Pse po vdesin më shumë amerikanë sesa evropianë nga koronavirusi?
SHBA – ja ka një shkallë shumë më të lartë të vdekshmërisë nga koronavirusi në krahasim me vendet e tjera të pasura perëndimore. Ndërsa Kongresi po përpiqet të mbajë në kontroll pandeminë siç kanë bërë tashmë disa vende evropiane, numri i vdekjeve gjatë një jave ka hedhur poshtë çdo optimizëm, edhe nëse rastet me Omicron kanë shënuar rënie, ndërkohë që ekspozon dobësitë në reagimin e vendit, sipas shkencëtarëve.
“Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara është shumë i lartë.” tha Devi Shrindar, kreu i programit global të shëndetit publik në Universitetin e Edinburgut në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ishte pro lehtësimit të kufizimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Disa shkaqe janë të njohura. Pavarësisht se ka një nga arsenalet më të fuqishme të vaksinave në botë, vendi nuk ka qenë në gjendje të vaksinojë aq njerëz sa vendet e tjera të pasura. Më e rëndësishmja është se vaksinimi i të moshuarve mbetet pas në krahasim me disa vende europiane.
Shtetet e Bashkuara kanë mbetur shumë prapa në dhënien e dozave përforcuese duke lënë një numër të madh njerëzish të rrezikuar pa mbrojtje. Rezultati është se numri i vdekjeve në SHBA është proporcionalisht shumë më i lartë se në vendet e tjera, në një masë që nuk është njohur publikisht.
Që nga 1 dhjetori, kur zyrtarët shëndetësorë njoftuan rastin e parë të Omicron në Shtetet e Bashkuara, përqindja e amerikanëve që janë infektuar është të paktën 63% më e lartë se vendet e tjera të pasura në botë , sipas New York Times.
Gjatë muajve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë tejkaluar Britaninë dhe Belgjikën, ndër vendet më të pasura, me shkallën më të lartë të viktimave që nga fillimi i pandemisë. Ndryshe nga vendet e tjera me një numër më të ulët të vdekjeve në vazhdën e Omicron, shtrimet në spitale në SHBA ishin dukshëm më të larta se në Europën Perëndimore.
Numri ditor i vdekjeve është 2,500 mesatarisht në të gjithë SHBA-në. Tani amerikanët po vdesin nga koronavirusi çdo ditë me dyfishin e shkallës së britanikëve dhe katër here më shumë se gjermanët.
“Ka më shumë humbje jetësh tani sesa pritej,” thekson profesori Joseph Dillman i Universitetit të Uashingtonit, i cili krahasoi efektet e Covid në mbarë botën.
Vihet re se 43% e personave mbi 65 vjeç nuk kanë marrë ende një dozë përforcuese, ndërsa 12% nuk janë vaksinuar ende. Përkatësisht në Angli vetëm 9% nuk kanë marrë një dozë të tretë dhe vetëm 4% nuk janë vaksinuar ende.
Disa shkencëtarë shpresojnë se shkalla e lartë e personave që kanë kaluar virusin do ti mbrojë ata, në mënyrë që SHBA të mund të mbushë boshllëkun në shkallën e vaksinimeve në krahasim me vendet e tjera të pasura.
Por çmimi i këtij imuniteti kolektiv është tashmë shumë i rëndë.
Rruga Press