KryesoreLajme

Projekti i Kushner “hetohet” edhe në parlamentin holandez

Resorti luksoz i parashikuar për tu ndërtuar në Zvërnec i lidhur me Jared Kushner ka mbërritur në parlamentin holandez, ku deputetë kanë ngritur shqetësime mbi përdorimin e kompanive “guaskë” dhe strukturat financiare të projektit.

Deputetët Luc Stultiens dhe Julian Bushoff nga partia progresiste PRO kanë depozituar pyetje parlamentare drejtuar Ministrit të Financave (Eelco Heinen) dhe Sekretarit të Shtetit për Financat Sandra Palmen, duke kërkuar sqarime për rolin e kompanive holandeze në projekt.

Në një dokument me pyetje parlamentare, tashmë të depozituar dhe të bërë publik, deputetët kërkojnë të dinë nëse qeveria është në dijeni të hetimit të SPAK-ut, si edhe nëse strukturat e pronësisë në Holandë po përdoren për të fshehur pronarët përfitues.

Po ashtu, kërkojnë bashkëpunim me autoritetet shqiptare për identifikimin e pronarëve përfitues të kompanive të përfshira.

Rregulla më të forta kundër strukturave të fshehta financiare

Në një intervistë për Citizens.al, deputeti holandez Luc Stultiens tha se pyetjet parlamentare të drejtuara qeverisë së Holandës për këtë çështje ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare, edhe pse afati standard për kthimin e përgjigjeve ka kaluar. Sipas tij, kjo tregon se çështja kërkon një trajtim serioz dhe se qeveria duhet të japë sqarime sa më shpejt.

Stultiens, i cili së bashku me deputetin Julian Bushoff ka kërkuar shpjegime nga Ministri holandez i Financave dhe Sekretari i Shtetit, thotë se një nga shqetësimet kryesore lidhet me mënyrën se si struktura të regjistruara në Holandë mund të përdoren për të maskuar rrjedhat financiare.

Lexo më shumë  SPAK zbarkon në KPP/ Tenderi për e-Gate, iu hoq fituesve me vlerë të ulët dhe iu dha ankimuesve

Sipas tij, Holanda duhet të sigurohet që kompanitë, fondacionet apo forma të tjera juridike të mos shndërrohen në mjete për të fshehur identitetin e pronarëve përfitues apo burimin e parave.

“Transparenca është thelbësore”, është mesazhi i deputetit holandez, i cili argumenton se gazetarët, politikanët dhe publiku duhet të kenë mundësi të kuptojnë se kush qëndron pas investimeve të mëdha dhe nëse ekziston ndonjë aktivitet i padëshiruar.

Duke folur për rrezikun që sistemi financiar holandez të përdoret për kapital me origjinë të dyshimtë nga vende me nivele të larta korrupsioni, Stultiens shmang etiketimet, por pranon se boshllëqet ekzistojnë.

“Ne nuk do ta quanim Holandën një lavanderi financiare, por rreziku që strukturat holandeze të përdoren për të fshehur rrjedha të dyshimta parash është real”, u shpreh deputeti holandez Luc Stultiens.

Stultiens thekson se përgjegjësia e tij lidhet me forcimin e rregullave në vendin e tij dhe jo me gjykimin e institucioneve shqiptare. Për të, zgjidhja është më shumë transparencë mbi pronarët përfitues, kontrolle më të forta dhe rregulla që e bëjnë më të vështirë krijimin e strukturave sekrete financiare.

Lexo më shumë  Le Monde ‘shuplakë’ të fortë Ramës: Vendi më i varfër në Evropë jep 4 mln euro për një koncert që i shërben interesave të kryeministrit

Ndërsa qeveria holandeze pritet të japë përgjigjet zyrtare, deputeti bëri të qartë se do të vazhdojë ta ndjekë çështjen. Për të, debati nuk është vetëm për një investim të caktuar, por për mënyrën se si sistemet financiare evropiane duhet të parandalojnë përdorimin e tyre për të fshehur para dhe interesa të padukshme.

Si ndërlidhet Holanda me projektin e Kushner?

Holanda shfaqet në këtë projekt përmes strukturës së pronësisë së kompanisë që po zhvillon investimin në Zvërnec. Sipas dokumenteve zyrtare, “Zvërnec South Adriatic Development”, kompania që ka zhvilluar punimet paraprake në zonën e mbrojtur, kontrollohet përmes disa shoqërive të regjistruara në Holandë, përfshirë “Universal Properties Projects B.V”, “Blue Industries Investment Holding B.V” dhe “Dutch Trust Management B.V”.

Kjo strukturë me disa nivele pronësie ka ngritur pyetje mbi transparencën e kompanive dhe identifikimin e pronarëve përfitues.

Debati është intensifikuar edhe për shkak të hetimeve të SPAK-ut mbi transaksionet e tokave në zonën e Zvërnecit, ku sipas vendimit të gjykatës të datës 10 qershor janë sekuestruar mbi 128 milionë euro nga llogaritë e kompanisë “Albanian Land Development”, fonde që dyshohet se janë përdorur në transaksione të shitblerjes së tokave në këtë zonë. /citizens.al/

YouTube player