BallinaLajme

Qëlloi dy herë më armë drejt 25-vjeçarit që po vraponte, zbardhet dëshmia e efektivit të ‘Shqiponjave’

Është zbardhur dëshmia e punonjësit të Policisë, i cili ka qëlluar me armë 25-vjeçarin Klodjan Rasha në zonën e Laprakës në Tiranë. Efektivi është shprehur se i ka bërë thirrje disa herë të riut që të ndalonte, por nuk ka pranuar, dhe për këtë shkak e kanë ndjekur.

“Isha turni i tretë dhe isha në punë. Ishim për patrullim në zonë, e kemi parë duke lëvizuar jashtë orës policore, përveç kësaj na ngjalli edhe dyshime. I komunikuam që të ndalonte por nuk pranoi, nisi të na kërcënonte. Teksa u përpoqëm ta ndalojmë, ai vrapoi. Kam njoftuar fillimisht sallën, dhe më pas e ndoqëm nga pas duke i bërë vazhdimisht thirrje që të ndalonte”, mësohet të ketë deklaruar efektivi i Shqiponjave.

Ligji i Policisë së Shtetit e parashikon qartë se efektivi qëllon me armë vetëm në rast se ka një rrezik nga personi përballë, dhe gjithnjë duhet të qëllojë në pjesët e poshtme të trupit. Ndërkohë që ndaj Rashës është qëlluar me dy plumba, një në kokë dhe një në pjesën e shpatullës, që i kanë shkaktuar vdekjen.

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha, nga punonjës të ‘Shqiponjave’. Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Tiranës ka ngritur një grup hetimor, nën drejtimin e prokurorit Ardjan Braho, i cili po heton nëse punonjësit e Policisë e kanë tejkaluar funksionin e tyre.

Lexo më shumë  Shoferi vrasës në Durrës- Paraziti që financon ekonomia kriminale, korrupsioni, pisllëku

Efektivi i ‘Shqiponjave’ që ka qëlluar mbi Rashën aktualisht ndodhet i shoqëruar në ambientet e drejtorisë së Tiranës, ku pas ngjarjes është marrë në pyetje për disa orë nga prokurori dhe një Oficer i Policisë Gjyqësore.

Hetimet janë në vijim dhe për shkak të se ngjarja është sensitive grupi hetimor ështe shumë i rezervuar për dhënie të detajeve në lidhje me vrasjen e 25-vjeçarit. Pritet që efektivit që ekzekutoi Klodian Raxhën ti komunikohet arresti për dyshime se nuk ka kryer veprimet e duhura në ngjarjen e sotme.

Rruga Press raportoi më herët se janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonën përreth ngjarjes, përfshirë edhe në servisin që gjendet pak metra larg vendit ku është ekzekutuar 25-vjeçari dhe një bar kafeje.

Kamerat e servisit kanë qenë të fikura dhe nuk kanë kapur asgjë. Burime bëjnë me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, e cila ka kapur disa sekuenca të lëvizjes në ndjekje e sipër me shpejtësi të të riut nga efektivët e policisë.

Efektivi i policisë shtetasi N.H që ka shtënë në drejtim të Rashës kishte dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Burimet ndërkohë bëjnë me dije se efektivët “Shqiponja” nuk kanë patur kamera trupi të instaluara.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti takon liderë evropianë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian

Sa i takon të riut, për të cilën Policia u kujdes të njoftonte në rrugë jozytare se kishte qenë një person me precedentë penalë të mëparshëm, fqinjët dhe familja pretendojnë të kundërtën, duke thënë se ai ishte shumë i sjellshëm, dhe nuk ngacmonte akënd në lagje.

Ndërkohë xhaxhai i Klodianit, Hasan Rasha teksa foli në emrin e familjes, tha se nipi i tij ishte një person që kishte pasur më herët probleme me shëndetin mendor, për të cilat dhe ishte mjekuar, ndërsa dha bindjen e plotë se nuk kishte pasur armë as me vete dhe as në shtëpi. Ai kërkoi që ngjarja të zbardhet sa më parë nga ana e Policisë, ndërsa u shpreh i bindur se nipi i tij nuk ka drejtuar armë në drejtim të punonjësve të Policisë.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije se Rasha ka marrë 2 plumba, një në kokë dhe një në shpinë, që nuk ka lidhje asesi me veprimin e Policit për ta neutralizuar atë. Policia dhe SHÇBA po kryejnë hetime në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që efektivi që ka qëlluar në drejtim të 25-vjeçarit për momentin ndodhet i ndaluar.

YouTube player