Protestë për Kosovën para Ambasadës së Serbisë në Tiranë
Shoqëria civile në Shqipëri ka protestuar para ambasadës së Serbisë në Tiranë për situatën e krijuar në veri të Kosovës. Në protestë u kërkua që Qeveria e Shqipërisë të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë.
“Ne jemi një. Të gjitha trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri të Kosovës”, ishin disa nga pankartat që protestuesit shpalosën. Me thirrjet ‘Kosovë-Shqipëri ne jemi 1’, me flamuj kombëtarë dhe parulla në mbështetje të Kosovës, protestuesit janë mbledhur para Ambasadës së Serbisë.
Protesta është organizuar nga Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile.
“Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të harrojë që ka një marrëveshje që nga koha e Millosheviqit për bashkimin me e Serbisë me Rusinë. Ky fakt përbën rrezik të madh. Qeveria shqiptare është deklaruar në mbështetje të qeverisë së Kosovës, por duhet të mblidhet nga presidenti i Republikës edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare”, ka thënë një nga organizatorët. “Qeveria shqiptare të kushtëzojë marrëdhënien me Serbinë. Është në nderin e saj të ngrijë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara. Duhet të shfaqemi si komb dhe jo si copa të kombit shqiptar. Kërkojmë nga diplomacia shqiptare të deklarohet se shqiptarët janë kundër prekjes së Kosovës. Kërkojmë nga SHBA që mos të tërhiqet përballë presionit ruso-serb. Evropa nuk duhet të përdorë më dy standarde në raport me shtet e tjera”.
Veriu i Kosovës ka 18 ditë që është bllokuar nga barrikadues serbë të cilët kanë protestuar kundër arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, si të dyshuar për sulm ndaj Policisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas barrikadimit, ata kanë nxjerrë kërkesa të tjera për Qeverinë, përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria po pret nga KFOR-i që t’i heqë, por KFOR-i ka kërkuar që kjo çështje të zgjidhet me dialog.
Rruga Press