Pse dështoi misioni i Xhafer Devës?
Në vazhdën e diskutimeve të fundit mbi nëse duhet rinovuar apo jo shtëpia e Xhafer Devës sjellim një qëndrim të shkurtër të shkruar nga historiani Hasan Bello. Shqiptarët ndër vite që pas Lidhjes së Parë të Prizrenit nuk janë shquar për vendosmëri politike por në të shumtën e rasteve vetëm për antagonizëm politik. Kjo për pasojë ka sjellur që vendimarrjet klanore nuk i kanë lënë shqiptarët të ndërtojnë një politikë unike dhe të qëndrueshme në shërbim të kombit.
Nga Hasan Bello
Në fund të vitit 1943 komandanti i forcave gjermane i kishte thënë Xhafer Devës se “Ne do ta humbim luftën, ndërsa ju merruni vesh me aleatët”. Këtë fakt do t’ia konfirmojnë shume vite më vonë në emigracion si Xhafer Deva që kishte qenë ministër i Brendshëm ashtu dhe Mehdi Frasheri ish kryetar i Regjencës, njërit nga drejtuesve të forcave nacionaliste në Kosovë, Hysen Terpezës.
Kjo deklaratë e komandantit gjerman bëri që Xhafer Deva të fillonte menjëhere një mision, duke u takuar me krerët më me influence të Shqipërisë së Veriut. Ai shkoi personalisht tek Cen Elezi në Dibër, të cilin e vendosi në dijeni për situatën. Por ky i fundit i tha: “Jo, neve nuk ka mund të na shkelë as Turqia, lëre më komunistët”. Më pas zbriti tek Muharrem Bajraktari në Lumë, që po ashtu i thotë: “E kush mund ta shkelë Lumën, o zoti ministër?” Pastaj Xhafer Deva takohet me Gjon Marka Gjonin e Mirditës, i cili me të njejtën megallomani i deklaron: “Po une i kam bërë ballë Perandorisë Osmane e nuk po u bej ballë komunistëve”. E njëjta përgjigje ishte pak a shumë edhe ajo që mori nga Bushatllinjtë, Kazazët, etj,. fise në Shkodër. Atehere, ai kthehet në Tirane, jep dorëheqje dhe formon Lidhjen e Dytë të Prizrenit. Ajo që ndodhi më pas me të gjithë personat e mësiperm dihet…
Rruga Press