe dhe të dy ata më vunë në kontakt me mbesat e te afërmet e tyre që bënin punë dore. Hebrenjtë nuk i donin komunistët dhe në këtë pikë ndiheshin të afërt, prandaj e pata të thjeshtë të ndërtoja një marrëdhënie shumë të mirë me ta që zgjati derisa u larguan nga Shqipëria. Kuptohet që nuk flisnim për këtë, por të dyja palët e dinim”.-tregon Vefi.

Kështu u shndërruan mësimet e gjyshes në punë. Paradite punonte muratore, pasdite deri natën vonë, qepte e thurrte me gjilpëra e makinë.

“Befas, të gjitha vajzat që martoheshin në Vlorë, na gjenin dhe bënin pajën te ne. Disa porosi i gjenin mikeshat e mia hebrehe, disa unë, kështu bashkëpunonim e mësonim nga njëra-tjetra. Më shumë unë prej tyre sepse realizonin disa punime të rralla, fare të imta, me gjilpërë. Sot nuk jam në gjendje t’i bëj më, por i ruaj si pasuri.”– kuptohet, derisa t’ia marrë Sonila.

E bija gjithashtu nisi të punojë me grep e të qëndisë që fare e vogël. Pajën e saj e bëri vetë. “E rritur me vështirësi, i vetmi argëtim i darkës për time bijë ishte të pastronte fijet nga makina. Mirëpo e zhvilloi me dëshirë edhe vetë sepse e pëlqente”.
Punimet me broden, grep, shtiza dhe filtre që ende gjenden sot, nga Vefi e nga trashëgimia e një historie të tërë bashkëjetese mes hebrenjve të Vlorës dhe banorëve të qytetit, nuk gjendet lehtë në vend tjetër.

“Kur u larguan, në ’90, mikeshat e mia hebrehe më lanë dhjetëra punë si kujtim që ende i ruaj si të çmuara në shtëpi. Kam perde të rralla që janë bërë me dorë, çentro e gjithëfarë punësh. Pas ”90 ës fituam lirinë dhe mundësitë që na kishin munguar, arritëm të ndërtojmë një jetë të mirë, me të ardhura të mira, falë punës, dhe ta ruaj, bashkë me time bijë, punën e dorës si pasion që ende na kënaq”./living / 

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *