Editorial

Kur gjenerali (i KFOR-it) veshë pelerinën e diplomatit

Kush e kontrollon “Brigadën e Veriut” që është prapa barrikadave në veri të Kosovës?
Po ushtrinë private ruse të njohur me emrin “Wagner” e kontrollon Beogradi apo Moska?
Rendi kushtetues dhe e ardhmja e Republikës duhet të mbrohet me çfardo çmimi. 


Shkruan: Dr Sadri Ramabaja

Prishtinë, 27 dhjetor – Misioni i Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë [KFOR-i] është misioni më i madhë në historinë e NATO-s që vepron jashtë territorit të Aleancës. Ai është i shtrirë në kohë gjithashtu më  gjatë se çdo mision tejtër. Por “padyshim më i suksesshmi”, qe deklaruar më 15 tetor komandanti i këtij misioni, gjeneralmajori Ferenc Kajari.

Gjeneralmajor Kajari ishte nga Hungaria; ai pranoi detyrën e komandantit të misionit të KFOR-it nga gjeneralmajori i ushtrisë italiane, Franco Federici. Por, si të ishte bërë marrëveshje paraprake, për ndërrim me rotacion, hungarezi Kajari ia dorëzoi detyrën kolegut të tij italian, komandantit të 27-të me radhë të këtij misioni, gjeneralmajorit  italian Angelo Michele Ristuccia.

Kur ky i fundit mori detyrën, në fjalën e rastit pat nënvizuar se “KFOR-i është një histori suksesi dhe ky sukses është rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që, politikisht dhe në terren, kanë kontribuar për stabilitetin, sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë…”
Por duket se ndërkohë ai ka ngatërruar detyrën. Pas përshkallëzimit të gjendjes në veri dhe shtimit të barrikadave, pas paraqitjes publike të pjesëtarëve të “Brigadës së Veriut”, që de fakto është pjesë e korpusit të Armatës serbe të Nishit e zhvendosur në Kosovë (pa uniforma); pas defilimit të pjesëtarëve të “Wagnerit” rus dhe ca ecejakeve të misionarëve diplomatik të Perendimit në rajon… gjenerali ka lënë kostumin e ushtarakut në kabinetin e tij dhe ka veshur pelerinën e diplomatit!
“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve palët për të ndihmuar në sigurimin dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë, dhe për të parandaluar që narrativat mashtruese të ndikojnë në procesin e dialogut”, u shpreh ai një ditë para Kërshëndellave.

Mandati qenësor i KFOR-it në territorin e Republikes se Kosovës ishte dhe mbetet tutje garantimi i sugurisë dhe liria e lëvizjes për secilin qytetarë. Nuk është mandat i KFOR-it të bëjë deklarata politike dhe thirrje për vetpërmbajtje “të palëve” e dialog, sidomos jo kur njëra palë është e identifikuar si e inkriminuar dhe dorë e zgjatur e Vuçiqit dhe Putinit.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes


Ndërkohë, për gjendjen e krijuar në veriun e Kosovës reaguan edhe diplomatë të karierës dhe ambasadorë në detyrë. Pati edhe përplasje të ndonjërit prej tyre me kryeministren serbe, që hapur paralajmrojë fillimin e luftës.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, la mënjanë gjuhën diplomatike dhe foli ashtu si duhej me presidentin serb Aleksandër Vuçiqin dhe vartësen e tij Ana Bërnabiq.
“Kosova uli tensionet duke i shtyrë zgjedhjet lokale. Serbia e bëri të kundërtën me retorikën e saj së fundmi. Kërkesa për kthimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Ashtu siç janë sulmet ndaj EULEX-it”, pati shkruar në Twitter-in e saj kryediplomatja gjermane.


Në një deklaratë për gazetën “Der Standard”, MPJ e Gjermanisë ka kërkuar që barrikadat në veri të Kosovës të hiqen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre.
“Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës. Barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet ndër të tjera në këtë reagim.

Ndërkohë gjendja precipitojë tutje drejt eskalimit të hapur. Njësitë e “Brigadës së Veriut” nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it. Por ky “incident” solli edhe lajthitje të palëve, respektivisht “çarjen” e korpusit ushtarako-diplomatik të Perednimit. Beogradi, duke gjykuar se kishin sulmuar Policinë e Kosovës, deshti ta kapitalizoj gjendjen e krijuar dhe të kalojë në sulm të hapur që më 25 dhjetor 2022. Përballja me realitetin e bëri që skenarin e kalimin në sulm masiv ta shtyjë sërish për kohë të pacaktuar. Por, sidoqoftë ushtria serbe ka marrë urdhërin për lëvizje drejt kufijve të Kosovës, ndërkaq bazat e saj (42 sosh) rreth e përqark kufijve me Kosovën, janë vënë në gjendje gadishmërie të plotë.

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, që duket se ka marrë rolin e portparollit të MJ të Serbisë për komunikim me Perendimin, në prag të kësaj ngjarjeje të paralajmruar deklaroi se,  Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare, “ku lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiq”. Dhe sikur donte ta arsyetojë gjendjen e krijuar në veri dhe ta shfajësojë Vuçiqin për pasojat e pritshme, ai pohon se gjoja presidenti i Serbisë tani nuk na paska kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që qëndrojnë në barrikada. “Ndikimi i Rusisë është më i madh se ndikimi i Beogradit, kur bëhet fjalë për rrëshqitje të gjërave drejt konflikteve të armatosura”, ka thënë Janjiq për një TV serb.

Lexo më shumë  Serbia - deep state: Kultura e dhunës kundër kulturës së paqes

Pas sulmit mbi njësinë e KFOR-it reagoi Ministria e Mbrojtjes e Letonisë, pjesëtarët e së cilës ishin sulmuar.  “Të dielën, më 25 dhjetor, ka pasur të shtëna në drejtim të paqeruajtësve letonezë, teksa ata po kryenin një patrullë në Kosovë. Nga ngjarja nuk ka viktima. Policia e Kosovës dhe NATO_KFOR kanë nisur hetimet”, thuhet në postimin në Twitter nga ministria letoneze.

Po gjaët orëve të asaj mbrëmjeje, duket ca qaste më heret se ministria letoneze, kishte reaguar Zyra e  gjeneralit italian të KFOR-it në Kosovë.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, teksa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”.

Komanda e KFOR-it në Kosovë duket se ka retushuar të vërtetën. Fatkeqësisht, kështu kishte vepruar “simotra” e saj – Forcat Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR) të OKB në Srebrenicë. Rrjedha në rastin e Srebrenivës dihet.

Mosveprimi i KFOR-it dhe falsifikimi i të së vërtetës, kompromiton këtë mision, respektivisht e bën atë invalid. Krijon rrethana për çarjen e Perendimit, që është misioni kryesor i Putinit, rrjedhimisht edhe i aleatit të tij – Vuçiqit.

Komanda qendrore e NATO-s, pas këti akti, duhet të ndërhyjë dhe të marrë masa konkrete.
Vonesat kanë çmimin e vet – prodhojnë tragjedi.

Në këto rrethana, sidoqoftë, rendi kushtetues dhe e ardhmja e Republikës, duhet të mbrohet me çfardo çmimi. 

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *